Shqipëria ka mbyllur kapitullin e katërt në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Gjatë konferencës ndërqeveritare me BE-në, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një tjetër hap përpara në rrugën drejt integrimit, duke theksuar se objektivi i qeverisë është të përshpejtojë procesin dhe të mbyllë të paktën dyfishin e kapitujve brenda këtij viti. Në fjalën e tij, Rama falënderoi Presidencën irlandeze, komisioneren europiane Marta Kos dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian për mbështetjen e dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit. Kreu i qeverisë theksoi se mbyllja e kapitullit 20 përbën një vlerësim për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, ndërsa bëri të ditur se ky është kapitulli i katërt që mbyllet brenda pak muajsh. “Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në vendin e saj në Bashkimin Evropian. Mbyllja e kapitullit 20 është një njohje për reformat e ndërmarra nga Shqipëria. Ky kapitull bëhet i katërti që mbyllet brenda pak muajsh. Ne duam së paku të bëjmë 2-fish. Kështu që le ta tundim këtë shtëpi, le ta bëjmë realitet. Sigurisht ne jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, e dimë që progresi matet mbi të gjitha me reformat e kryera. E dimë që kemi ende rrugë të gjatë përpara. Në të njëjtën kohë pres me padurim të mbahet samiti i ardhshëm i planit të rritjes dhe deri atëherë do kemi bërë edhe më shumë progres”, tha Rama.
