Një studente e vitit të tretë Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një problem që, sipas saj, është i përsëritur në disa sezone provimesh dhe prek edhe studentë të tjerë.
Studentja thotë se në muajin qershor ishte regjistruar në sistem për provimin e lëndës “Procedurë Civile”, por në ditën e provimit nuk është lejuar të hyjë, pasi i është komunikuar se emri i saj nuk rezultonte në sistem.
Sipas saj, e njëjta situatë është përsëritur edhe në provimin e radhës. Studentja thotë se ishte regjistruar në sistem rreth dy javë përpara datës së provimit, por kur është paraqitur për ta zhvilluar atë, është informuar se nuk figuron e regjistruar dhe është nxjerrë jashtë ambienteve të provimit.
“Jam regjistruar në sistem gati dy javë më përpara. Shkoj për të dhënë provim dhe më thonë që emri im nuk rezulton në sistem. Më nxjerrin nga provimi. Njësoj si mua, edhe shumë studentë të tjerë”, pretendon ajo.
Studentja thotë se pas kësaj është drejtuar në sekretari për të kërkuar sqarime, por, sipas saj, përgjigjja ka qenë se emri i saj nuk rezultonte në sistem dhe se sekretaria nuk ishte përgjegjëse për problemin.
Ajo ngre shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të sistemit të regjistrimit të provimeve. Sipas denoncimit, sistemi lejon regjistrimin e deri në 30 krediteve për sezonin e vjeshtës dhe, në rast se studenti tenton të regjistrojë më shumë, regjistrimet mund të fshihen automatikisht.
Për të shmangur këtë problem, studentja thotë se i ka regjistruar lëndët njëra pas tjetrës, duke kontrolluar regjistrimin e secilës. Megjithatë, pasi afati i çregjistrimit ka përfunduar, sistemi nuk e lejon më të çregjistrohet nga lënda.
“Unë i kam zgjedhur lëndët me radhë për regjistrim, një nga një. Sistemi më thotë që nuk mund të çregjistrohem nga kjo lëndë, sepse ka kaluar afati për çregjistrim. Pra, regjistrimi është bërë dhe është në rregull në sistemin tim, ndërsa sekretaria më thotë se nuk jam e regjistruar”, shprehet studentja.
Sipas saj, situata është veçanërisht problematike pasi këto kredite janë të rëndësishme për ecurinë e saj akademike dhe mosdhënia e provimeve mund të rrezikojë humbjen e vitit.
Studentja thekson se nuk kërkon ndonjë favor në vlerësim, por vetëm mundësinë për t’u futur në provim dhe për t’u vlerësuar sipas rregullave.
“Nuk po i kërkoj pedagogëve të më kalojnë me mik, të kopjoj apo të jap lek. Thjesht po kërkoj të futem në provim. Pavarësisht notës që marr dhe nëse e kaloj apo jo, nuk dua të më mohohet kjo e drejtë kur i kam plotësuar kushtet për ta dhënë provimin”, deklaron ajo.
Sipas denoncimit, problemi nuk kufizohet vetëm te pamundësia për të dhënë provimin për të cilin studentja pretendon se është regjistruar. Ajo thotë se, për shkak të kufirit prej 30 kreditesh, nuk mund të regjistrohet as në një provim tjetër.
“Mirë që nuk na fusin në provim edhe pse e kemi bërë regjistrimin, por nuk na lejojnë as të bëjmë një provim tjetër. Nëse tentoj të regjistrohem në një provim tjetër, sistemi nuk më lejon, sepse i kam plotësuar 30 kreditet me tri lëndët ku jam regjistruar”, shprehet ajo.
Studentja kërkon që rasti të verifikohet dhe të sqarohet mospërputhja mes informacionit që shfaqet në sistemin e saj dhe të dhënave që disponon sekretaria.

