Një tjetër denoncim për mungesën e ujit vjen nga zona e Lundrës në Tiranë.
Një qytetare, banore në rrugën Bernoca, thotë se prej rreth tre muajsh e gjysmë familja e saj përballet me mungesen e furnizimit me ujë, pavarësisht se faturat janë paguar rregullisht.
Ajo ka treguar se uji vjen vetëm për rreth 10 minuta në mëngjes dhe 10 minuta në orën 18:00, ndërsa edhe gjatë këtyre intervaleve presioni është aq i ulët sa nuk mund të përdoret normalisht.
“Kam kontaktuar tre herë këta të UKT-së dhe prapë uji nuk vjen”, shprehet qytetarja.
Ajo tregon se situata ka detyruar familjen të gjejë zgjidhje alternative për të siguruar ujin e nevojshëm për përditshmërinë. Fillimisht, që prej muajit qershor, kanë përdorur ujin e pusit të tyre, ndërsa prej dy javësh detyrohen të mbushin ujë te pusi i komshinjve, pasi pusi i tyre ka shteruar.
Banorja thotë se mungesa e ujit është një problem që përsëritet çdo verë në këtë zonë, por këtë vit situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Banorët e rrugës Bernoca në Lundër kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të siguruar furnizim normal me ujë dhe një zgjidhje përfundimtare të problematikës.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje Joq kemi 3 muaj e gjysëm që kemi probleme me ujin.I kam kontaktuar 3 herë këta të Ukt dhe prap uji nuk vjen.E sjellin vetëm 10 min në mëngjes dhe 10 min në orën 6 pasdite dhe ato 10 min s'ka presion uji.Që në qershor kemi mbushur ujë te pusi,tani kemi dy javë që mbushim ujë te pusi i komshinjve,sepse pusi jonë ka shteruar.Faturat i kemi paguar rregullisht.Ky problem është çdo verë por këtë herë e kanë degjeneruar fare.Zona është rruga Bernoca, Lundër,Tiranë.

