Protesta në Spanjë Kriza e strehimit, rritja e Vox-it, situata e pazgjidhur në Ceuta dhe politika e Donald Trump mund të ndikojnë ndjeshëm në votimin e 29 nëntorit… Spanjollët kanë tetë javë për të vendosur nëse kryeministri socialist Pedro Sanchez do të vazhdojë mandatin e tij pas 8 vitesh në pushtet, apo vendi do të kalojë nën drejtimin e së djathtës, potencialisht në një koalicion ku përfshihet edhe partia e djathtë radikale Vox.
Sipas një analize të Politico, protestat kombëtare për krizën e strehimit shërbyen si nxitësi i menjëhershëm i zgjedhjeve të parakohshme, por rezultati pritet të ndikohet edhe nga raportet mes partive kryesore dhe forcave në skajet e spektrit politik, kriza migratore në Ceuta dhe zhvillimet ndërkombëtare.
Aleancat parlamentare
Partia Socialiste e Sanchezit dhe Partia Popullore e qendrës së djathtë, e drejtuar nga Alberto Nunez Feijoo, pritet të mbeten pa shumicë absolute. Sondazhet e cituara nga Politico e vendosin PP-në rreth 34 për qind, socialistët në 26 për qind dhe Vox-in rreth 18 për qind.
Feijoo është shprehur i gatshëm të qeverisë me Vox-in, me të cilin PP bashkëqeveris tashmë në disa rajone. Sánchez, ndërkohë, do të duhet të rindërtojë një shumicë me forcat e majta, rajonale dhe separatiste, siç bëri pas zgjedhjeve të vitit 2023. Këtë herë kjo rrugë paraqitet më e vështirë për shkak të dobësimit të aleatëve të tij në të majtë dhe rënies së Sumar-it.
Rritja e rolit të Vox-it
Gjatë dekadës së fundit, Vox ka kaluar nga një forcë periferike në një parti që mund të bëhet pjesë e qeverisë kombëtare. Bashkëpunimi i saj me PP-në në nivel rajonal ka sjellë politika më të ashpra për migracionin, kundërshtim ndaj disa politikave të gjelbra të Bashkimit Evropian dhe ndryshime në politikat për dhunën ndaj grave dhe mbrojtjen e komunitetit LGBTQ+. Në zgjedhjet e vitit 2023, Sanchez e përdori mundësinë e një qeverie PP-Vox për të mobilizuar votuesit. Politico vlerëson se kjo strategji mund të ketë më pak efekt tani, pasi Vox ka zgjeruar përfaqësimin politik dhe bashkëpunimi i saj me PP-në është bërë më i zakonshëm.
Megjithatë, PP duhet të ruajë ekuilibrin: afrimi i hapur me Vox-in mund të largojë votuesit e moderuar, ndërsa një rezultat më i dobët i PP-së do t'i jepte Vox-it më shumë ndikim në një koalicion të mundshëm.
Ceuta dhe hetimet për korrupsion
Kriza migratore në Ceuta mbetet një çështje e pazgjidhur. Mijëra migrantë ndodhen ende atje pas fluksit masiv që ngriti pikëpyetje për gatishmërinë e autoriteteve spanjolle dhe marrëdhëniet me Marokun.
Vizita e planifikuar e Mbretit Felipe VI në Ceuta dhe Melilla mund të shkaktojë tensione të reja me Rabatin, i cili i pretendon të dy territoret. Një fluks i ri migrantësh mund ta zhvendosë fushatën drejt sigurisë kufitare dhe mbrojtjes kombëtare.
Një tjetër faktor janë hetimet që prekin persona të afërt me kryeministrin. Bashkëshortja e Sanchezit, Begona Gomez, përballet me gjyq për akuza që lidhen me trafik ndikimi dhe përvetësim. Edhe ish-kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero është nën hetim për akuza që përfshijnë trafik ndikimi, organizatë kriminale dhe falsifikim dokumentesh. Të dy mohojnë akuzat. Kriza e strehimit dhe protestat
Sanchez argumenton se gjatë qeverisjes së tij Spanja është bërë ekonomia me rritjen më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe ka udhëhequr në krijimin e vendeve të punës.
Megjithatë, rritja ekonomike dhe punësimi rekord nuk janë reflektuar njësoj në financat e familjeve. Inflacioni ka tejkaluar rritjen e pagave, ndërsa kostot e strehimit janë rritur ndjeshëm.
Lëvizjet për të drejtat e qiramarrësve kanë organizuar protesta dhe kampe proteste në qytetet kryesore. Sindikata Spanjolle e Qiramarrësve kërkon kontrata qiraje me afat të pacaktuar, ulje të detyrueshme të qirave, ndalimin e dëbimeve dhe blerjeve spekulative, si edhe zgjerimin e fondit të banesave publike.
Mbështetja ose jo e këtyre kërkesave nga partitë mund të ndikojë te pjesëmarrja në zgjedhje, veçanërisht mes votuesve të majtë.
Faktori Trump
Politika e jashtme zakonisht nuk përcakton zgjedhjet spanjolle, por këtë herë mund të ketë një rol më të madh. Sipas sondazheve të cituara nga Politico, mbështetja për Sánchez është rritur kur ai është përplasur me presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për konfliktet në Gaza dhe Iran.
Marrëdhënia me Trump është më e ndërlikuar për PP-në, e cila tradicionalisht mbështet një politikë të jashtme më atlantiste dhe më të afërt me Uashingtonin. Një sondazh i POLITICO-s tregonte se 51 për qind e të anketuarve spanjollë e konsideronin SHBA-në një “kërcënim” për Evropën.
Edhe qëndrimi hapur pro-MAGA i Vox-it ka krijuar tensione me disa pjesë të elektoratit të tij. Sipas analizës, operacionet ushtarake amerikane kanë ndikuar në rritjen e kostove të karburanteve dhe plehrave kimike, duke prekur veçanërisht votuesit ruralë. Përplasjet e Trump me Papa Leo XIV dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni kanë krijuar gjithashtu pakënaqësi mes disa mbështetësve konservatorë.
Në këtë mënyrë, zgjedhjet e 29 nëntorit pritet të përcaktohen jo vetëm nga ekonomia dhe strehimi, por edhe nga aftësia e partive për të ndërtuar aleanca dhe nga zhvillime jashtë kufijve të Spanjës. /Përshtati Pamfleti/ spanje zgjedhje gara screenshot 22 screenshot 23 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Detaje nga incidenti i FlyDubai, Izraeli ishte gati të rrëzonte avionin me mbi 170 persona në bord 5 Tetor 2026, 19:4119:41Rajoni dhe Bota AI përdoret kundër eurodeputeteve: 46 gra shënjestër e pornografisë “deepfake” 5 Tetor 2026, 19:2819:28Rajoni dhe Bota A po përballet Putini me një “Çernobil” të ri? 5 Tetor 2026, 19:1519:15Rajoni dhe Bota Horror në Moskë/ Veterani rus vrau nënë e bijë, trupat i copëtoi me makinë grirëse 5 Tetor 2026, 18:3618:36Rajoni dhe Bota Rast i dyshuar i murtajës në Rusi, rreth 200 persona nën monitorim; SHBA-BE në alarm 5 Tetor 2026, 17:2117:21Rajoni dhe Bota Misioni sekret për djalin e presidentit/ FBI zbërthen operacionin e dyshuar kinez në zemër të SHBA 5 Tetor 2026, 16:5916:59Rajoni dhe Bota

