Lajme Zone
Vjeshta e Mbijetesës
PolitikëPamfleti

Vjeshta e Mbijetesës

Ka një moment në jetën e çdo pushteti të gjatë kur problemi nuk është më opozita. Është koha.

Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama / Rama dhe Vuçiç e kthyen jetëgjatësinë në pushtet në një sistem mbijetese: shtet të kapur, klientelizëm, privilegje për të besuarit dhe institucione që dobësohen sa herë rrezikohet pushteti. Tani, pas më shumë se një dekade në majë, të dy po përballen me faturën e modelit që vetë ngritën... Ballkani po hyn në një vjeshtë të pazakontë. Aleksandar Vuçiç shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme nën presionin e protestave në Serbi, ndërsa Edi Rama përballet në Shqipëri me konsumimin e një pushteti të stërzgjatur. Dy liderë me orientime të ndryshme gjeopolitike, por me një ngjashmëri gjithnjë e më të dukshme: shtetin e kanë lidhur aq fort me pushtetin e tyre, sa sot çdo goditje ndaj sistemit përkthehet në një betejë personale për mbijetesë.

Ka një moment në jetën e çdo pushteti të gjatë kur problemi nuk është më opozita. Është koha.

Aleksandar Vuçiç po e provon sot në Serbi. Edi Rama po fillon ta ndiejë në Shqipëri.

Vuçiç ka njoftuar zgjedhje të parakohshme në datën 18 ose 25 tetor, pas 18 muajsh protesta që nisën me tragjedinë e Novi Sadit dhe u shndërruan në një revoltë të gjerë kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes.

Pas 12 vitesh si kryeministër ose president, ai gjendet përballë një kundërshtari që propaganda, kontrolli politik dhe makineria elektorale nuk e neutralizojnë dot aq lehtë: lodhjes së shoqërisë nga pushteti i tij.

Në Tiranë ndryshojnë rrethanat, jo shumë prej simptomave.

Rama ka 13 vjet në Kryeministri dhe një mandat të katërt të fituar. Gjatë kësaj kohe Partia Socialiste është shndërruar gjithnjë e më shumë në partinë e Ramës, ndërsa qeveria mban vulën e tij në pothuajse çdo vendimmarrje të rëndësishme.

Në këtë pikë, ngjashmëria me Vuçiçin bëhet e fortë: edhe Rama është vetë sistemi që ka ndërtuar.

Kjo është njëkohësisht forca dhe dobësia e tij më e madhe.

Kur pushteti përqendrohet për kaq gjatë rreth një njeriu, nuk ka më kujt t'ia delegosh faturën. Tenderët, koncesionet, klientelizmi, raporti me biznesin, administrata, përdorimi i shtetit në zgjedhje, pabarazia në shpërndarjen e pasurisë publike dhe skandalet që prodhon qeverisja grumbullohen në të njëjtën adresë politike.

Raporti përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2025 foli për mungesë të kushteve të barabarta, raportime për intimidim, keqpërdorim të burimeve publike, presion ndaj punonjësve të shtetit, blerje vote dhe ndikim të pretenduar të elementëve kriminalë në zgjedhje në disa zona. Këto nuk janë akuza të opozitës shqiptare. Janë probleme të dokumentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Këtu Rama dhe Vuçiç afrohen shumë më tepër sesa Tirana zyrtare do të dëshironte ta pranonte.

Të dy kanë ndërtuar pushtete të mbështetura te një lider dominues, një parti e lidhur fort me shtetin, administrata si burim fuqie politike, klientelizmi dhe aftësia për t'i bindur partnerët ndërkombëtarë se alternativa ndaj tyre mund të jetë më problematike se vazhdimësia e tyre.

Ndryshimi i madh mbetet gjeopolitika.

Vuçiç luan prej vitesh në disa tavolina: Bruksel, Moskë, Uashington e Pekin. Rama e ka lidhur Shqipërinë qartësisht me Perëndimin dhe në politikën ndaj Rusisë nuk ka ekuivokun e Beogradit.

Megjithatë, orientimi pro-perëndimor nuk është certifikatë pafajësie për mënyrën se si ushtrohet pushteti brenda vendit.

Kjo është pikërisht dilema shqiptare.

Për vite Rama ka ditur ta shesë stabilitetin si kapital politik në kancelaritë perëndimore. Brenda Shqipërisë, ndërkohë, pushteti është bërë gjithnjë e më personal, kufiri mes partisë dhe shtetit është mjegulluar dhe zgjedhjet zhvillohen në një terren që ODIHR e cilësoi të pabarabartë.

Vuçiç ka bërë të njëjtën gjë me një formulë tjetër. Edhe ai i është paraqitur Perëndimit si njeriu që mban Serbinë nën kontroll, frenon nacionalizmin kur duhet dhe garanton që Ballkani të mos shpërthejë.

Për vite kjo formulë funksionoi.

Tani të dy liderët po ndeshen me kufirin e saj.

Sepse pushteti mund të blejë kohë, të prodhojë aleanca, të shpërndajë favore, të kontrollojë administratën dhe të shfrytëzojë dobësinë e opozitës, por nuk mund ta ndalë pafundësisht konsumimin.

Vuçiç e ka përballë në rrugët e Beogradit dhe në zgjedhjet e tetorit. Rama e ka përballë në një shoqëri ku pakënaqësia nuk përkthehet domosdoshmërisht në votë për opozitën, por ku besimi se pushteti është i pakonsumueshëm ka nisur të çahet.

Këtu qëndron edhe rreziku për të dy.

Sa më shumë një lider bëhet sinonim i sistemit, aq më pak mund të reformojë sistemin pa cenuar pushtetin e tij. Në fund, mbrojtja e qeverisjes kthehet në mbrojtje të vetvetes.

Prandaj vjeshta e vitit 2026 nuk është vetëm vjeshta e Vuçiçit. As vetëm vjeshta e vështirë e Ramës.

Është Vjeshta e Mbijetesës.

Njëri kërkon ta kalojë përmes zgjedhjeve. Tjetri duke mbajtur fort një pushtet që ka hyrë në vitin e trembëdhjetë. Të dy kanë ende shumë instrumente në duar.

Megjithatë, pas kaq shumë vitesh, kundërshtari i tyre më i rrezikshëm nuk është më opozita.

Është fatura e pushtetit të tyre./Pamfletivjeshta e mbijetesës gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Kush po kërkon t’i rrëmbejë “Flamingot”? 23 Gusht 2026, 16:0016:00Editorial Katovica buzë liqenit të Ohrit 22 Gusht 2026, 16:4516:45Editorial Pse Edi Ramës do t’ia hanë kokën të vetët 21 Gusht 2026, 16:4416:44Editorial Piktori që retushon skandalet 20 Gusht 2026, 18:0818:08Editorial Këtu e ka marrë ferra uratën 19 Gusht 2026, 19:4119:41Editorial Ky stan, këtë bylmet ka... 18 Gusht 2026, 19:2019:20Editorial