Kursi i euros vijon të qëndrojë pranë niveleve më të ulëta historike në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot një euro u këmbye me 92.02 lekë, shumë pranë minimumit historik prej 92.01 lekësh, të regjistruar më 3 shtator. Që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar me 4.9%, ndërsa në krahasim me një vit më parë rënia është 5.3%. Sipas agjentëve të këmbimit, oferta e euros në treg mbetet e lartë, e ndikuar edhe nga flukset valutore gjatë sezonit turistik, ndërsa përdorimi i lekut po zgjerohet në transaksione të pasurive të paluajtshme, kredi dhe depozita.
Forcimi i lekut po mbështetet edhe nga zhvillimet në ekonominë e jashtme. Banka e Shqipërisë e lidh këtë tendencë me përmirësimin e Bilancit të Pagesave. Në tremujorin e parë, deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, ose 28% më pak se një vit më parë, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, duke shënuar rekord dhe një rritje prej 11.6%. Paralelisht, rritja e kreditimit në lekë dhe konvertimi i kredive nga euro në monedhën vendase kanë shtuar kërkesën për lekë dhe shitjen e euros në tregun valutor.
Në përpjekje për të frenuar rënien e euros, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke blerë valutë. Vetëm në tremujorin e parë ajo bleu rreth 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë, ndërsa analistët vlerësojnë se ndërhyrjet mund të jenë shtuar më tej gjatë muajve në vijim. Në vitet 2024–2025, Banka Qendrore kishte tërhequr nga tregu më shumë se 2 miliardë euro. Megjithatë, efektshmëria e këtyre ndërhyrjeve është kufizuar nga oferta e lartë e euros dhe kërkesa në rritje për lekun.

