Më shumë se 40 mijë njerëz kanë humbur jetën në Angli gjatë ditëve me temperatura ekstreme mes viteve 1988 dhe 2025, përtej numrit që do të pritej në kushte normale temperaturash. Të dhënat e publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) tregojnë se numri i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Vetëm në vitin e fundit të analizuar, 2,805 vdekje në Angli dhe Uells u lidhën me ditët më të nxehta, duke tejkaluar 2,244 vdekjet e lidhura me temperaturat e ftohta. Ndërkohë, vera e këtij viti pritet të shënojë rekorde të reja. Sipas autoriteteve shëndetësore britanike, rreth 2,877 persona kanë vdekur gjatë valëve të të nxehtit të majit dhe qershorit.
Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së temperaturave. Të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara.
Ndërkohë, spitalet britanike kanë përjetuar një nga periudhat më të ngarkuara të regjistruara ndonjëherë gjatë kësaj vere, ndërsa temperaturat e larta kanë shtuar presionin mbi shërbimet shëndetësore.
Ekspertët kërkojnë masa urgjente për përshtatjen e banesave, spitaleve dhe infrastrukturës ndaj temperaturave gjithnjë e më të larta. “Ky është një skandal tronditës kombëtar”, është shprehur Bob Ward, nga Instituti Grantham për Ndryshimet Klimatike.
Sipas të dhënave, megjithëse historikisht temperaturat e ftohta kanë shkaktuar më shumë vdekje, diferenca me vdekjet nga nxehtësia është ngushtuar ndjeshëm vitet e fundit. Top Channel

