Pamje nga Protesta e studentëve të Tiranës. 13.10. 2026 / Revolta e studentëve dhe kufijtë e pushtetit të Edi Ramës... Shpërthimi i protestës përpara Ministrisë së Arsimit ngre një pyetje që shkon përtej pakënaqësive universitare. Një brez që nuk gjen më veten as te qeveria, as te opozita, po shpreh zemërimin ndaj një sistemi politik që prej dekadash riprodhon të njëjtët njerëz dhe të njëjtat marrëdhënie pushteti. Edi Rama, si kryeministri që drejton vendin prej vitit 2013, mban përgjegjësinë kryesore politike për gjendjen e sotme. Zemërimi që nuk lind brenda një dite. Grumbullohen në heshtje, ushqehet nga zhgënjimet e njëpasnjëshme, derisa një shkëndijë e vogël mjafton për t'i nxjerrë në sipërfaqe. Revolta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit duket se mbart pikërisht këtë ngarkesë. Pas saj qëndron një pakënaqësi që i ka kapërcyer prej kohësh muret e universiteteve dhe që sot po kërkon llogari nga e gjithë klasa politike shqiptare.
Të rinjtë që kanë dalë në rrugë nuk kanë kujtime nga fillimet e tranzicionit. Ata kanë lindur mes premtimeve për Europën, demokracinë dhe mirëqenien, ndërsa janë rritur duke parë të njëjtët njerëz që ndërrojnë karriget, por krej rrallë zakonet. Për ta, tranzicioni nuk është më një periudhë historike. Është një trashëgimi që ua kanë lënë në derë, bashkë me pasigurinë për të nesërmen dhe tundimin e përhershëm për t'u larguar nga vendi.
Në krye të kësaj piramide qëndron sot Edi Rama. Trembëdhjetë vjet në pushtet janë më shumë se një mandat politik. Janë një pjesë e konsiderueshme e jetës së një brezi. Rama e ka pasur mjaftueshëm kohën, shumicën parlamentare dhe instrumentet e shtetit për të përmbushur premtimet me të cilat erdhi në qeveri. Sot nuk mund të kërkojë që shqiptarët ta gjykojnë ende për atë që premtoi në vitin 2013, por për atë që ka bërë gjatë trembëdhjetë viteve që pasuan.
Sigurisht, përgjegjësia për gjendjen e vendit nuk fillon me Edi Ramën. Politika shqiptare ka një histori të gjatë pushtetesh që kanë ushqyer njëri-tjetrin, edhe kur janë paraqitur si kundërshtare të papajtueshme. Mirëpo, e kaluara nuk mund të shërbejë si strehë për të tashmen. Kush ka qeverisur për trembëdhjetë vjet nuk mund të vazhdojë të sillet si opozitar i paraardhësve të vet.
Këtu qëndron edhe kuptimi më i thellë i revoltës. Studentët nuk po kërkojnë thjesht që një parti t'ia lërë vendin një tjetre. Nga deklaratat e tyre del një mosbesim që përfshin të dyja anët e politikës. Ata po kundërshtojnë një rreth të mbyllur, ku pushteti dhe opozita luftojnë për karrige, ndërsa qytetarëve u kërkojnë të presin edhe katër vjet të tjera. Është një lodhje që nuk matet me numrin e protestuesve, por me arsyet që i kanë nxjerrë në rrugë.
As opozita nuk ka përse ta lexojë këtë zemërim si një dhuratë politike. Pakënaqësia ndaj Ramës nuk përkthehet vetvetiu në besim ndaj atyre që kanë qeverisur përpara tij. Një brez që nuk u beson më premtimeve nuk mund të fitohet me parulla të ricikluara. Aq më pak me fytyra që prej dekadash i ofrojnë Shqipërisë të ardhmen duke i treguar vazhdimisht të shkuarën.
Edi Rama, megjithatë, ka një përgjegjësi tjetër, shumë më të drejtpërdrejtë. Ai është sot njeriu që mban çelësat e pushtetit. Dhe pushteti, sidomos kur zgjat shumë, ka një prirje të rrezikshme: fillon ta ngatërrojë durimin e qytetarëve me miratimin e tyre. Duartrokitjet e oborrit politik krijojnë iluzionin se gjithçka vazhdon si më parë, derisa zërat që vijnë nga rruga ua prishin qetësinë sallave të pushtetit.
Protesta e studentëve nuk është ende një lëvizje që mund të pretendojë se përfaqëson gjithë rininë shqiptare. As dhuna ndaj institucioneve nuk mund të marrë legjitimitet nga zemërimi. Megjithatë, do të ishte një gabim politik që pas kangjellave të shkulura të mos shiheshin arsyet e revoltës. Sepse hekuri mund të zëvendësohet brenda një dite, ndërsa besimi kërkon vite për t'u rikthyer.
Historia politike njeh njerëz që kanë ditur të ngjiten në majë, por shumë më pak që kanë kuptuar se kur duhet të zbresin. Pushteti i gjatë ua zbeh politikanëve ndjesinë e kohës. Ata fillojnë ta matin jetën e vendit me mandatet e tyre dhe të ardhmen e qytetarëve me jetëgjatësinë e pushtetit.
Edi Rama nuk mund ta ndalë kohën, sado gjatë të qëndrojë në krye të qeverisë. Një brez i ri po kërkon vendin e vet në Shqipëri dhe ka të drejtë të mos e lidhë fatin me jetëgjatësinë politike të askujt.
Sepse në politikë, si në jetë, mençuria nuk qëndron vetëm te aftësia për të marrë pushtetin, por edhe te vetëdija për kufijtë e tij./Pamfleti i lumi ai që e kupton se kur është mjaft gjergj zefi 1 Komente F Feti Dema 13 Tetor 2026, 15:58 Gjergj! A thua se Edi Rama e ka në dorë të vetvendos se kur do iki? E solli Fatosi nga Frenca dhe tashti duhet ta lëshoi Izraeli. Ndoshta ka akoma detyra pa i zbatuar. Bashkëpunëtorët e tij ndoshta i luten me lotë në sy: Kumandant mos na braktis. Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial A po e përgatit Andy Burnham kthimin e Britanisë në shtëpi? 13 Tetor 2026, 12:1312:13Editorial E majta shqiptare, kriza identitetit dhe humbja e arsyes 11 Tetor 2026, 11:2511:25Editorial Dimri i madh... 10 Tetor 2026, 19:0819:08Editorial Kartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane 9 Tetor 2026, 13:4813:48Editorial Trump, ëndrra e madhe dhe Amerika e vogël 9 Tetor 2026, 10:4710:47Editorial Rama sn, Berisha i mban kurorën 8 Tetor 2026, 19:0619:06Editorial

