Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, nderoi viktimat e internimit nga regjimi komunist në Lushnje, nga ku bëri thirrje për ruajtje të kujtesës për ta kthyer atë si një mësim për brezat e ardhshëm.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Kreu i Shtetit vendosi kurorë lulesh në Memorialin e Përndjekjes Politike në Lushnje, si dhe vizitoi barakat e kampit në Savër, një nga qendrat më të mëdha të internimit në Shqipëri.
Në prani të ish-të internuarve, ish-të përndjekurve politikë, familjarëve të viktimave të internimit, studiuesve dhe shkrimtarëve, Presidenti i Republikës u shpreh se kujtesa është detyrim për shoqërinë shqiptare, pasi dëshmon qëndresën dhe dinjitetin e burrave dhe grave që sfiduan regjimin dhe përballuan padrejtësitë absurde të sistemit. “Ajo që na mbledh bashkë sot nuk është vetëm një vështrim përkujtimor prapa në kohë. Është, mbi të gjitha, një detyrim ndaj të sotmes dhe një përgjegjësi për të ardhmen, ndaj fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë, për të mos harruar”, – u shpreh Presidenti Begaj në këtë ndalesë në Savër përgjatë turit shënjues përkujtimor të viktimave të komunizmit.
Ndërsa e cilësoi kampin e internimit si vendin me kujtimet më të rënda dhe më të turpshme të historisë moderne, Presidenti Begaj shprehu respekt ndaj ish-të përndjekurve politikë që humbën mundësitë, lirinë, pronën, por ruajtën elementin më thelbësor: dinjitetin. Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, se krahas përkujtimit të nënave, baballarëve, grave dhe fëmijëve që përballuan internimin, një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që sot mbajnë gjallë kujtesën.
Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit bëri thirrje për veprim dhe bashkëpunim mes institucioneve për dokumentimin e plotë të historive dhe mbrojtja e vendeve të vuajtjes së ish-të përndjekurve për edukimin e brezave të rinj.
“Koha ikën, koha nuk pret. Dëshmitarët po pakësohen, gjurmët fizike po degradojnë dhe kujtesa e drejtpërdrejtë po bëhet gjithnjë e më e brishtë.
Prandaj duhet të veprojmë: të mbledhim dëshmitë, të ruajmë fotografitë, të digjitalizojmë dokumentet, të shënojmë dhe të mbrojmë vendet e vuajtjes dhe ta bëjmë këtë histori pjesë të edukimit të brezave të rinj. Kujtesa ka nevojë jo vetëm për përvjetorë dhe ceremoni si kjo, por për institucione që e ruajnë atë çdo ditë”, – u shpreh Presidenti Begaj./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Aktualitet Bajram Begajinternimkomunizemkujtesa

