Lajme Zone
Tym, flakë dhe gaz: Kosova sërish në vorbullën e krizës
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Tym, flakë dhe gaz: Kosova sërish në vorbullën e krizës

Situata është përshkallëzuar pas moshedhjes në votim, në lexim të dytë, të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

46 MINUTA ME PARE Vijojnë tensionet para Kuvendit të Kosovës, të paktën 8 të lënduar Vijojnë tensionet në Kosovë Situata para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Të paktën tetë persona raportohet se kanë pësuar lëndime gjatë protestës, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe Policisë kanë vazhduar pas moskalimit në votim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Vijojnë tensionet para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit janë përplasur me forcat e Policisë. Të paktën tetë persona raportohet se kanë pësuar lëndime gjatë protestës.

Situata është përshkallëzuar pas moshedhjes në votim, në lexim të dytë, të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit kanë vijuar të hedhin mjete piroteknike në drejtim të objektit të Kuvendit, ndërsa Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, duke e larguar turmën nga zona pranë godinës.

Për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës, disa prej protestuesve janë parë me maska mbrojtëse në fytyrë. Forca të shtuara policore vazhdojnë të qëndrojnë të pozicionuara përreth Kuvendit, ndërsa protestuesit mbeten të grumbulluar në zonë.

Tensionet janë zhvendosur edhe në rrugën “Agim Ramadani”, pranë Kuvendit, e cila vijon të jetë e bllokuar. Në rrugë janë vendosur kontejnerë mbeturinash, disa prej të cilëve janë përfshirë nga flakët.

Ky është përshkallëzimi i radhës pas disa orësh tensionesh në Prishtinë. Më herët, Policia përdori gaz lotsjellës dhe topin e ujit për të shpërndarë protestuesit, ndërsa nga turma u hodhën mjete piroteknike dhe sende në drejtim të efektivëve.

Protesta vijon ndërsa në Kuvend nuk është arritur marrëveshja politike për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. PDK dhe Vetëvendosja mbeten të ndara edhe pas takimit mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës, i cili nuk prodhoi një dakordësi të bërë publike.

Ndërsa ngërçi politik vazhdon, situata në terren mbetet e tensionuar, me protestues të grumbulluar pranë institucioneve, rrugë të bllokuara dhe forca të shtuara policore në zonë. 50 MINUTA ME PARE Kosova në prag të zgjedhjeve, Specialja bllokon pazarin Kurti-PDK për Presidentin Kuvendi i Kosovës Kuvendi i Kosovës votoi në parim me 91 vota ndryshimet për Gjykatën Speciale, por beteja për votimin në tërësi është lidhur me zgjedhjen e Presidentit. PDK kërkon miratimin përfundimtar të ligjit para marrëveshjes presidenciale, ndërsa LVV kërkon zgjidhjen e dy çështjeve së bashku. Afati kushtetues mbaron më 6 tetor dhe dështimi i zgjedhjes së kreut të shtetit e çon vendin përsëri drejt zgjedhjeve... Kosova ka hyrë në 24 orët që mund të përcaktojnë jo vetëm fatin e Presidentit të ri, por edhe të vetë Parlamentit. Kuvendi miratoi në parim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Të 91 deputetët që morën pjesë votuan pro. Grupi parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim. Por pikërisht pas këtij votimi nisi përplasja politike.

PDK, që propozoi ndryshimet, kërkoi që Kuvendi ta përfnte procedurën brenda 5 tetorit dhe ta votonte projektligjin nen për nen dhe në tërësi në orën 17:30. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk e hodhi mocionin në votim dhe kërkoi që palët të arrinin më parë marrëveshje politike. Deputetët e PDK-së u larguan nga salla.

Në thelb, beteja për Specialen është ndërthurur me betejën për Presidentin.

Bedri Hamza ka deklaruar se PDK është e gatshme të diskutojë marrëveshjen presidenciale pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për Specialen. Albin Kurti, nga ana tjetër, deklaroi në Kuvend se Kosovës i duhen edhe ndryshimet për Gjykatën në Hagë, edhe Presidenti, duke e lidhur funksionimin e strategjisë ndaj procesit në Hagë me stabilitetin institucional të vendit.

PDK publikisht këmbëngul se dy çështjet janë të ndara. Hamza deklaroi më 5 tetor se ligji për Specialen nuk është pjesë e një pazari për poste politike. Por renditja që kërkon PDK është e qartë: fillimisht përfundimi i ndryshimeve ligjore dhe më pas diskutimi për Presidentin.

Kjo është arsyeja pse një projektligj për Gjykatën Speciale është kthyer brenda pak ditësh në çelësin e krizës institucionale të Kosovës.

Pas tij qëndron vendimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli fajtorë në shkallë të parë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Gjykata i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet.

Vetë trupi gjykues ka theksuar se çështja gjyqësore lidhet me veprimet e katër të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së apo objektivin e saj për një Kosovë të pavarur. Por kjo ndarje juridike nuk e ka shmangur përplasjen politike që prodhoi vendimi në Kosovë.

PDK kërkon tani ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara. Votimi me 91 vota në lexim të parë tregoi se iniciativa ka mbështetje të gjerë parlamentare. Por votimi i parë nuk e përfn procedurën. Projektligji duhet të kalojë shqyrtimin në komisione dhe më pas leximin e dytë përpara se ndryshimet të miratohen përfundimisht.

Ndërkohë, përplasja doli nga salla e Kuvendit dhe kaloi në rrugë.

Protestuesit bllokuan hyrjet e Kuvendit dhe kërkuan votimin e menjëhershëm të ndryshimeve. Deputeti i LVV-së Fahrush Rexhepi u kap fizikisht nga protestuesit dhe u kthye brenda hapësirës së Kuvendit. Edhe ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u pengua të largohej dhe u kthye nën shoqërimin e policisë.

Gjatë protestës u hodhën mjete piroteknike dhe u thyen xhama të ndërtesës. Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës pasi protestuesit bllokuan hyrjet dhe nuk lejonin deputetët të largoheshin.

Pra, Kosova nuk ka më vetëm një debat juridik për kompetencat e Gjykatës Speciale.

Ka një krizë politike ku vendimi i Hagës, ligji për Specialen dhe zgjedhja e Presidentit kanë përfunduar në të njëjtën tryezë negociatash.

Dhe këtu numrat bëhen vendimtarë.

Afati për zgjedhjen e Presidentit mbaron më 6 tetor. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 30-ditor para përfundimit të mandatit presidencial është përfundimtar dhe detyrues dhe se dështimi i Kuvendit për të zgjedhur Presidentin aktivizon pasojat kushtetuese që çojnë në zgjedhje të reja.

PDK është kthyer kështu në faktor të domosdoshëm për një marrëveshje që do të siguronte pjesëmarrjen e nevojshme parlamentare. Por deri mbrëmjen e 5 tetorit marrëveshja nuk është arritur.

Edhe tentativa e mëparshme për Bekim Sejdiun dështoi pasi gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesnin kandidaturën e tij, duke e detyruar Sejdiun të tërhiqej.

Kështu, një ditë para afatit, problemi nuk është vetëm se kush do të bëhet President.

Problemi është radha e vendimeve.

PDK kërkon fillimisht votën përfundimtare për ndryshimet ndaj Speciales dhe vetëm më pas marrëveshjen për Presidentin. LVV kërkon që dy proceset të ecin drejt një zgjidhjeje të përbashkët institucionale. Ndërsa jashtë Kuvendit, protesta ka treguar se çështja e Hagës nuk mund të trajtohet më vetëm si debat mes grupeve parlamentare.

Më 6 tetor, Kuvendi duhet të japë përgjigjen.

Nëse partitë nuk gjejnë marrëveshjen që mungoi deri më 5 tetor, debati për Specialen nuk do të ketë bllokuar vetëm zgjedhjen e Presidentit. Ai do të jetë bërë pjesë e mekanizmit politik që e çon Kosovën përsëri në zgjedhje. /Pamfleti/ 1 ORE ME PARE Përshkallëzohen tensionet në Kosovë, policia nxjerr në rrugë ujëhedhëset Vijojnë tensionet Situata para Kuvendit të Kosovës është ashpërsuar më tej. Pas gazit lotsjellës, Policia ka përdorur edhe topin e ujit për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa nga turma janë hedhur mjete piroteknike dhe sende në drejtim të efektivëve. Tensionet vijojnë pas largimit të deputetëve të Vetëvendosjes dhe dështimit të marrëveshjes politike për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Situata para Kuvendit të Kosovës është përshkallëzuar më tej mbrëmjen e sotme. Pas përdorimit të gazit lotsjellës, Policia ka nxjerrë edhe topin e ujit për të shpërndarë protestuesit, ndërsa nga turma janë hedhur mjete piroteknike dhe sende në drejtim të efektivëve.

Pavarësisht ndërhyrjes së Policisë, një grup protestuesish ka vijuar të qëndrojë në afërsi të Kuvendit. Disa prej tyre nuk u janë bindur urdhrave të efektivëve për t'u larguar, ndërsa janë regjistruar edhe përplasje verbale dhe fyerje ndaj zyrtarëve policorë.

Forcat e rendit kanë shtuar praninë në zonën përreth institucioneve, duke përdorur topin e ujit në përpjekje për të larguar turmën dhe për të marrë nën kontroll situatën. Përshkallëzimi vjen pas disa orësh tensionesh para Kuvendit. Protestuesit kishin bllokuar hyrjet dhe daljet, duke kërkuar që deputetët të mos largoheshin pa u votuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Më herët u regjistruan edhe incidente me persona që tentuan të largoheshin nga institucionet. Deputeti i Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, u kap nga protestuesit dhe u kthye drejt Kuvendit, ndërsa tensione pati edhe gjatë largimit të Besnik Bislimit.

Situata u tensionua sërish kur deputetët e Vetëvendosjes nisën të largoheshin nga objekti. Protestuesit vijuan bllokimin, ndërsa Policia ndërhyri fillimisht me gaz lotsjellës dhe më pas me topin e ujit.

Përplasjet në rrugë po zhvillohen paralelisht me ngërçin politik brenda Kuvendit. PDK dhe Vetëvendosja nuk arritën marrëveshje për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. PDK pretendon se Albin Kurti e ka kushtëzuar votimin e ligjit me zgjedhjen e presidentit, ndërsa u ka bërë thirrje deputetëve të rikthehen në Kuvend për votimin përfundimtar.

Në terren, ndërkohë, situata mbetet e tensionuar. Protestuesit vijojnë të qëndrojnë pranë Kuvendit, ndërsa prania policore është shtuar dhe përplasjet kanë kaluar nga bllokimi i hyrjeve në përdorimin e gazit lotsjellës, topit të ujit dhe mjeteve piroteknike. 2 ORE ME PARE Orët e fundit para shpërbërjes së Kuvendit/ PDK thirrje VV-së: Deputetët të kthehen, të votohet Ligji për Specialen Arian Tahiri Nndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, në orët e fundit para shpërbërjes së legjislaturës. Arian Tahiri dhe Vlora Çitaku deklaruan se ligji duhet të miratohet pa kushte, ndërsa sipas PDK-së, marrëveshja me Vetëvendosjen dështoi pasi votimi u lidh me çështjen e presidentit. Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që të rikthehen në Kuvend dhe të votojnë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa koha deri në shpërbërjen e legjislaturës po ngushtohet.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, në një konferencë për media së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku, deklaroi se miratimi i ndryshimeve është përgjegjësi e të gjitha forcave politike dhe e çdo deputeti.

“Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, tha Tahiri. Në të njëjtën linjë, Çitaku kërkoi që ndryshimet të votohen pa u lidhur me procese të tjera politike. Sipas saj, gjatë takimeve mes palëve, Vetëvendosja e ka kushtëzuar votimin e ligjit me zgjedhjen e presidentit.

“Ne kërkojmë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Janë procese të ndara. Si mund të kushtëzosh mbrojtjen e UÇK-së. Është papërgjegjësi politike, historike e kombëtare. Kemi edhe pak orë kohë. Do të jemi këtu. Nuk lëvizim. Shpresojmë të ketë reflektim edhe nga subjektet tjera politike, përkatësisht nga Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi Çitaku.

Thirrja e PDK-së vjen pasi palët nuk arritën një marrëveshje për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas versionit të PDK-së, bisedimet dështuan pasi kryeministri Albin Kurti e kushtëzoi votimin përfundimtar të ligjit me zgjedhjen e presidentit.

Nga Vetëvendosja nuk është paraqitur në këtë material një reagim ndaj pretendimit të PDK-së për kushtëzimin e votës.

Ndërkohë, deputetë të Vetëvendosjes janë parë duke u larguar nga objekti përmes daljes nga Qeveria, në një kohë kur protestuesit kanë rrethuar Kuvendin dhe po përpiqen të pengojnë largimin e ligjvënësve.

Situata është tensionuar edhe në këtë dalje, ku Policia ka përdorur gaz lotsjellës. Protestuesit kërkojnë që deputetët të qëndrojnë në Kuvend dhe të votojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë.

Me marrëveshjen politike të parealizuar dhe me deputetë që kanë nisur të largohen, koha për votimin e ligjit po ngushtohet. PDK deklaron se do të qëndrojë në Kuvend dhe kërkon rikthimin e deputetëve për votimin përfundimtar të ndryshimeve. 2 ORE ME PARE Deputetët e Vetëvendosjes nisin të largohen nga Kuvendi, zbehen shanset për marrëveshje Kurti-Hamza Situatë e tensionuar në Kosovë Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të largohen nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa jashtë institucionit vijojnë tensionet dhe protesta për votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Zhvillimi vjen pasi takimi mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës përfi pa një marrëveshje të bërë publike, duke shtuar pasigurinë për një kompromis mes LVV-së dhe PDK-së. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të largohen nga Kuvendi i Kosovës mbrëmjen e së hënës, pas një dite të gjatë tensionesh brenda dhe jashtë institucionit.

Largimi i deputetëve vjen ndërsa jashtë Kuvendit vijon protesta me kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të votohen përfundimisht. Gjatë pasdites protestuesit kishin bllokuar hyrjet dhe daljet, duke kundërshtuar largimin e deputetëve pa përfunduar votimi i ligjit.

Por zhvillimet e fundit politike kanë zbehur shanset për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë mes Vetëvendosjes dhe PDK-së. Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, përfi pa ndonjë marrëveshje të bërë publike. Menjëherë pas tij, Hamza mblodhi Grupin Parlamentar të PDK-së për të diskutuar situatën.

Në qendër të përplasjes mes dy forcave politike është radha e dy proceseve: votimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Specialen dhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.

PDK-ja kërkon që ndryshimet për Specialen të votohen fillimisht edhe në lexim të dytë dhe më pas të kalohet te çështja e presidentit. Vetëvendosja, nga ana tjetër, ka kërkuar që pas miratimit në parim të ligjit të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe vetëm më pas të rikthehet votimi përfundimtar i ndryshimeve për Specialen.

Koha për kompromis po ngushtohet, pasi afati për zgjedhjen e presidentit përfn më 6 tetor. Në këtë situatë, mungesa e një dakordësie mes Kurtit dhe Hamzës e mban të hapur ngërçin politik.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit situata është tensionuar gjatë gjithë pasdites. Protestuesit kanë kërkuar votimin e ligjit edhe në lexim të dytë, ndërsa në disa raste kanë penguar fizikisht largimin e personave nga zona e institucioneve.

Gjatë protestës janë përdorur edhe mjete piroteknike, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës pas bllokimit të hyrjeve. Deputeti i Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, u kap nga protestuesit teksa tentonte të largohej dhe u kthye drejt Kuvendit. Tensione pati edhe me ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili u pengua të largohej dhe më pas u shoqërua nga policia.

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua në parim me 91 vota pro dhe asnjë kundër, por nuk është votuar ende përfundimisht. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.

Në këto kushte, nisja e largimit të deputetëve të Vetëvendosjes, mungesa e një rezultati të shpallur nga takimi Kurti-Hamza dhe mbledhja e Grupit Parlamentar të PDK-së sinjalizojnë se palët mbeten ende larg një marrëveshjeje, ndërsa afati për çështjen e presidentit po shkon drejt fundit. 3 ORE ME PARE Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve Tensione në Kosovë Situata është përshkallëzuar para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë bllokuar hyrjet dhe kanë paralajmëruar se nuk do t’i lejojnë deputetët të largohen pa u votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Gjatë ditës janë regjistruar përplasje dhe incidente, ndërsa numri i forcave policore është shtuar. Tensione të forta janë regjistruar mbrëmjen e së hënës para Kuvendit të Kosovës, ku Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve që kanë bllokuar hyrjet e institucionit, duke tentuar të pengojnë largimin e deputetëve.

Protestuesit kërkojnë që ligjvënësit të qëndrojnë në Kuvend deri në përfundimin e procedurave për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Me përshkallëzimin e situatës është shtuar edhe prania e forcave policore përreth godinës. Një prej organizatorëve të protestës, Çlirim Haziri, ka akuzuar efektivët se po i nënshtrohen kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ndërsa ka deklaruar se deputetët do të dalin nga Kuvendi vetëm “mbi trupat e tyre”.

Situata ishte tensionuar që gjatë ditës. Protestuesit kanë përdorur mjete piroteknike drejt godinës së Kuvendit, duke shkaktuar edhe thyerjen e disa xhamave. Një tjetër incident është regjistruar kur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, tentoi të largohej nga Kuvendi. Protestuesit e kanë kapur fizikisht dhe e kanë kthyer drejt hapësirës së institucionit.

Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe me ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Protestuesit e kanë penguar të largohej dhe e kanë kthyer drejt godinës së Qeverisë. Më pas, Bislimi dhe efektivët e policisë që po e mbronin janë goditur me ujë nga protestuesit.

Protesta po zhvillohet me kërkesën që Kuvendi të votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Projektligji kaloi në lexim të parë me 91 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa protestuesit kërkojnë përfundimin e procedurës parlamentare dhe miratimin e ndryshimeve.

Me thirrjet për votimin e ligjit, protestuesit kanë vijuar qëndrimin përpara Kuvendit, ndërsa bllokimi i hyrjeve, incidentet me deputetët dhe ndërhyrja e Policisë me gaz lotsjellës kanë sjellë përshkallëzimin e situatës. 3 ORE ME PARE Përfn takimi Kurti-Hamza, asnjë sinjal për marrëveshje; PDK-ja mbledh Grupin Parlamentar Ka përfunduar takimi në Kuvendin e Kosovës mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Takimi mes dy liderëve politikë zgjati rreth dy orë, ndërsa deri më tani nuk është bërë i ditur rezultati i bisedimeve dhe nëse palët kanë arritur ndonjë marrëveshje.

Në takim, Kurti është shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Hamza nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama. Pas përfundimit të takimit, PDK-ja ka mbledhur Grupin Parlamentar për të diskutuar zhvillimet e fundit.

Takimi Kurti-Hamza u zhvillua pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku në qendër të diskutimeve ishte projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja u miratua në parim me 91 vota pro dhe asnjë kundër. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, duke paralajmëruar për atë që e konsiderojnë si rreziqe juridike, politike dhe ndërkombëtare për Kosovën.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit janë grumbulluar qytetarë që kërkojnë votimin e projektligjit edhe në lexim të dytë. Protestuesit kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para institucioneve deri në votimin përfundimtar të tij.

Kurti kishte paralajmëruar gjatë seancës zhvillimin e një takimi të ri me Hamzën. Dy liderët ishin takuar edhe gjatë fundjavës, por nuk ishte bërë e ditur arritja e ndonjë marrëveshjeje.

Sipas raportimeve të Gazetës Express, Kurti ka kërkuar që projektligji për Specialen fillimisht të miratohet vetëm në lexim të parë, më pas Kuvendi të kalojë në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe, pas përfundimit të këtij procesi, projektligji të procedohet në lexim të dytë.

Hamza, nga ana tjetër, sipas të njëjtit raportim, ka kërkuar që projektligji të votohet përfundimisht përpara se Kuvendi të kalojë te votimi për presidentin.

Bisedimet zhvillohen në prag të përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit. Dështimi për përmbylljen e procesit brenda afatit kushtetues do të hapte rrugën për zgjedhje të reja. 5 ORE ME PARE Kosova mes Speciales dhe presidentit, mbyllet seanca e jashtëzakonshme Kuvendi i Kosovës Kuvendi i Kosovës mbylli punimet e seancës së jashtëzakonshme pas miratimit në parim të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Seanca u shoqërua me protestë dhe tensione jashtë godinës, ndërsa beteja politike zhvendoset tashmë te përpjekja për zgjedhjen e presidentit dhe takimi mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës. Janë mbyllur punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, pas një dite të ngarkuar me zhvillime politike brenda sallës dhe protestë jashtë saj, ndërsa vendi hyn në orët vendimtare edhe për një tjetër çështje: zgjedhjen e presidentit të ri.

Në qendër të seancës ishte Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, një nismë e PDK-së që ka bashkuar në votim pjesën më të madhe të deputetëve.

Projektligji kaloi në lexim të parë me 91 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

Përpara se të mbërrinte në seancë, nisma kishte marrë dritën jeshile edhe në Komisionin për Legjislacion. Të nëntë deputetët e pranishëm votuan pro saj, ndërsa përfaqësuesit e LDK-së nuk morën pjesë në mbledhje.

Por zhvillimet brenda Kuvendit u shoqëruan gjatë gjithë paradites me protestë jashtë godinës.

Qytetarë kishin qëndruar që prej mbrëmjes së së dielës në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa të hënën protestës iu bashkuan edhe Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Me thirrjet “Votojeni ligjin”, protestuesit kërkuan nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Gjatë zhvillimit të seancës pati edhe momente tensioni. Protestuesit përdorën mjete piroteknike pranë Kuvendit, ndërsa krismat u dëgjuan edhe gjatë fjalimeve të deputetëve brenda sallës. Mjetet piroteknike u përdorën ndërsa fliste shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, dhe vijuan edhe gjatë fjalës së kreut të PDK-së, Bedri Hamza.

Presioni i protestuesve ishte i qartë: procedura për ndryshimin e ligjit të mos mbetej vetëm në leximin e parë.

Të njëjtën kërkesë e artikuloi edhe PDK-ja brenda Kuvendit. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arian Tahiri, kërkoi përshpejtimin e procedurave, në mënyrë që amendamentet dhe shqyrtimi në komisione të përfnin brenda ditës dhe projektligji të rikthehej në sallë për lexim të dytë në orën 17:30.

Por përtej Speciales, seanca nxori në pah edhe betejën tjetër politike që po zhvillohet në Kosovë.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfn më 6 tetor dhe dështimi për të arritur një marrëveshje politike rrezikon ta çojë vendin drejt një tjetër krize institucionale. Pikërisht këtu ndërthuren dy çështjet që kanë dominuar ditën: Ligji për Specialen dhe presidenti.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Albin Kurti e lidhi nevojën për ndryshimet që kanë të bëjnë me Gjykatën në Hagë me domosdoshmërinë e institucioneve funksionale në Kosovë.

Kurti argumentoi se Kosovës i duhet jo vetëm një strategji për proceset në Hagë, por edhe stabilitet institucional, qeveri funksionale dhe president. Ai paralajmëroi një takim gjatë ditës me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Takimi ishte parashikuar fillimisht për në orën 12:30 në Kuvend, por nuk u zhvillua në atë orar, pasi Kurti vijoi të qëndronte në seancë. Deputetët e PDK-së u larguan përkohësisht nga salla dhe gjatë daljes u raportua edhe një diskutim me tone konfrontuese mes deputetit të PDK-së Përparim Gruda dhe Kurtit.

Më pas deputetët e PDK-së u rikthyen në sallë.

Bedri Hamza e ka bërë të qartë se PDK-ja është e gatshme të diskutojë me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me synimin e deklaruar për të shmangur zgjedhjet e reja. Por PDK-ja e ka lidhur këtë fazë të dialogut politik edhe me përfundimin e procesit për ndryshimet në Ligjin për Specialen.

Kjo e bën 5 tetorin një ditë me peshë të veçantë politike për Kosovën.

Në njërën anë është përpjekja për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, e cila mori një mbështetje të gjerë në leximin e parë dhe nxori qytetarët në protestë para Kuvendit. Në anën tjetër është afati që po skadon për presidentin dhe kërkimi i një marrëveshjeje mes forcave kryesore politike.

Me mbylljen e kësaj faze të punimeve të Kuvendit, vëmendja zhvendoset te hapat e radhës për projektligjin dhe te dialogu politik Kurti–Hamza.

Ora politike për presidentin ndërkohë vazhdon të ecë: afati i fundit është 6 tetori. 6 ORE ME PARE Specialja nuk mbyllet, por i caktohet kufiri; çfarë ndryshon ligji i votuar me 91 vota Kuvendi i Kosovës Projektligji i miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës prek disa prej pikave kryesore mbi të cilat funksionojnë Dhomat e Specializuara: juridiksionin, periudhën dhe territorin ku shtrihet ai, masën e dënimit, vendin e vuajtjes së tij dhe kompetencën e Presidentit për falje… Kuvendi i Kosovës ka hedhur hapin e parë drejt ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke miratuar në parim një projektligj që prek drejtpërdrejt juridiksionin dhe funksionimin e Speciales.

Në votimin e 5 tetorit 2026, projektligji mori 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim. Nismën e ka paraqitur Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa para votimit në seancë ajo mori mbështetje unanime edhe në Komisionin për Legjislacion.

Por votimi i parë nuk e ka ndryshuar ende ligjin. Projektligji duhet të kalojë procedurat parlamentare dhe të rikthehet në Kuvend për votimin nen për nen. Pas votimit në parim, ai duhet të shqyrtohet në 4 komisionet e përhershme të Kuvendit, ku mund të trajtohen edhe amendamente.

Specialja nuk mbyllet, por juridiksioni i saj ngushtohet

Ndryshimi kryesor lidhet me vetë fushën e veprimit të Dhomave të Specializuara. Projektligji synon ta lidhë juridiksionin e Speciales në mënyrë më të ngushtë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, dokumenti 12462.

Sipas formulimit të publikuar të projektligjit, qëllimi është kufizimi i veprimtarisë gjyqësore të Dhomave të Specializuara te pretendimet specifike të këtij raporti. Në tekst përmendet gjithashtu synimi për të parandaluar shndërrimin e Dhomave të Specializuara në një gjykatë të jashtëzakonshme, duke iu referuar nenit 103, paragrafi 7, të Kushtetutës së Kosovës.

Pra, Kuvendi nuk po voton për shuarjen e Speciales. Ndryshimi synon të përcaktojë kufij më të ngushtë brenda të cilëve ajo mund të ushtrojë kompetencat e saj. Një analizë e projektligjit e publikuar më 21 shtator evidenton se propozimi kërkon një lidhje shumë më të drejtpërdrejtë të juridiksionit me pretendimet specifike për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Ndryshon edhe periudha që mund të hetojë Specialja

Projektligji vendos edhe një kufi të ri kohor. Sipas ndryshimeve të propozuara, juridiksioni kohor do të shtrihej nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Ky përcaktim ka rëndësi konkrete, sepse një çështje nuk do të mjaftonte të kishte lidhje me kategorinë e veprave që mbulon ligji. Për të mbetur nën juridiksionin e Speciales, ajo duhet të plotësojë edhe kriterin kohor që vendos projektligji.

Një tjetër ndryshim prek juridiksionin territorial.

Projektligji parashikon që kompetenca e Dhomave të Specializuara të kufizohet te veprat e pretenduara se janë kryer në territorin e Kosovës.

Kështu, nisma ndërhyn njëkohësisht në disa elemente të juridiksionit: te natyra e pretendimeve që mund të trajtohen, te periudha kur pretendohet se është kryer vepra dhe te territori ku pretendohet se ajo ka ndodhur.

Pikërisht kombinimi i këtyre kufizimeve mund të përcaktojë se cilat çështje do të mbeten te Specialja dhe cilat nuk do të konsiderohen më pjesë e kompetencës së saj nëse ndryshimet hyjnë në fuqi.

Dosjet jashtë juridiksionit do t'i kalojnë Kosovës

Projektligji trajton edhe pyetjen se çfarë ndodh me rastet që, pas ndryshimit të kritereve, nuk do të përmbushnin më kushtet për t'u trajtuar nga Dhomat e Specializuara.

Nisma parashikon transferimin te institucionet e Kosovës të rasteve që nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin e ri të Speciales.

Kjo do të thotë se projektligji nuk parashikon thjesht mbylljen e këtyre dosjeve për shkak të humbjes së juridiksionit të Speciales. Ai parashikon bartjen e tyre te institucionet kompetente të Kosovës.

Projektligji përfshin gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Për juridiksionin hapet rruga e ankesës në Gjykatën Supreme

Një ndryshim tjetër prek kontrollin gjyqësor mbi çështjet e juridiksionit.

Projektligji parashikon mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Kjo dispozitë krijon një rol për sistemin gjyqësor të Kosovës në një prej çështjeve më të rëndësishme procedurale: përcaktimin nëse një rast hyn ose jo në juridiksionin e Speciales.

Maksimumi i dënimit, 15 vjet burg

Projektligji nuk kufizohet te juridiksioni. Ai ndërhyn drejtpërdrejt edhe te dënimet.

Një prej ndryshimeve më të rëndësishme parashikon që dënimi maksimal me burgim të jetë 15 vjet.

Sipas tekstit të raportuar të projektligjit, ndryshimi prek nenin 44 të ligjit aktual, që rregullon dënimet.

Ky është një ndryshim me pasoja të drejtpërdrejta, sepse nuk përcakton vetëm se çfarë mund të gjykojë Specialja, por edhe kufirin e dënimit që ajo mund të shqiptojë sipas regjimit të ri ligjor.

Dënimet mund të vuhet në Kosovë

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me vendin ku personat e dënuar do të vuajnë dënimin.

Projektligji parashikon mundësinë që dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të vuhet në territorin e Republikës së Kosovës.

Kjo do të ndryshonte një tjetër element të sistemit të krijuar për funksionimin e Speciales, duke e lidhur ekzekutimin e dënimit drejtpërdrejt me Kosovën.

Presidentit i hapet rruga për faljen

Projektligji prek edhe një çështje tjetër me peshë: faljen presidenciale.

Ndryshimet parashikojnë mundësinë që personat e dënuar me vendim të formës së prerë të përfitojnë nga falja e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës, në nenin 84, pika 29, ia njeh Presidentit kompetencën për faljen e personave të dënuar, në pajtim me ligjin. Sipas kuadrit të përgjithshëm ligjor për faljen, ajo mund të prekë të gjithë ose një pjesë të dënimit, në varësi të kushteve dhe procedurës përkatëse.

Projektligji synon që kjo kompetencë të mund të shtrihet edhe te personat e dënuar përfundimisht nga Dhomat e Specializuara.

Çfarë ndodh me proceset që kanë nisur?

Kjo është një nga pikat më të rëndësishme për të kuptuar efektin real të nismës.

Sipas analizës së dispozitave kalimtare të projektligjit, për rastet në zhvillim parashikohet ruajtja e rregullave ekzistuese deri në fazën e Apelit, ndërsa dispozitat që lidhen me dënimet parashikohen të zbatohen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Deutsche Welle raportoi më 5 tetor se ndryshimet nuk parashikojnë shpërbërjen e Gjykatës Speciale dhe nuk ndalin procedurat e mëtejshme në shkallën e Apelit për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Kjo e bën të rëndësishëm dallimin mes dy çështjeve: kufizimit të juridiksionit të Speciales përmes ligjit të ri dhe efektit konkret që dispozitat kalimtare do të kenë mbi proceset që tashmë kanë kaluar nëpër faza gjyqësore.

Qeveria tha se nuk ka pengesa ligjore për procedimin

Nisma është paraqitur nga PDK-ja më 21 shtator. Më 2 tetor, Qeveria e Kosovës dha opinionin se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për procedimin e projektligjit në Kuvend. Opinioni i Qeverisë përfshinte edhe vlerësimin e përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe ndikimin buxhetor.

Kjo nuk do të thotë se projektligji është tashmë ligj dhe as se çdo çështje juridike që mund të lindë nga zbatimi i tij është zgjidhur. Qeveria është shprehur për procedimin e nismës, ndërsa Kuvendi deri tani e ka miratuar atë vetëm në lexim të parë.

Rezultati politik i votimit ishte i qartë.

Të 91 deputetët që morën pjesë votuan për projektligjin. Nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Sipas raportimeve nga seanca, projektligjin e mbështetën deputetë të Vetëvendosjes, PDK-së dhe AAK-së.

PDK-ja ka kërkuar që procedura të përfjë shpejt dhe që projektligji të kalojë edhe në leximin e dytë. Megjithatë, pas votimit të parë ai duhet të kalojë shqyrtimin në komisionet parlamentare përpara votimit përfundimtar.

Nëse Kuvendi e miraton përfundimisht tekstin në këtë formë, Specialja nuk do të pushojë së ekzistuari. Por ligji do t'i ndryshojë disa prej parametrave kryesorë mbi të cilët ajo vepron: cilat pretendime mund të gjykojë, për çfarë periudhe, për cilin territor, çfarë ndodh me dosjet jashtë juridiksionit, sa mund të jetë dënimi maksimal, ku mund të vuhet ai dhe nëse Presidenti i Kosovës mund të ushtrojë kompetencën e faljes.

Pikërisht këto dispozita, dhe formulimi që do të dalë nga leximi i dytë, do të përcaktojnë efektin real të ndërhyrjes së Kuvendit në ligjin që rregullon Dhomat e Specializuara. 6 ORE ME PARE Kurti kërkoi më shumë kohë për shqyrtim, PDK-ja thirrje që ndryshimi i Ligjit për Specialen të votohet sot! Arian Tahiri Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që procedura për miratim të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen të përfjnë sot brenda ditës.

Tahiri ka propozuar që Projektligji bashkë me amendamentet të votohet nëpër komisione deri në orën 17:30, e pastaj të votohet edhe në seancë në lexim të dytë në Kuvend.

“Propozoj që amendamentet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të mund t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30. Komisioni Funksional, deri në orën 15:30, duhet ta shqyrtojë projektligjin në fjalë. Komisioni Funksional, deri në orën 17:00, pra sot, duhet t’ia paraqesë Kuvendit raportin me rekomandimet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtimin e dytë në seancën plenare. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, ka theksuar Tahiri.

Kjo gjë është kundërshtuar nga ana e LVV-së, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë për të rishikuar çfarë mund të ndryshohet në ligj. 7 ORE ME PARE Vijon protesta në Prishtinë, qytetarët: Do të jemi këtu deri në miratimin final të ligjit për Specialen! Protesta para Kuvendit të Kosovës Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë rreth Kuvendit të Kosovës edhe pasi deputetët miratuan në parim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, deklaroi se tubimi do të vazhdojë deri në përfundimin e votimit të projektligjit në lexim të dytë. Ai u kërkoi pjesëmarrësve të mos largohen dhe të ruajnë qetësinë.

“Këtu nuk ka përfunduar asgjë, këtu sapo ka filluar. Do të presim këtu bashkë derisa të bëhet edhe leximi i dytë e të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Pra, të mos mashtrohet askush se do të largohemi nga këtu derisa të votohet ligji për UÇK-në. Do të qëndrojmë, qëndroni me dinjitet”, tha Haziri.

Protesta është shoqëruar edhe me reagime kundër ministres Donika Gërvalla. Protestuesit e kanë quajtur atë “tradhtare”, ndërsa Gërvalla është parë duke hyrë me nxitim në sallën e Kuvendit.

Kritikat janë drejtuar edhe ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila nuk votoi për ndryshimet e ligjit.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se ndryshimet duhej të merrnin votën e të gjithë deputetëve shqiptarë.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin dhunën.

“Dhuna e dëmton kauzën që të gjithë duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së dhe të çlirimtarëve. Kuvendi votoi në parim Projektligjin, prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që ta ruajnë qetësinë dhe protesta të vazhdojë në mënyrë paqësore”, deklaroi Haxhiu. kosova tensione Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES “Të Pashoq”/ Historia "Vlora-Gysi" dhe fati i Edi Ramës! 30 Shtator 2026, 21:2521:25LIVE UPDATES Ursula Von der Leyen pritet me protesta, tensione dhe përplasje para Kryeministrisë 30 Shtator 2026, 17:5617:56LIVE UPDATES "Të Pashoq": Pas Vlorës e Gysit, e ka radhën Rama! SPAK i detyruar nga partnerët! 23 Shtator 2026, 21:3221:32LIVE UPDATES “Të Pashoq”/ 'Tërmeti' në Hagë, çfarë ndodh tani me ish-krerët e UÇK-së? 16 Shtator 2026, 20:3020:30LIVE UPDATES Nis seanca ndaj ish-krerëve të UÇK, qindra shqiptarë mblidhen në Hagë 16 Shtator 2026, 10:1010:10LIVE UPDATES Minutë pas minute/ 106 ditë rezistencë, protestuesit thirrje SPAK-ut dhe emigrantëve: Reagoni sa nuk është vonë 13 Shtator 2026, 20:5120:51LIVE UPDATES