Harta e korridorit të gazit në Ballkan Takimi i Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut synon të kthejë Korridorin Vertikal nga një projekt politik në një rrjet funksional për transportin e gazit drejt Ballkanit dhe Evropës Qendrore… Ministrat përgjegjës për energjinë të Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mblidhen të marten (6 tetor) për takimin e dytë katërpalësh mbi bashkëpunimin energjetik rajonal, me Korridorin Vertikal të Gazit si një nga çështjet kryesore.
Në takim marrin pjesë ministri grek Stavros Papastavrou, ministrja serbe Dubravka Dedoviç Handanoviç, ministrja bullgare Iva Petrova dhe ministrja e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozinovska.
Bisedimet do të fillojnë në orën 09:00 sipas orës lokale në Pallatin e Serbisë, me pjesëmarrjen e ministrave të 4 shteteve. Agjenda zyrtare mbulon diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit, ndryshimet në tregun evropian të energjisë, ndërlidhjet e gazit dhe energjisë elektrike, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale. Pyetja qendrore është nëse katër vendet mund t'i integrojnë rrjetet e tyre në një sistem funksional që transporton energji nga jugu drejt Ballkanit Perëndimor dhe tregjeve më në veri të Evropës.
Katër qeveritë e nisën këtë format bashkëpunimi më 15 maj 2026 në Athinë. Në deklaratën e përbashkët të atij takimi, ministritë e energjisë të katër vendeve përcaktuan si objektiv forcimin e interkoneksioneve, integrimin e tregjeve dhe heqjen e pengesave për investimet në infrastrukturën energjetike, raporton Indipendent Balkan News Agency.
Por takimi i radhës zhvillohet në një moment politik shumë më delikat.
Vetëm pak ditë më parë, The Wall Street Journal publikoi një investigim mbi aktivitetin e ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes aktivitetit të saj diplomatik, promovimit të gazit amerikan dhe interesave tregtare të grupit grek AKTOR.
Dhe këtu çështja nuk është më vetëm greke. AKTOR ka hyrë tashmë drejtpërdrejt në tregun shqiptar të gazit, ndërsa infrastruktura që po ndërtohet në Ballkan synon pikërisht krijimin e rrugëve përmes të cilave LNG-ja që mbërrin nga SHBA në Greqi mund të shpërndahet drejt veriut. Çfarë është Korridori Vertikal?
Korridori Vertikal nuk është një gazsjellës i vetëm që duhet ndërtuar nga fillimi. Ai është një sistem i përbërë nga terminalet e LNG-së në Greqi, rrjetet kombëtare të gazit, interkonektorët ndërmjet shteteve dhe kapacitetet që mundësojnë lëvizjen e gazit në drejtim të kundërt nga ai tradicional.
Ideja fillestare e bashkëpunimit mes Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë daton nga viti 2016. Më pas në këtë arkitekturë janë përfshirë Moldavia dhe Ukraina, ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut po lidhen me të përmes interkonektorëve të rinj.
Qëllimi është i qartë: gazi që hyn në Evropën Juglindore përmes Greqisë të mos mbetet në tregun grek, por të lëvizë drejt Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Ukrainës, Ballkanit Perëndimor dhe më tej drejt Evropës Qendrore.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ka përcaktuar publikisht Korridorin Vertikal si një projekt që rrit rolin gjeopolitik të Greqisë dhe Bullgarisë, duke i kthyer ato në furnizues të sigurisë energjetike për vendet në veri të tyre. Serbia është një hallkë e rëndësishme e këtij projekti.
Ministria serbe e Energjisë ka bërë të ditur se interkonektori i planifikuar Serbi-Maqedoni e Veriut do të ketë kapacitet rreth 1.5 miliardë metër kub gaz në vit dhe synohet të hyjë në funksion në fillim të vitit 2028. Serbia ka rezervuar gjithashtu 300 milionë metër kub gaz në terminalin LNG të Aleksandrupolit për një periudhë 10-vjeçare.
Sipas Ministrisë maqedonase të Energjisë, me këtë projekt, Maqedonia dhe Serbia mund të bëhen një pjesë e rëndësishme e tranzitit rajonal të gazit natyror. Nga Greqia përmes Maqedonisë dhe Serbisë, në Evropën Qendrore. Lidhja e burimeve jugore të gazit përmes Greqisë me tregjet në Evropën Qendrore hap mundësinë e rrjedhave më të mëdha të tranzitit përmes rajonit.
Për Maqedoninë, kjo do të thoshte një ndryshim në pozicionin e saj actual, nga një vend që përdor kryesisht gazin për nevojat e veta në një vend që mund të jetë pjesë e një korridori rajonal të tranzitit të energjisë. Përveç sigurisë më të madhe të furnizimit, Ministria pret edhe efekte ekonomike përmes përdorimit të infrastrukturës dhe kapaciteteve të tranzitit.
Pra, nuk po diskutohet vetëm një hartë me tubacione, por po ndërtohet tregu ku duhet të shitet gazi që do të hyjë nga jugu.
Ndërtimi në të dyja anët është duke u zhvilluar dhe projekti është planifikuar të përfjë në vitin 2027. Në shtator, u nënshkrua një kontratë për projektimin dhe ndërtimin e seksionit maqedonas të ndërlidhësit të gazit me Serbinë, me vlerë 29,4 milionë euro. Seksioni maqedonas do të jetë 22,4 kilometra i gjatë, do të lejojë rrjedhë dypalëshe dhe do të ketë një kapacitet prej 1,4 miliardë metrash kub në vit.
LNG-ja amerikane
Politika për rritjen e eksporteve amerikane të LNG-së në Evropën Lindore dhe për reduktimin e varësisë nga gazi rus nuk është projekt personal i Kimberly Guilfoyle. Ajo është pjesë e politikës energjetike të administratës amerikane. Greqia përfiton drejtpërdrejt nga kjo strategji, sepse terminalet e saj dhe lidhjet me Bullgarinë e vendosin vendin në pozicionin e portës hyrëse për gazin që duhet të udhëtojë drejt Evropës Juglindore dhe Qendrore.
Por pikërisht në këtë treg ka hyrë fuqishëm AKTOR. Në nëntor 2025, Atlantic SEE LNG Trade, kompani ku AKTOR zotëron 60% dhe DEPA Commercial 40%, nënshkroi marrëveshje afatgjatë me kompaninë amerikane Venture Global për furnizimin me LNG amerikan.
Në qershor 2026, marrëveshja u zgjerua. Sipas njoftimit zyrtar të AKTOR, sasia e kontraktuar u dyfishua nga minimumi 500 mijë tonë në 1 milion ton LNG në vit për një periudhë 20-vjeçare, duke filluar nga viti 2030. Kompania e përllogarit këtë sasi në rreth 1.3 miliardë metër kub gaz në vit.
Kjo sasi nuk është menduar vetëm për Greqinë. Atlantic SEE e ka ndërtuar strategjinë tregtare mbi Korridorin Vertikal dhe tregjet e Evropës Juglindore, Qendrore dhe Lindore. Në janar 2026 kompania nënshkroi edhe marrëveshjen e parë për shitjen e LNG-së amerikane në Ukrainë, me transport përmes Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë. Pra, infrastruktura dhe kontratat po ndërtohen paralelisht.
Në këtë hartë është futur edhe Shqipëria
Më 28 prill 2026, AKTOR LNG USA dhe kompania shtetërore shqiptare ALBGAZ nënshkruan në Tiranë një marrëveshje 20-vjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar të AKTOR, marrëveshja parashikon furnizimin e ALBGAZ me 1 miliard metër kub LNG amerikan në vit, duke filluar nga viti 2030.
Vlera e parashikuar për gjithë periudhën është rreth 6 miliardë dollarë sipas raportimeve të publikuara pas marrëveshjes. Në ceremoninë e Tiranës morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
Guilfoyle e promovoi publikisht marrëveshjen si pjesë të axhendës energjetike të Presidentit Donald Trump dhe si një angazhim që forcon sigurinë energjetike të rajonit.
Pikërisht këtu nis pjesa politike e historisë që ka hapur The Wall Street Journal.
Kush është Christos Marafatsos?
Sipas investigimit të The Wall Street Journal, në qendër të pikëpyetjeve ndodhet Christos Marafatsos, i regjistruar në SHBA si lobist për AKTOR.
Gazeta raporton se Marafatsos ka marrë pjesë në një numër të madh takimesh të ambasadores Guilfoyle me zyrtarë të huaj, deri në atë pikë sa disa prej bashkëbiseduesve e kanë perceptuar si pjesëtar të stafit diplomatik amerikan.
Por ai nuk është diplomat amerikan.
Ai është lobist i regjistruar për kompaninë që po kërkon dhe po siguron kontrata në tregun energjetik që diplomacia amerikane po promovon.
Kjo është edhe pika ku The Wall Street Journal ngre problemin e konfliktit të mundshëm mes një politike shtetërore dhe interesit të një kompanie private.
Promovimi i LNG-së amerikane është politikë e SHBA-së.
Pyetja tjetër është nëse gjatë zbatimit të kësaj politike një kompani e caktuar ka marrë një akses të privilegjuar në aktivitetin diplomatik.
The Wall Street Journal ka raportuar gjithashtu për përdorimin nga Guilfoyle të avionëve privatë dhe për një fluturim që, sipas gazetës, lidhej me drejtues të AKTOR. Ambasada amerikane ka deklaruar se janë respektuar rregullat e Departamentit të Shtetit, ndërsa përfaqësuesit e Guilfoyle dhe AKTOR kanë kundërshtuar pretendimet për sjellje të papërshtatshme.
Pra, deri në këtë fazë kemi një investigim mediatik dhe kërkesa për verifikim institucional, jo një konstatim zyrtar se ambasadorja ka shkelur ligjin apo rregullat diplomatike.
Çështja ka mbërritur në Kongresin amerikan
Pas publikimit të investigimit, çështja nuk mbeti vetëm në faqet e The Wall Street Journal.
Jeanne Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, dhe Gregory Meeks, demokrati kryesor në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkuan Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, shqyrtimin e sjelljes së Guilfoyle.
Ligjvënësit kanë kërkuar informacion për aktivitetin e ambasadores, marrëdhëniet me Marafatsos dhe përdorimin e avionëve privatë.
Kërkesa e tyre nuk provon shkelje nga Guilfoyle, por e zhvendos çështjen nga një investigim gazetaresk në një debat institucional në Uashington.
Dhe historia bëhet edhe më delikate për Greqinë.
The Wall Street Journal ka raportuar edhe për një shkëmbim të tensionuar mes Kimberly Guilfoyle dhe ministrit grek Stavros Papastavrou, pikërisht ministrit që merr pjesë në formatin katërpalësh të bashkëpunimit energjetik.
Sipas versionit të publikuar nga gazeta, gjatë përplasjes Guilfoyle kishte folur për aftësinë e SHBA-së për të ndikuar në rrëzimin e qeverive, ndërsa Papastavrou ishte përgjigjur se qeverinë greke e zgjedhin qytetarët grekë.
Përfaqësuesit e ambasadores e kanë kundërshtuar këtë version. Edhe qeveria greke ka mohuar se është bërë një kërcënim i tillë.
Pikërisht për këtë arsye, kjo pjesë nuk mund të paraqitet si fakt i provuar. Ajo mbetet një episod i raportuar nga The Wall Street Journal dhe i kundërshtuar nga pala e Guilfoyle.
Por politikisht ai ka rëndësi, sepse ministri grek që del në këtë histori është njëkohësisht një nga zyrtarët kryesorë që po negocion arkitekturën e re energjetike të Ballkanit.
Tubacionet janë vetëm gjysma e historisë
Takimi katërpalësh nuk është thirrur për të hetuar Kimberly Guilfoyle, AKTOR apo Christos Marafatsos.
Në tavolinë janë interkonektorët, kapacitetet e transportit, energjia elektrike, investimet dhe siguria e furnizimit.
Por nuk mund të ndahet infrastruktura nga tregu që do ta përdorë.
Nëse Greqia do të kthehet në portën jugore të LNG-së amerikane, dikush duhet ta blejë këtë gaz, dikush duhet ta transportojë dhe dikush duhet të kontrollojë kontratat afatgjata që garantojnë volumet.
AKTOR tashmë ka siguruar përmes Atlantic SEE LNG Trade një kontratë 20-vjeçare me Venture Global për 1 milion ton LNG në vit nga viti 2030. Përmes AKTOR LNG USA ka nënshkruar me ALBGAZ marrëveshjen 20-vjeçare për 1 miliard metër kub në vit. Ndërkohë, kompania po përdor Korridorin Vertikal si bazë të strategjisë së saj për tregjet e Evropës Juglindore dhe Qendrore.
Këto janë kontrata dhe interesa konkretë tregtarë.
Prandaj debati që hapi The Wall Street Journal nuk është nëse Shtetet e Bashkuara duhet të promovojnë gazin amerikan. Administrata amerikane e bën hapur këtë.
Çështja është nëse diplomacia amerikane ka promovuar tregun amerikan të LNG-së në tërësi apo, paralelisht me këtë politikë, një kompani e caktuar ka përfituar një marrëdhënie dhe akses që konkurrentët e saj nuk e kanë pasur.
Për këtë pyetje ende nuk ka një përfundim zyrtar.
Ka një investigim të The Wall Street Journal, mohimet e Guilfoyle dhe AKTOR dhe tashmë një kërkesë nga drejtues demokratë të dy komiteteve të politikës së jashtme në Kongres që Departamenti i Shtetit të shqyrtojë çështjen.
Ndërkohë, tubacionet, terminalet dhe kontratat vazhdojnë.
Dhe për Shqipërinë kjo histori nuk zhvillohet larg. ALBGAZ ka firmosur kontratën 20-vjeçare me AKTOR LNG USA, ndërsa qeveria shqiptare ka hyrë në diskutime për infrastrukturën që duhet ta bëjë funksional përdorimin e gazit.
Korridori Vertikal do të ketë vlerë ekonomike vetëm nëse përmes tij kalojnë volume reale gazi. Kontratat 20-vjeçare janë pikërisht mekanizmi që siguron këto volume.
Kjo është arsyeja pse takimi i katër ministrave dhe investigimi për Guilfoyle, megjithëse janë dy çështje formalisht të ndara, takohen në të njëjtën pikë: te tregu i ri i gazit që po ndërtohet nga Greqia drejt Ballkanit dhe Evropës Qendrore dhe te kompanitë që kërkojnë ta kontrollojnë atë. /Pamfleti/ gazi beograd ambasadore amerikane Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Euro pëson rënie kundrejt dollarit, shkak frika nga borxhi francez! 5 Tetor 2026, 19:4219:42Ekonomi Miliarderët në arrati/ Londra kapitullon, Dubai dhe Milano ndajnë "gjahun" prej 160 miliardësh 5 Tetor 2026, 14:3414:34Ekonomi Bonusi i bebeve ndryshon nga 1 korriku 2027, shteti kalon nga pagesa njëherë në mbështetje mujore deri në 5 vjeç 5 Tetor 2026, 14:1814:18Ekonomi Kursi i këmbimit 5 Tetor 2026, zbuloni me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja për ditën e sotme 5 Tetor 2026, 07:1307:13Ekonomi Manipulimi ekonomik; Shqipëria nuk prodhon, 70% e rritjes vjen nga administrata dhe taksat 4 Tetor 2026, 11:2411:24Ekonomi Euro e dobët përballë lekut, mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 4 Tetor 2026, 07:1207:12Ekonomi

