Dosja “Beqja” veç të tjerave, tregoi se edhe drejtësia e re po demonstron të njëjtat shenja si ajo e vjetra: Një person me dy procese të ndara në të njëjtën strukturë të posaçme (SPAK dhe GJKKO), i akuzuar për grup të strukturuar kriminal, por gjykohet në procese të ndara nga bashkëpunëtorët e tij. Pas 25 muajsh në qeli, gjykata detyrohet ta lirojë, pa mbaruar gjyqi në themel. Ndërsa pritet që gjykata të japë verdiktin për fajësinë e të arresturëve të rëndësishëm, ata po i rikthehen lirisë me truket proceduriale. Kjo situatë e vendos SPAK në pozitë të vështirë para opinionit publik. Duket se arrestimet më së shumti janë bërë për të “shuar urinë” e opinionit publik që besonte tek pafuqia e sturkturave të drejtësisë për të hetuar të paprekshmit. Si pasojë e të parës, të realizohet edhe “gjyqi publik”, në disa raste edhe me vetë materialet që SPAK ose GJKKO ka rrjedh për gazetarët. Gjyqi publik sigurisht që zhvillohet më shpejt se sa gjyqi penal, por 25 muaj janë të mjaftueshme për të përfunduar edhe gjyqin penal e për të vendosur pikën mbi i për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit. LEXO EDHE:Operacion në burgun e Fushë-Krujës, Ramazan Rrajës i gjendet telefon! Dërgohet në SPAK për ekspertizë Me të njëjtën logjikë që u zhvillua gjyqi publik për fajësinë e Beqes, qysh në momentin e arrestimit në 4 korrik 2024, ka nisur “amnistia” e tij në datën 31 korrik 2026, kur gjykata e nxori nga burgu “për shuarje të masës së sigurisë”. Opinioni publik nuk e ndërton narrativën e tij me logjikën e Kodit të Procedurës Penale. Në fakt rasti i Ministrit të Shëndetësisë nuk është i vetmi që tregon se rezultatet e drejtësisë së re nuk janë ato që priteshin. Edhe të akuzuarit për dosjen “Llogaraja” ku është e implikuar edhe zëvendëskryeministrja Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi shpëtuan nga izolimi shtëpiak për t’ju rikthyer jetës normale, me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj tek oficerët e BKH-së. Arsyeja është e njëjtë: Hetimi ose gjykimi nuk kanë përfunduar brenda kohës që parashikon kodi i procedurës penale në Shqipëri. SPAK-u dhe GJKKO-ja kanë detyrimin të demonstrojnë para pritshmërive të opinionit publik shqiptar, të paktën një proces gjyqësor model. Në këtë mënyrë GJKKO-ja, respekton edhe nenin 342 të Kodit të Procedurës Penale i cili thotë se gjykimi duhet të kryhet i pandërprerë. Nga kalendari i deritanishëm, sidomos për çështjet me interes të lartë publik, periodiciteti i seancave në GJKKO, i kapërcen hapësirat një mujore nga njëra tek tjetra. Dosjet e hapura nga struktura e posaçme janë të një interesi të lartë publik dhe zvarritja e tyre “ushqen” bindjen e rrënjosur se pavarësisht propagandës për drejtësinë e re asgjë nuk ka ndryshuar. Në të gjithë botën njihet angazhimi i strukturave të hetimit dhe gjykimit për rastet me interes të lartë publik. Gjyqi ndaj Marine Le Pen, nisi në 30 shtator 2024 dhe përfi më 31 mars 2025 (ishin mbi 20 të pandehur). Por procesi dhe vendimi kualifikohej si shumë i rëndësishëm nga opinion publik, sepse ndikonte drejtpërdrejtë në mundësinë e Le Pen për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale në Francë. Ndërsa hetimi dhe gjykimi i punonjësit të policisë në SHBA, Derek Chauvin, i cili vrau 46 vjeçarin George Floyd, më 25 maj 2020, zgjati vetëm tre javë. Edhe në këtë rast sjellja e strukturave të drejtësisë ishte vendimtare për sigurinë publike të SHBA-së. Arsyet se përse arrestimet e bujshme të zyrtarëve të lartë në Shqipëri shfryhen si tullumbacet mund të jenë të shumta, të natyrave objektive dhe subjektive. Por, disa prej tyre (të artikuluara herë pas here) tashmë duket se janë vërtetuar. Në disa raste SPAK-u dhe GJKKO-ja janë nxituar në arrestimet pa prova të mjaftueshme. Madje këto prova nuk arrijnë ti sigurojnë as gjatë kohës së hetimeve. Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim për 7 muaj e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi është rasti më kuptimplotë i kësaj praktike. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka konsideruar se arrestimi është kryer pa prova të mjaftueshme. Thoma Gëllçi ka fituar pafajësinë. Komoditeti që SPAK-u i krijon vetes për të punuar qetë me të dyshuarin në paraburgim do të justifikohej nëse provat do të siguroheshin, madje brenda afateve ligjore, por rastet po tregojnë që “qetësia” e SPAK-ut shkon përtej këtyre afateve. As gjykata që duhet të kontrollojë ecurinë e hetimeve, nuk e prish “rehatinë” e SPAK-ut. Në disa raste arrestimet kryhen me shpresën se provat do të vijnë nga shtetet ku është shtrirë veprimtaria kriminale e të dyshuarit. Por, edhe nëse kjo është e vërtetë, mbase do të ishte mirë që edhe arrestimet të realizohen pasi të vijnë provat. Strukturat e posaçme nuk mund të ecin sipas parimit “peshku në det e tigani në zjarr”. Nëse arrestimet kanë qenë të nxituara dhe rezultatet e hetimeve përgjatë kohës së paraburgimit nuk kanë qenë atë që priteshin, “shuarja” e masave të sigurisë duket si një “reflektim pendues” për nxitimin e vendimit të arrestimit. Për të gjitha këto dinamika duket se më shumë se sa tek SPAK-u, “topi është në duart e GJKKO-së”, e cila ka detyrimin procedurial për të kontrolluar cilësinë e hetimeve në çdo fazë të tij. Gjykata nuk mund të mjaftohet duke evidentuar shuarjen e masave të sigurisë, pa reflektuar për rrethanat që çuan aty. Nëse nuk kontrollojnë dot strukturën hetimore, do të vërtetojnë se jemi në ‘republikën e prokurorëve’. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Zylyftar Bregu spak GJKKO drejtesia ilir beqaj Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
23 Gusht, 08:55
Si po menaxhohet situata me zjarret? Mirë 61.3% Keq 30.3% Nuk e di 8.4% Vota total: 1268 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 23 Gusht, 08:55 Si po menaxhohet situata me zjarret?

