Lajme Zone
Shakaxhiu i Integrimit
PolitikëPamfleti

Shakaxhiu i Integrimit

Pa dashur, na bëri një nder. Na kujtoi Nolin.

Karikatura Pamfleti / Fan Noli shkroi “Shakaxhiun e Përparimit” për Shqipërinë e një shekulli më parë. Edi Rama po shkruan prej vitesh “Shakaxhiun e Integrimit”. I pari përpiqej ta nxirrte Shqipërinë nga prapambetja, i dyti sillet sikur e gjithë bota pret atë... Fan Nolin dhe Edi Ramën mund t'i vendosësh përballë njëri-tjetrit vetëm po të kesh një sens humori të zhvilluar, jo si ai që demonstron kryeministri ynë nëpër samitet ndërkombëtare. Megjithatë, një deputete socialiste naive, së cilës lideri duket se i ka hedhur prej kohësh “trutë e bullarit”, e rankoi Edi Ramën më lart se Fan Nolin.

Pa dashur, na bëri një nder. Na kujtoi Nolin.

Sapo të kujton Nolin, të kujton “Shakaxhiun e Përparimit”. Prej aty deri te “Shakaxhiu i Integrimit” duhet vetëm të shohësh Edi Ramën në një samit ndërkombëtar.

Noli ishte prift, shkrimtar, përkthyes, diplomat, politikan dhe kryeministër. Përktheu Shekspirin, Servantesin, Ibsenin e autorë të tjerë, ndërtoi institucione fetare shqiptare dhe përfaqësoi Shqipërinë në diplomaci. Rama ka gjithashtu një raport të fortë me artin dhe fjalën publike, por vitet e fundit ka kultivuar një personazh kontrovers: kryeministrin shqiptar që hyn në sallonet e diplomacisë ndërkombëtare dhe sillet sikur protokolli është shkruar vetëm që ai ta thyejë.

Noli përdorte satirën për të goditur politikën. Rama përdor politikën për të prodhuar satirë. Ky është ndryshimi.

Në maj të vitit 2025, kur Tirana priti udhëheqësit e Komunitetit Politik Evropian, Rama u ul në gjunjë përpara Giorgia Melonit, e prezantoi kryeministren italiane si “mbrojtësen” e Shqipërisë dhe foli në emër të “popullit” të protektoratit të saj. Emmanuel Macronit iu drejtua me “Madhëria Juaj” dhe e prezantoi si “Mbretin Diell”, ndërsa Keir Starmerin e bëri përgjegjës për shiun që binte. Liderët qeshën. Kamerat regjistruan. Kryeministri shqiptar kishte marrë për kot.

Ndoshta Macroni nuk kishte dëgjuar për Fan Nolin. Po ta kishte lexuar, mund t'i kishte shkuar mendja te Shakaxhiu i Përparimit. Vetëm se shakaxhiu ynë ka ndryshuar. Nuk merret me përparimin. Merret me integrimin.

Prej vitesh Rama ironizon Evropën, burokracinë, vonesat dhe frikërat e saj, mënyrën se si ajo sillet me Ballkanin. Disa prej kritikave të tij meritojnë debat serioz, sepse Bashkimi Evropian e ka zvarritur procesin e zgjerimit dhe ka ndryshuar disa herë klimën politike rreth tij. Problemi nis kur kritika shndërrohet në një teatër të përhershëm dhe kryeministri i një vendi të vogël që ende negocion të hyjë në BE fillon t'u shpjegojë gjermanëve dhe francezëve se si duhet ta drejtojnë Evropën.

Shakaxhiut të Integrimit nuk i mjafton më Brukseli. Ai mendon edhe për Moskën.

Në qershor të këtij viti, Rama deklaroi se udhëheqësit evropianë duhet të flasin me Rusinë për mënyrën se si mund të përfjë lufta në Ukrainë. Ai foli për nevojën e një përpjekjeje diplomatike dhe për mënyrën se si Evropa duhet ta trajtojë konfliktin.

Në një kontinent ku presidentë, kryeministra, gjeneralë, diplomatë dhe shërbime inteligjence përpiqen prej vitesh të gjejnë formulën mes mbështetjes për Ukrainën, frenimit të Rusisë dhe një rruge drejt paqes, Edi Rama e ka gjithmonë gati një zgjidhje.

Ka edhe për Turqinë e Greqinë. Aq sa para ca kohësh, darkën e hante me Rexhepin dhe mëngjesin me Qirjakon.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Athinës kanë mekanizmat e tyre të drejtpërdrejtë, dialogun politik, masat e ndërtimit të besimit dhe Këshillin e Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë. Erdogan dhe Mitsotakis zhvilluan në shkurt 2026 takimin e gjashtë të këtij mekanizmi dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për vazhdimin e dialogut.

Kjo nuk e pengon kryeministrin shqiptar të kultivojë figurën e njeriut që mund të flasë me të dy, që e njeh Erdoganin, që komunikon me Mitsotakisin, që njeh Brukselin, që kupton Ballkanin, që mund të japë një dorë këtu, një këshillë atje dhe, po të krijohet rasti, ndoshta edhe një batutë që t'i pajtojë të gjithë.

Kështu ndërtohet dalëngadalë “lideri global”. Dhe, siç thotë me të drejtë Linda e tij: “Shqipëria është shumë e vogël për Edin tonë”.

Atij i duhet Evropa. I duhet Ukraina. I duhet Rusia. I duhen Turqia dhe Greqia. I duhen Macroni, Meloni, Starmeri, Trumpi etj., etj.

Noli kërkonte ta bënte të njohur Shqipërinë në botë. Rama kërkon ta fusë botën në axhendën e vet.

Noli përpiqej t'i tregonte shqiptarit sa larg ishte vendi nga Evropa. Shakaxhiu i Integrimit ka zgjedhur një rrugë më të shkurtër: i tregon Evropës sa gabim e ka ajo.

Këtu satira pushon së qeni vetëm satirë.

Edi Rama nuk erdhi dje në pushtet. Ai drejton qeverinë shqiptare që prej vitit 2013. Pas gjithë këtyre viteve, Shqipëria vazhdon procesin e anëtarësimit dhe vetë Rama deklaron se synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

Ndoshta këtu qëndron edhe ndryshimi cinik mes dy figurave.

Fan Noli pati një Shqipëri tepër të madhe për mundësitë që kishte.

Edi Rama duket se ka një Shqipëri tepër të vogël për iluzionet e tij.

Noli nuk kishte nevojë që deputetët e tij ta shpallnin të madh. Vepra e tij mbeti dhe historia flet për të. Rama jeton në një sistem politik ku edhe një deputete rastësore mund të ngrihet një mëngjes, t'i hedhë një sy historisë dhe të zbulojë se kryetari i saj ia ka “futur” edhe Nolit.

“Trutë e bullarit” e kanë këtë efekt. Të bëjnë jo vetëm të adhurosh bariun, por edhe të bindin se para tij nuk kishte kullotë.

Zot na ruaj natën, se ditën shohim vetë!/Pamfletishakaxhiu i integrimit xhakaxhiu i përparimit edi rama fan noli Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Vlora dhe ‘strategjia e maces së ngordhur’ 29 Shtator 2026, 12:0512:05Editorial Presidenti që “u tërhoq zvarrë” nga Kosova 28 Shtator 2026, 11:3811:38Editorial Pse është trembur Edi Rama? 27 Shtator 2026, 19:2619:26Editorial Pse Edi Rama e sulmoi presidentin Joe Biden? 26 Shtator 2026, 11:5411:54Editorial Radarët e Vlorës dhe dritat e Librazhdit! 25 Shtator 2026, 11:1211:12Editorial Edi Rama ka “vdekur”, por nuk ka kush e varros... 24 Shtator 2026, 11:4511:45Editorial