Sokrat Lipan, i njohur me aliasin “Vata”, i dyshuar për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ka dhënë deklarimet e para para grupit hetimor, duke paraqitur versionin e tij mbi mënyrën se si nisi konflikti dhe si përfi përplasja me 21-vjeçarin.
Sipas dëshmisë së të dyshuarit, gjithçka ka nisur fillimisht mes disa turistëve, të cilët, sipas tij, ndodheshin nën efektin e alkoolit. Vata pretendon se ka ndërhyrë për t'u kërkuar të qetësoheshin, pasi në ambientet e lokalit kishte edhe persona të tjerë.
Por situata, sipas versionit të tij, ka dalë jashtë kontrollit dhe shumë shpejt konflikti verbal është kthyer në përleshje fizike.
Pika më e fortë e dëshmisë së Vatës lidhet me thikën që shkaktoi vdekjen e të riut portugez. Para hetuesve, ai ka mohuar se e kishte me vete armën e ftohtë dhe ka pretenduar se thika i përkiste viktimës.
Sipas tij, gjatë përleshjes ia ka marrë thikën 21-vjeçarit dhe më pas e ka goditur me të. “Thika me të cilën u vra 20-vjeçari portugez ishte e viktimës”, ka deklaruar Vata. Pas ngjarjes, sipas të dhënave të hetimit, Vata është ndihmuar nga një prej truprojave të lokalit “Principotes” për t'u larguar nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë, deklarimet e Sokrat Lipanit përbëjnë vetëm versionin e tij dhe nuk janë provuar ende nga hetimi.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, me synimin për të rindërtuar të gjithë dinamikën e konfliktit.
Nga pamjet e administruara deri tani janë evidentuar momentet e para të përplasjes, por ato nuk japin një panoramë të plotë të asaj që ka ndodhur më pas.
Lëvizja e shumtë e personave dhe kaosi i krijuar gjatë përleshjes e kanë vështirësuar ndjekjen e ngjarjes. Ndërkohë, momenti kur 21-vjeçari është goditur me thikë nuk është regjistruar qartë, pasi vendi ku dyshohet se ka ndodhur goditja ndodhet në një distancë nga kamerat dhe errësira e bën edhe më të vështirë identifikimin e detajeve.
Hetuesit po punojnë për të bashkuar dëshmitë, pamjet filmike dhe provat e tjera të mbledhura në vendngjarje, për të përcaktuar se kush e nisi konfliktin dhe çfarë ndodhi në sekondat që çuan në goditjen fatale.
21-vjeçari portugez kishte mbërritur në Shqipëri rreth një javë më parë së bashku me disa miq, për të kaluar pushimet në Ksamil. Pushimet e tij përfunduan tragjikisht pas përplasjes që i mori jetën.
Ndërkohë, trupi i të riut vijon të qëndrojë në morg, pasi deri tani familjarët e tij nuk janë paraqitur pranë autoriteteve shqiptare për të kryer procedurat e tërheqjes së trupit.

