Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë dëmtimin e dyerve dhe banesës së tij, e cila ndodhet në afërsi të Shkollës Tregtare në Vlorë.
Në një mesazh drejtuar redaksisë, qytetari shprehet se banesa është aktualisht e pabanuar, ndërsa dyert e saj kanë qenë të mbyllura me çelës. Por kur ka shkuar në banesë, i ka gjetur dyert të dëmtuara dhe njëra prej tyre nuk mbyllet më.
“Dyert kanë qenë të mbyllura me çelës. Po ta vësh re, duket që janë shqyer dhe brava ka ngelur e hapur, ndërsa dera nuk mbyllet”, shprehet qytetari.
Në pamjet filmike të realizuara pas hyrjes në shtëpi mund të shikoni dëmet e shkaktuara, ndërsa qytetari thekson se në zonën përreth nuk ka kamera sigurie, duke e bërë të vështirë identifikimin e personave që mund të kenë hyrë në pronë.
Qytetari ngre dyshime se persona të paidentifikuar mund të hyjnë gjatë orëve të natës në banesën e pabanuar dhe të konsumojnë lëndë narkotike, duke lënë pas mbetje dhe mbeturina.
Sipas tij, në banesë nuk ka sende me vlerë, pasi aktualisht nuk jeton askush aty.
“Nuk kanë çfarë të marrin, se nuk jeton njeri për momentin në këtë shtëpi. Vetëm dërrasa të prishura dhe divane janë”, shprehet ai.
Qytetari kërkon që rasti të bëhet publik, ndërsa i bën thirrje autoriteteve që të verifikojnë situatën dhe të marrin masa për parandalimin e hyrjeve të paautorizuara në banesë.

