Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të premte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Protesta u thirr nga OVL-UÇK nën moton “Jo në emrin tim”.
Tubimi vjen dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit, ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite, në një total prej 81 vitesh burgim. Katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për vepra të krimeve të luftës, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në protestë janë dëgjuar thirrje kundër vendimit të Speciales, ndërsa protestuesit kanë shprehur bindjen e tyre se beteja do të vijojë edhe më tej. Organizatorët dhe pjesëmarrësit e kanë kundërshtuar aktgjykimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe politik.
Protestës i janë bashkuar edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie, si dhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së. Në mesin e protestuesve janë parë edhe Endrit Thaçi dhe djemtë e Kadri Veselit.
Gjatë fjalës së tij në protestë, ish-luftëtari i UÇK-së, Arientin Abdyli, tha se tubimi nuk lidhet vetëm me kundërshtimin e dënimeve ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, por edhe me mbrojtjen e asaj që pjesëmarrësit e konsiderojnë të vërtetën për luftën e UÇK-së.
“Luftën tonë e bëmë pa maska”, tha Abdyli, duke shtuar se protestuesit janë mbledhur për të kundërshtuar atë që e cilësojnë si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta në Prishtinë zhvillohet në një klimë të fortë reagimesh pas vendimit të 16 shtatorit. Një ditë më parë, qytetarë të mbledhur në shesh kishin marshuar edhe drejt zyrave të EULEX-it, ndërsa autoritetet kishin marrë masa sigurie rreth objektit.

