Lajme Zone
Takimi me Ambasadorin e ri të SHBA-së, ministri Hoxha: Forcim i partneritetit strategjik, zgjerim i mundësive në ekonomi dhe investime
PolitikëTop Channel

Takimi me Ambasadorin e ri të SHBA-së, ministri Hoxha: Forcim i partneritetit strategjik, zgjerim i mundësive në ekonomi dhe investime

Ministri i punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur në një takim Ambasadorin e ri Amerikan në Shqipëri, Eric Wendt.

Ministri i punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur në një takim Ambasadorin e ri Amerikan në Shqipëri, Eric Wendt. Pas takimit, Hoxha ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku shkruan:

“Një kënaqësi e veçantë të mirëpres Ambasadorin Eric Wendt në Shqipëri dhe në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në takimin tonë të parë.

Shtetet e Bashkuara mbeten një nga partnerët strategjikë më të afërt dhe më të çmuar të Shqipërisë. Marrëdhënia jonë mbështetet në vlera të përbashkëta demokratike, në një partneritet të fortë të sigurisë brenda NATO-s dhe në një miqësi të kahershme mes popujve tanë. Gjurmët e Shteteve të Bashkuara në momente kyçe dhe përcaktuese të historisë së Shqipërisë janë të pashlyeshme dhe mbeten një themel i fuqishëm për partneritetin tonë strategjik, të fortë dhe gjithnjë e më të thelluar.

Pres të punojmë ngushtë së bashku për të thelluar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, përfshirë për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe të investimeve, për të forcuar bashkëpunimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për t’iu përgjigjur sfidave globale që kërkojnë koordinim të ngushtë mes aleatëve.

Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si përparësia jonë kryesore kombëtare, dhe një partneritet i fortë e i qëndrueshëm transatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje. Mbetemi plotësisht të angazhuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve tona transatlantike në vitet që vijnë.

I uroj Ambasadorit Wendt çdo sukses në misionin e tij dhe pres me kënaqësi një bashkëpunim të afërt, produktiv dhe të qëndrueshëm”. Top Channel