Partia Demokratike ka ngritur akuza ndaj qeverisë lidhur me aktivitetin e kompanisë Advanced Arm of Technology (AAT), duke sjellë edhe një herë në vëmendje se armë të prodhuara ose të siguruara përmes kësaj kompanie janë shitur në vende në konflikt. Në një deklaratë, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, iu referua deklarimeve të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, në seancën parlamentare të 23 prillit, ku ai kishte folur për kompaninë AAT, në pronësi të Ron Yefet dhe Arjeta Pucës. “Dhe së fundmi kemi edhe kompaninë AAT, Advanced Arm of Technology, që prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe një herë, janë në përdorim në një vend në konflikt diku, jo patenta fiktive”, citoi Garo deklaratën e ministrit Nufi. Sipas PD-së, deklarimet ngrenë pikëpyetje mbi origjinën e armëve dhe mënyrën se si ato janë tregtuar. Garo pretendoi se, nëse armët kanë ardhur nga vende si Nigeria, Sudani apo Angola dhe janë shitur përmes Shqipërisë, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të rregullave dhe me atë që opozita e cilëson si “trafik armësh me licencën e qeverisë shqiptare”. PD i referohet gjithashtu rregullave të NATO-s për prokurimin ndërkombëtar. Dokumentet publike të NATO-s parashikojnë se, në procedura të caktuara të prokurimit, mallrat e furnizuara duhet të vijnë nga vende anëtare të NATO-s, ndërsa procedurat e tenderimit përcaktojnë edhe kriteret e përshtatshmërisë së kompanive pjesëmarrëse. Në deklaratën e saj, PD përmend edhe nenin 346 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian. Ky nen u lejon shteteve anëtare të marrin masa që i konsiderojnë të nevojshme për mbrojtjen e interesave thelbësore të sigurisë, të lidhura me prodhimin ose tregtinë e armëve, municioneve dhe materialeve të luftës.
Opozita i referohet gjithashtu skemës “Gjithçka përveç armëve” (Everything But Arms), e cila u jep vendeve më pak të zhvilluara akses pa tarifa dhe kuota në tregun e BE-së, por përjashton armët dhe municionet.
PD pretendon se Ron Yefet ka pranuar se armët që do t’u shiteshin vendeve të BE-së do të vinin nga Afrika, duke përmendur Nigerinë, Angolën dhe Sudanin. Partia Demokratike kërkon që këto pretendime të hetohen nga organet ligjzbatuese.
Në deklaratë, Garo akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, për përgjegjësi politike dhe kërkoi hetim të menjëhershëm të çështjes.
“Partia Demokratike kërkon që Edi Rama, Ermal Nufi dhe të gjithë ata që kanë gatuar këtë rrjet korrupsioni, trafiku dhe paligjshmërie të japin dorëheqjen dhe të shkojnë para drejtësisë”, deklaroi zëdhënësja e PD-së. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

