Nga Filip Çakuli Kuvendi shqiptar nganjëherë të krijon përshtypjen e një shtëpie publike politike.
Qytetari paguan faturën, por nuk hyn në sallë.
Ai paguan taksat, paguan energjinë e institucionit, paguan rrogat e deputetëve, paguan administratën, paguan edhe kafenë që pihet gjatë seancave. Vetëm një gjë nuk i lejohet: të marrë pjesë në shfaqje.
Për të është rezervuar vetëm bileta e televizorit.
Dhe nga ekrani sheh përfaqësuesit e vet duke bërë gjithçka, përveç asaj për të cilën i ka votuar.
Në vend që të qajnë hallet e zonave të tyre, hanë njëri-tjetrin.
Njëri sulmon tjetrin. Tjetri ia kthen. Pastaj fillon gara e fjalorit. Nxirren nga magazina personale historitë, fyerjet, insinuatat dhe banalitetet. Foltorja e Kuvendit kthehet herë në tribunë politike, herë në ring boksi dhe herë në oborr pallati.
Në ndonjë moment, televizori duhet të mendojë seriozisht për një shirit poshtë ekranit:
“KUJDES: GJUHË E PAPËRSHTATSHME. +18.”
Jo se ka ndonjë film erotik. Është thjesht seanca plenare. Madje mund të shtohet edhe një paralajmërim tjetër:
“Prindërit këshillohen të mos i lënë fëmijët të ndjekin deputetët, pasi mund të mësojnë fjalë që nuk i kanë dëgjuar as në rrugicën e lagjes. Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”. (Ronald Regan)
Dhe ndërkohë, jashtë kësaj shtëpie publike politike, qëndrojnë klientët e vërtetë të demokracisë.
Pensionisti pret pensionin.
I sëmuri pret ilaçin.
I varfri pret ndihmën.
I pastrehu pret një çati.
Rrogëtari pret fundin e muajit, ndërsa rroga ka mbaruar disa ditë më parë.
I riu pret një punë.
Familja pret të mos i vijë pronari për qiranë.
Por asnjëri prej tyre nuk ka mikrofon në Kuvend.
Ata kanë vetëm votën.
Dhe vota, siç duket, ka një funksion shumë të veçantë në këtë sistem: shërben për të hapur derën e shtëpisë publike, pastaj qytetari nxirret jashtë. Siç e ka përcaktuar Makiaveli, politika nuk ka lidhje me moralin.
Brenda fillon shfaqja.
Nga njëra anë kemi paradën e sukseseve. Çdo gjë është historike. Çdo reformë është madhështore. Çdo statistikë është rekord. Çdo projekt është transformues.
Nga ana tjetër kemi varrimin e vendit. Gjithçka është skandal. Gjithçka është korrupsion. Gjithçka është dështim. Shqipëria, sipas kundërshtarëve, duket sikur është një vend që ka harruar të shembet vetëm ngaqë nuk ka gjetur ende kohë.
Dhe kështu, njëra palë prodhon lavdi, tjetra prodhon katastrofa.
Nga njëra enë del parfumi i suksesit; nga tjetra kundërmon kufoma e dështimit.
Qytetari ndërkohë pyet:
“Po pensioni im?”
Asgjë.
“Po puna e djalit?”
Asgjë.
“Po qiraja?”
Asgjë.
“Po spitali?”
Asgjë.
“Po çmimet?”
Asgjë.
Por mos u shqetësoni.
Deputetët po merren me njëri-tjetrin. Dhe kur argumentet mbarojnë, fillojnë bërrylat. Bllokohet foltorja.
Ndërpritet seanca. Kryetari i Kuvendit kërkon qetësi. Askush nuk qetësohet. Dhe sç ka thënë Aristoteli, “Karakteristikat e një politikani popullor; një zë i tmerrshëm, një edukim i keq dhe një sjellje vulgare”.
Pastaj vjen polici i padukshëm i demokracisë shqiptare: kartoni.
Ngrihet kartoni i shumicës. Dhe gjithçka merr fund.
Ligji kalon.
Vendimi kalon.
Shumica vendos.
Kaq.
Pas gjithë atij teatri, pas gjithë atyre fjalimeve, pas gjithë atyre sharjeve, pas gjithë atij spektakli që do ta kishte zili edhe një reality show, demokracia reduktohet në një pyetje elementare: Sa kartonë keni?
Nëse ke numrat, ke të drejtë.
Nëse nuk ke numrat, mund të bërtasësh deri nesër.
Kjo është ndoshta pjesa më groteske e gjithë historisë.
Sepse në demokraci qytetari duhet të jetë pronari. Këtu pronari paguan faturën, zgjedh stafin, i jep çelësat dhe pastaj rri jashtë derës duke dëgjuar zhurmën.
Brenda, stafi grindet për klientelën. Dhe në fund i thotë pronarit: “Mos u shqetëso. Gjithçka po bëhet për ty.”
Ky është momenti kur qytetari duhet të kontrollojë ku e ka lënë kontratën. Sepse ndoshta ka votuar për një Kuvend populli, ndërsa i kanë dorëzuar një shtëpi publike politike.
Dhe faturën?
Faturën vazhdon ta paguajë vetë. “Mendoj se politika është një gjë tepër serioze për t’ua lënë në dorë politikanëve. (Sharl de Gol).
Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv Top Channel

