Pas një vere të shënuar nga temperatura rekord dhe zjarre të mëdha, zjarrfikësit në Francë po kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria. Sindikatat e tyre kanë paralajmëruar një protestë mbarëkombëtare më 29 shtator, duke argumentuar se shërbimet e emergjencës nuk kanë burime të mjaftueshme për të përballuar situata që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Përfaqësuesi i disa sindikatave të zjarrfikësve, Xavier Boy, deklaroi se prioriteti është sigurimi i burimeve të nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas tij, Franca ka nevojë për një ligj që modernizon sistemin e sigurisë civile, për rekrutimin e një numri më të madh zjarrfikësish profesionistë dhe për rritjen e investimeve në pajisje, siguri dhe mbrojtjen e shëndetit të efektivëve. LEXO edhe...14 vatra zjarri aktive në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Situatë e rënduar në Gurë-Lurë të Dibrës dhe Elbasan! Flakët në ‘kurorën’ e Tiranës vihen nën kontroll Ai kërkoi gjithashtu investime që, sipas tij, të jenë në përputhje me rreziqet me të cilat po përballet Franca sot dhe që pritet të shtohen në të ardhmen, në një kohë kur Europa konsiderohet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë. Përfaqësuesit e sindikatave u takuan këtë të enjte me ministrin e Brendshëm francez, Laurent Nunez, për t'i paraqitur kërkesat e tyre. Megjithatë, pas takimit ata u shprehën të zhgënjyer, duke thënë se nuk morën garanci konkrete dhe se përgjigjet e ministrit ishin të paqarta. Nga ana e tij, Nuñez deklaroi se një projektligj për modernizimin e sistemit të sigurisë civile do t'u paraqitet sindikatave më 8 shtator. Ai shtoi se fondet për zjarrfikësit do të rishikohen në buxhetin e vitit të ardhshëm, por nuk dha një angazhim për një rritje konkrete. Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu u ka kërkuar shtatë parlamentarëve të hartojnë një raport me propozime për përmirësimin e sistemit të zjarrfikësve, i cili duhet të dorëzohet deri më 21 shtator. Aktualisht, sistemi francez mbështetet kryesisht te zjarrfikësit vullnetarë. Sipas të dhënave për vitin 2024, gati 80% e zjarrfikësve në Francë janë vullnetarë, ndërsa më pak se 20% janë profesionistë, të përqendruar kryesisht në zonat urbane. Debati është intensifikuar pas zjarreve të mëdha që kanë goditur Francën këtë verë. Sindikatat pretendojnë se në disa operacione, përfshirë zjarrin pranë Bordosë, një nga më të rëndët e viteve të fundit, efektivët u përballën me mungesë personeli, pajisjesh dhe mjetesh të specializuara për shuarjen e zjarreve në pyje. Protesta e paralajmëruar për 29 shtator pritet të zhvillohet në të gjithë Francën. Edhe pse zjarrfikësit kanë të drejtë të ndërpresin punën, ata janë të detyruar me ligj të garantojnë shërbimet minimale të emergjencës për qytetarët. U.D/ReportTv.al france zjarret 2026 Zjarrfikësit Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 41.1% Jo 52% I/e dyzuar 6.9% Vota total: 4473 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?

