Harry dhe Meghan nuk e kanë pritur mirë vendimin e Mbretit për t’i cilësuar “qytetarë privatë”, duke preferuar të njihen si “figura publike”, bën të ditur Daily Mail.
Pallati Buckingham publikoi të hënën një letër zyrtare që konfirmonte se çifti nuk do të rikthehej si anëtarë aktivë të familjes mbretërore. Dokumenti theksonte se statusi i tyre mbetet i pandryshuar që prej largimit nga detyrat mbretërore në vitin 2020.
Në letër thuhej se Harry dhe Meghan duhet të trajtohen, në thelb, si qytetarë privatë me interesa tregtare dhe bamirësie.
Por, sipas burimeve të tabloidit britanik pranë Sussex-ëve, çifti kundërshton këtë përkufizim. Ata do të preferonin termin “figura publike”, duke dashur që të pranohet se, pavarësisht largimit nga detyrat zyrtare dhe humbjes së financimit publik, ata vazhdojnë të jenë pjesë e familjes mbretërore në planin personal.
Burime pranë Pallatit e kanë interpretuar këtë qëndrim si dëshmi se i shumëdiskutuari modeli i një statusi të ndërmjetëm nuk do të ishte i qëndrueshëm. Sipas tyre, është e vështirë që çifti të ruajë lidhjet dhe statusin mbretëror në publik, ndërkohë që vazhdon aktivitetet e veta tregtare dhe private.
Ekipi i Sussex-ëve pretendon gjithashtu se çifti u kap në befasi nga publikimi i letrës dhe se nuk pati kohë të mjaftueshme për të kërkuar sqarime mbi disa pika të saj.
Burime pranë Harry-t dhe Meghan kanë sugjeruar se koha e publikimit të letrës mund të ketë pasur lidhje me një takim të komitetit Ravec, i cili shqyrton çështjet e sigurisë së Harry-t.
Megjithatë, Daily Mail raporton se ky pretendim nuk qëndron dhe se letra u publikua thjesht për të qartësuar statusin e çiftit përpara një serie angazhimesh të tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, burime pranë Mbretit besojnë se qartësimi i statusit mund t’ia bëjë më të lehtë Charles-it të takojë privatisht djalin e tij, pa përfshirë çështjet e statusit zyrtar mbretëror.

