Lajme Zone
Satirë nga Thoma Gëllçi: Muhameti dhe Mehmeti shpëtojnë Amerikën nga komunizmi
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Satirë nga Thoma Gëllçi: Muhameti dhe Mehmeti shpëtojnë Amerikën nga komunizmi

Përmes historisë së Muhametit dhe Mehmetit, satira e Thoma Gëllçit nxjerr në pah kontradiktat e atyre që e quajnë "komunizëm" çdo politikë publike progresiste, ndërsa vetë përfitojnë nga shërbimet dhe programet publike që ofron shteti.

Muhametit emrin ia kishte vënë gjyshi në Peqin. Gjyshi kishte qenë besimtar në mënyrën e vet dhe kishte këmbëngulur që nipi të merrte emrin e Profetit. Kështu Muhameti hyri në jetë me një emër që shumë vite më vonë, në Warren të Michiganit, do ta përdorte gjithnjë e më rrallë. Në Amerikë i therrisnin Mo. Ishte më i shkurtër, më praktik dhe nuk kërkonte shpjegime. Në dokumente vazhdonte të ishte Muhamet, por klientët e njihnin si Mo, hidraulikun shqiptar që vinte shpejt, punonte mirë dhe, po t’i jepej rasti, shpjegonte edhe çfarë nuk shkonte me politikën amerikane. LEXO edhe...Analiza: Bashkëpunimi mes autokracive kryesore të botës rrit shqetësimet në Uashington Kishte ardhur nga Peqini më shumë se njëzet vjet më parë. Kishte shtëpi me kredi, Ford F-150, veglat e hidraulikut dhe bindjen se Amerika po shkonte drejt komunizmit. E konsideronte veten të kualifikuar për ta dalluar rrezikun, sepse kishte jetuar në Shqipërinë komuniste, ndërsa amerikanët kishin dobësinë e madhe se komunizmin nuk e kishin provuar kurrë. Edhe në gjuhë ishte amerikanizuar. “Allah” pothuajse nuk thoshte më. Kur shihte ndonjë faturë të lartë apo një basement të përmbytur thoshte “My God”. Gjyshi nga Peqini nuk kishte parashikuar se nipi i tij një ditë do të shqetësohej nga myslimanët në politikën amerikane. Në Tiranë jetonte Mehmeti. Ishte pa punë prej gati dy vjetësh dhe jetonte me të ëmën. Megjithatë, nuk rrinte kot. Kishte marrë përsipër një detyrë më të rëndësishme se puna: ruante Amerikën nga komunizmi. Ky ishte i shqetësuar për presidentin Trump dhe për pengesat që po i vinte Sorosi. Gjithë vëmendja e tij ishte se si të mbronte Trump nga mafia ndërkombëtare e komunizmit. Muhameti dhe Mehmeti ishin njohur në Facebook. Muhameti kishte shkruar se amerikanët ishin naivë, sepse nuk e kishin jetuar komunizmin. Mehmeti kishte rënë menjëherë dakord dhe prej asaj dite të dy u gjendën në të njëjtën llogore ideologjike. Alarmi i parë serioz erdhi kur Zohran Mamdani u bë kryetar i Bashkisë së New York-ut. Për Muhametin ishte hata e madhe se si një person e thoshte në mes të ditës dhe me zë të lartë që ishte mysliman. Kjo ishte e papranueshme. Ndërsa për Mehmetin kjo vërtetonte atë që kishte kohë që thoshte: universitetet amerikane, me Harvard-in në krye, po prodhonin komunistë. Në Shqipëri marksizëm-leninizmi mësohej falas; në Amerikë duhej të kishe para për ta mësuar në Harvard. Komunizmi amerikan ishte thjesht më i shtrenjtë se ai shqiptar. Për Muhametin hataja erdhi më 4 gusht 2026, kur Abdul El-Sayed fitoi primaret demokrate për Senatin amerikan në Michigan. E mori pothuajse si humbje personale. Kandidati quhej Abdulrahman Mohamed El-Sayed, por Muhameti nuk ia shqiptonte dot emrin. Herë e quante Abdul, herë Abdurrahim, herë vetëm “ai Abduli”. Kjo i dukej si provë se kandidati ishte disi i huaj për Michiganin. Në fakt, El-Sayed ishte lindur në Detroit dhe ishte rritur në Michigan. Muhameti kishte lindur në Peqin dhe kishte ardhur në Amerikë si emigrant. Por në mendjen e tij kjo ishte zgjidhur prej kohësh: ai ishte amerikan, ndërsa Abduli duhej ende ta provonte. Edhe myslimanizmi i kandidatit e shqetësonte. Vetë Muhameti mbante emrin e Profetit, por fenë e vet e konsideronte çështje private. Por arsyeja kryesore e alarmit ishte programi i El-Sayed-it: Medicare for All, më shumë rol publik në shëndetësi dhe taksa më të larta për miliarderët. Për Muhametin këto ishin shenjat alarmuese që paralajmëronin ardhjen e komunizmit. Një ditë, ndërsa riparonte një tub në shtëpinë e John-it, një klient amerikan në Royal Oak, biseda shkoi te kjo çështje. John i kujtoi se fëmijët e Muhametit kishin shkuar në shkolla publike, rrugët ku lëvizte financoheshin me taksa, zjarrfikësit dhe policia paguheshin nga publiku dhe vetë Muhameti priste që një ditë të merrte Social Security dhe Medicare. Fillimisht Muhameti u përpoq t’i ndante. Shkollat ishin ndryshe sepse duheshin arsimuar fëmijët. Zjarrfikësit ishin ndryshe sepse duhej fikur zjarri. Social Security dhe Medicare ishin ndryshe sepse ai kishte paguar për to.Pastaj e kuptoi se John po e shtynte drejt një qosheje të rrezikshme ideologjike. Atëherë Muhameti mori vendimin e madh. Nëse shkollat publike ishin elemente te socializmit , le të mbylleshin. Nëse zjarrfikësit ishin elemente te socializmit, secili të siguronte vetë zjarrfikësin e tij. Nëse Social Security ishte socializëm, Muhameti ishte gati të hiqte dorë edhe prej tij. Medicare po ashtu. Policia, bibliotekat, subvencionet, çfarëdo që të duhej. Ai kishte punuar gjithë jetën, kishte paguar kontribute dhe po afrohej drejt moshës kur këto programe do t’i duheshin më shumë, por sakrifica ishte sakrificë. John nuk e vazhdoi diskutimin. I duhej tubi i rregulluar. Muhameti e mbaroi punën dhe i dha faturën prej 285 dollarësh. Në këtë pikë nuk kishte nevojë për shtet, program publik apo teori politike. Tregu funksiononte shkëlqyeshëm. Në Tiranë, Mehmeti ishte i shqetësuar nga një problem tjetër: miliarderët. Nuk arrinte ta kuptonte si ishte e mundur që njerëzit më të pasur të kapitalizmit amerikan të punonin, sipas tij, për ardhjen e komunizmit. Më shumë se të gjithë e shqetësonte George Soros. Për Mehmetin ai ishte përgjigjja e gatshme për shumë zhvillime. Nëse një politikan shkonte majtas, kërkonte Sorosin. Nëse financohej një organizatë progresiste, kërkonte Sorosin. Nëse një universitet bëhej tepër liberal, kishte përsëri arsye për të kërkuar Sorosin. Kjo metodë kishte avantazhin se kursente shumë kohë për kërkime. Muhameti merrej më shumë me Bill Gates-in. Microsoft-in e kuptonte: biznes, kompjuterë, fitim, miliarda. Problemet kishin nisur kur Gates filloi të jepte miliarda për vaksina, shëndetësi, arsim dhe vende të largëta. Muhametit nuk i mbushej mendja se një kapitalist mund të jepte aq shumë para pa pasur ndonjë plan më të madh. Sidomos vaksinat e bënin vigjilent. Edhe Warren Buffett po sillej çuditshëm. Njeriu kishte bërë miliarda në kapitalizëm dhe pastaj thoshte se njerëzit shumë të pasur duhej të paguanin më shumë taksa. Muhameti, që çdo vit pyeste kontabilistin si të ulte ligjërisht faturën e vet të taksave, nuk arrinte ta kuptonte pse një miliarder kërkonte t’i merrnin më shumë para. Pastaj ishte Zuckerberg-u. Ai kishte krijuar Facebook-un dhe nuk po kuptonte se platforma e tij përdorej, sipas Muhametit dhe Mehmetit, për përhapjen e ideve komuniste. Kjo ishte papërgjegjshmëri e madhe. Muhameti dhe Mehmeti hynin çdo ditë pikërisht në Facebook për ta denoncuar këtë. Situata pra ishte serioze. Mamdani kishte New York-un. El-Sayed kishte fituar primaret në Michigan. Harvard-i vazhdonte mësimin. Sorosi vazhdonte financimet. Gates-i vaksinat. Buffett-i kërkonte më shumë taksa për miliarderët. Zuckerberg-u ua kishte lënë Facebook-un komunistëve. Megjithatë, kishte ende shpresë. Wall Street-i punonte. Amazon ishte private. Miliarderët vazhdonin të ishin miliarderë. Dhe mbi të gjitha, rezistenca vazhdonte.Muhameti ishte gati të hiqte dorë nga Medicare, Social Security, shkollat publike dhe, po të ishte nevoja, edhe nga zjarrfikësit, vetëm që socializmi të mos hynte në Amerikë. Mehmeti ishte gati për një sakrificë po aq të madhe: të vazhdonte të rrinte pa punë dhe të ruante Amerikën nga Tirana dhe të mbronte interesat e familjes Trump në Shqipëri. Hë për hë, Amerika është e sigurt. U.D/ReportTv.al Abdul El-Sayed Michigan muhamet SHBA komunizmi donald trump Thoma Gëllçi Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 41.1% Jo 52% I/e dyzuar 6.9% Vota total: 4473 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?