Lajme Zone
Kuvend/ Akuza në seancë dhe protestë jashtë dyerve, Berisha-socialistëve: Avokatë të Vlora Hysenit! 'Territorialja', Balla: Mos pengoni edhe 'zgjedhoren'
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Kuvend/ Akuza në seancë dhe protestë jashtë dyerve, Berisha-socialistëve: Avokatë të Vlora Hysenit! 'Territorialja', Balla: Mos pengoni edhe 'zgjedhoren'

Debati për territorialen u zhvendos edhe në sallën e seancave plenare. Deputetët e opozitës e quajtën masakër, ndërsa Taulant Balla kërkoi që njëjtë si kjo reformë, opozita të mos ndërpresë dialogun edhe për Reformën Zgjedhore. Akuza nga opozita edhe për SHISH.

Opozita nuk ka ndërmend të amnistojë socialistët mbi çështjen e SHISH. Kreu i PD Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit akuzoi deputetët e majtë se janë kthyer në avokatë të kryeministrit Rama dhe ish drejtues së SHISH Vlora Hysenit duke shmangur diskutimin mbi këtë çështje. “Në vend se të spostonit çdo gjë nga axhenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale, përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Edi Ramës, ju bëni sikur po derdhni lot krokodili. Çfarë jeni ju more? Avoketër të akteve të tilla? Sepse vetë, një pjesë e juaja është anëtar bandash. Sepse vetë një pjesë e juaj ka porositur vrasje. Sepse vetë një… po, po, me dokumenta. Një pjesë e juaj ka bërë pazaret më të fëlliqura me kartelet e drogës. Dhe tani bëheni avoketër të Edi Ramës dhe Vlora Hysenit”, tha Berisha. LEXO EDHE:Jakin Marena: Ambasadori i ri ia zeroi Berishës lobimin miliona dollarësh në SHBA! Socialistët e injoruan akuzën e Berishës, por mbi protestën e paralajmëruar, një replikë ia dha Taulant Balla. “U bëj thirrje shqiptarëve, kudo që janë e kudo që s’janë, të mblidhen të enjten tek ky parlament, për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij institucioni bastion të krimit, të drogës dhe mafies shqiptare”, tha Berisha. “Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite”, ia ktheu Balla. Duke u ndalur te reforma territoriale, të cilën opozita e quan masakrim të pushtetit vendor, Balla tha se do të përmirësojë shërbimet. Ndërsa opozitës i kërkoi të mos bllokojë konsensusin edhe në reformën tjetër që ndodhet në tryezë, atë zgjedhore. “Ju keni hallin e kryetarëve të bashkive, por mos bllokoni edhe zgjedhoren, duam ta bëjmë bashkë”, tha kreu i grupit të PS. Ndërsa brenda diskutohej, jashtë Parlamentit u protestua sërish. Protestuesit që gjatë ditës ishin vendosur para kryesisë së Kuvendit u zhvendosën te parlamenti për t’i pritur deputetët me vezë. Vezëve të protestuesve u shpëtoi shumica e deputetëve, por u shënua një moment tensioni me gazetarin Bledi Mane. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 18:09 Pacaj numëron problemet e banorëve të Lezhës, Ndoja e përgëzon: I lumtë goja! Tregon që deputetët i dinë, por s’i zgjidhin dot prej 13 vjetësh Në seancën në Kuvend të dedikuar për problemet e qytetarëve, deputeti socialist i Lezhës, Ermal Pacaj, ngriti disa prej çështjeve më shqetësuese për banorët e qarkut, një prej tyre ajo e energjisë elektrike. Sipas tij, ka shkëputje të shpeshta si dhe mungesë të fuqisë së rrymës elektrike, ndërsa peshkatarët në Shëngjin nuk subvencionohen për naftën.“Një ndër problemet që kam evidentuar në Lezhë, s’di të ketë qark tjetër që të ketë probleme me energjinë elektrike më shumë se Lezha. Në Malaj të Mirditës frigoriferin e përdorin si raft se s’ka energji për të ftohur. S’po them pastaj për Ishull-Shëngjin e Ishull-Lezhë, që është edhe një ndër 100 fshatrat elektrike. Era më e vogël të fryjë, ikin dritat. Në Shëngjin është edhe problemi i peshkimit. Kemi diku te 30 barka që para krizës së karburantit, shpenzonin rreth 70 lekë për litër, pa TVSH. Tani shpenzojnë rreth 14 milionë lekë të vjetra në muaj. Te ne s’ka subvencione”, tha Pacaj.Trajtimi i problemeve të qytetarëve nga socialistët u përgëzua nga deputeti demokrat Arjan Ndoja që për Pacajn, pati një ftesë të veçantë. Më tej, Ndoja u ndal edhe te reforma administrative duke përsëritur se është jo konsensuale.“Reforma territoriale-administrative, bazuar në nenin 70 të Kuvendit, është jo konsensuale. Ka një ligj me 4 nene ku nga momenti i miratimit të raportit, duhet të kalojë jo më pak se 1 javë që ta kenë në shqyrtim gjithë deputetët e Shqipërisë. Në këto kushte nxjerrim në pah gjithë procedurën dhe tregojmë që në këtë parlament nuk votohet, por ndjekin një urdhër. Falënderoj të gjithë kolegët e PS që treguan problemet nga Prania Besnike, tregon që ekzistojnë vërtet dhe ata s’kanë pasur mundësi zgjidhjeje për 13 vjet. Kolegun Pacaj e ftoj nesër t’i bashkohet foltores në Lezhë se foli shumë bukur, i lumtë goja!”, tha Ndoja. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 17:44 Korreshi ironi për ‘Praninë besnike’: E premte e zezë, shënoni problemet e zgjidhni opingat! Në Lushnje plehrat digjen ditën për diell, vjen era kërmë Ndërsa mori fjalën në parlament, Saimir Korreshi thumboi takimet e ‘Pranisë besnike’ të qeverisë si një nismë që nuk zgjidh asnjë problematikë të popullit. Ai tha se në Lushnje vijon problemi me mbeturinat, me spitalin dhe me rezervuarin e Kasharajt ku tharja e tij nxori tonelata me peshq.“Thatë që kjo seancë është për hallet e popullit? Këto kush i dëgjon, apo i regjistroni dhe i shihni para se të flini gjumë? Si puna e asaj së premtes së zezë të partisë suaj, ça e quani, të premte të bashkuar, të respektuar? I shënoni problemet, por zgjidhët opingat. Unë e di që integrimi nuk pret prandaj nxiton për Bruksel, por si t’ia bëjmë hallit? Flasim, lehim kot, por s’na dëgjon njeri. Ka plot halle. Shkoni te e njëjta zonë, thoni kemi një copë ure që duhet të lidhë 7 fshatra, s’e bëni.Po i digjni plehrat ditën për diell në Lushnje. S’i pastroni. Kemi hall se nuk kanë ngelur rrugë parcele për të hedhur plehrat. I shtoni. Nuk na i merr inceneratori, thoni. Ku, se rrëng-rrëng u ndryshk ai, është bërë për skrap. Kjo është besnike qeveria, e premte e zezë, fortlumturia? Çfarë keni bërë për spitalin e Lushnjes? Pasi i dëgjuat fermerët, a pastruat ndonjë metër kanal? Vazhdon të rritet ai kallami. Për 20 mln lekë të vjetra, harxhoi qeveria juaj miliarda. Sot e për diell, Lushnja vjen erë kërmë.Jeni 12, shkoni, zbukurohuni, vishuni, merrni valle mes Divjakës. E merrni dot? Ça merrni shënim? Keni rritur ndonjë gjë? Keni rritur ndihmën sociale? Jo, 27 mijë lekë është, s’u del për të ngrënë bukë. Njerëzit janë pa bukë, kështu që te Prania Besnike merrni ndonjë bukë me vete”, tha Korreshi. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 17:32 Blushi: Ditë e zezë sot, parlamenti e ka humbur kuptimin! Përballja, e vetmja rrugë për rrëzimin e Ramës Rruga e vetme për largimin e kryeministrit Rama është përballja, tha kreu i grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Nga podiumi i parlamentit, ai tha se kjo e hënë është një nga ditët më të zeza, ndërsa e enjtja, kur pritet edhe miratimi i ‘Territoriales’, do të jetë edhe më tepër.“Sot është një nga ditët më të zeza të këtij parlamenti dhe e enjtja që vjen do të jetë akoma më e zezë. Ky institucion e ka humbur komplet kuptimin e vet. Mjafton të shohësh rrethimin e parlamentit për të kuptuar sa ndot nxit sot fjala deputet. Për sa kohë asnjë nga anëtarët e qeverisë për muaj, ditë të tëra refuzon të japë llogari para shqiptarëve, ata sot kanë vetëm një alternativë: t’i detyrojnë këta horra të japin llogari për çdo qindarkë të vjedhur. Edi Rama nuk rrëzohet me flamingo, duke i ndjekur këta hajdutë me celularë në dorë. Edi Rama rrëzohet me përballje. Kjo klikë meriton të shporret, të zhduket nga faqja e dheut, jo me vezë, jo me ujë. Kjo është e vetmja rrugë: përballja”, tha Blushi. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 17:09 Zjarret, deputetja e PS në Fier: Mirënjohje për çdo zjarrfikës, ngushëllime familjarëve për 76-vjeçarin në Mallakastër Deputetja e Fierit, Antoneta Dhima, i kushtoi një moment vlerësimi dhe falënderimi zjarrfikësve që deri në këtë fillim tetori, ende luftojnë me flakët në zona të ndryshime të fundit. Ajo foli edhe për Nazif Hasanin, 76-vjeçarin në Greshicë të Mallakastrës që humbi jetën të dielën ndërsa përpiqej të shuante flakët.“Dua ta nis fjalën time me një falënderim dhe vlerësim për njerëzit që kanë qenë në vijën e parë të përballjes me zjarret gjatë gjithë kësaj vere. Në temperatura të larta, kanë punuar për të mbrojtur pronat, pasuritë kulturore e natyrore, siç ndodhi edhe në Apoloni dhe dje në Patos e Mallakastër. Mirënjohje për çdo zjarrfikës që ka hyrë në flakë, për çdo ushtarak që ka qenë në terren, vullnetarë e qytetarë. Ngushëllime familjarëve të 76-vjeçarit që humbi jetën ditën e djeshme në Greshicë të Mallakastrës”, tha Dhima. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 17:08 Dule për ‘Territorialen’: Kufizon shërbimet ndaj qytetarëve! Debati për SHISH, deputeti: U prek siguria kombëtare, por as skuqeni, as zverdheni Deputeti Vangjel Dule i tha mazhorancës se pr.ligji për ‘Territorialen’ është kundër interesave të qytetarëve. Ai u shpreh se e kanë humbur çdo betejë me të vërtetën.“Vini me një variant të ri për t’u kufizuar qytetarëve shërbimet dhe për ta kthyer vendin në feud. Për ju nuk ka parlament, opozitë, komunitet dhe qytetarë. I humbët të gjitha betejat me të vërtetën, me parimin. Komisioni i posaçëm, ndërpritet aktiviteti i tij në mes në mënyrë arbitrare sepse nuk kishin asnjë argument. Sa kryetarë bashkish keni sot kundër variantit që sillni në parlament me ngut? Sa këshilla bashkiakë keni kundër jush? Ju që jeni të zgjedhruit e atyre komuniteteve, si i përfaqësoni kur janë kundër jush?”, tha Dule.Më tej, u ndal te arrestimi i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe cenimin e sigurisë kombëtare, por që për qeverinë nuk ka asnjë ndryshim.“Jemi në momentet që kriza ka përfshirë edhe kupolën e sigurisë kombëtare të vendit duke cenuar aspekte të paprekshme në një shtet, duke vënë në rrezik edhe interesa aleatësh dhe aleancash ndërkombëtare ku ne jemi pjesë. Përshtypje nuk ju bëjnë, as zverdheni, as skuqeni nga ana njerëzore, por edhe metaforike, institucionale. Fundi juaj është i sigurt: siç e meritoni, me turp, jo vetëm me dështim, si një realitet i trishtuar, i dhimbshëm”, tha Dule. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 16:50 Protestat te kryeministria, deputeti Leskaj: Të hartojmë Kodin e ri Zgjedhor, të krijojmë qeverinë teknike Zgjatja e protestës para kryeministrisë shkurton ditët e parlamentit, tha deputeti i PD, Bujar Leskaj, që mendon se për këtë nevojitet përgjigje institucionale. Sipas tij, duhet të hartohet një Kod i ri Zgjedhor dhe të krijohet qeveria teknike.“Ne duhet të përqendrohemi te hartimi i Kodit të ri Zgjedhor, krijimi i një qeverie teknike me të gjithë faktorët politikë në vend, ku protesta duhet të ketë peshën më të madhe, një qeveri që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Leskaj. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 16:37 Viti i ri akademik, Zhupa: Studentët do ju marrin para! ‘Territorialja’ një masakër, po injoroni qytetarët! Ironi deputetëve: Takimet me ta s’janë arritje, por detyrë Në fjalën e saj në Kuvend, Ina Zhupa ironizoi platformën ‘Pasqyra e Flamingos’ duke u shprehur se gjithçka është propagandë pasi ka ende dokumente të papublikuara. Më tej tha se s’ka nevojë për takimet e ‘Pranisë Besnike’ kur dëgjimi i qytetarëve është detyra parësore e çdo deputeti.Ajo i tha mazhorancës se studentët do të bëjnë ndryshimin me protestën e tyre, ndonëse po bëhet çdo përpjekje për t’i dëmtuar. Në fund, u ndal edhe te reforma territoriale që e quajti “masakër” pasi s’po merret në konsideratë interesi i qytetarëve dhe kundërshtimet e tyre për reduktimin e numrit të bashkive.“Tani duhet ta quajmë arritje të madhe se disa nga këto dokumente do t’i publikojnë. E them disa se shumë të tjera, se lejen e zhvillimit nuk e publikon. Vijnë deputetët dhe mburren po takojnë qytetarët. Detyra A e deputetit është të takojë qytetarët, s’është arritje e madhe se po i takoni në të njëjtën orë. Çdo gjë propagandë, fiktivitet dhe asgjë që u përgjigjet qytetarëve e studentëve. Sot është dita e parë e vitit të ri akademik, dita e parë e revolucionit studentor. Të jeni të bindur që studentët do t’ju marrin përpara. Këtë protestë studentore do ta kthejnë në madhështore, do të jenë brezi që do të bëjnë ndryshimin. Sot ka 56 mijë studentë më pak, por juve s’ju bën përshtypje sepse po bëni çdo gjë që ta shpopulloni këtë vend që shtresa gri të largohet nga Shqipëria dhe të mbeten ata që mund t’i kontrolloni. Shqipëria sot nis një vit akademik ku studentët kanë në konviktet e tyre kushtet e mesjetës. Rama ishte sot në Durrës, por e pritën me protestë, u rrethua me polici sepse kudo shkon, shkon si tradhtar i kombit. Do të bëni një masakër tjetër. Jeni duke mos pyetur 225 mijë qytetarë shqiptarë, 15 këshilla bashkiakë që ju kanë votuar kundër, jeni duke injoruar interesin e qytetarëve vetëm sepse nuk i përgjigjet interesit tuaj. Uroj që të ketë ende deputetë për t’i dalë kundër partisë së tyre”, tha Zhupa. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 16:10 Arresti i Vlora Hysenit, Bozdo: SHISH ofronte siguri për krimin, jo qytetarët Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit për ndihmën e saj ndaj Ergys Agasit ndërsa ndodhej në arrati, është çështja për të cilën duhet të flasë Kuvendi, tha deputeti Eno Bozdo. Ai u shpreh se kjo është situatë e paprecedentë, por qeveria s’ka ndërmend të hulumtojë për dëmin që u është shkaktuar qytetarëve dhe institucioneve.“Shërbimi Informativ në shtratin e krimit të organizuar do të përbënte në çdo vend normal problemin më të rëndë shoqëror, politik dhe ekonomik. Në një vend që synon të përafrohet dhe të hyjë sa më parë në BE, një komision do të ngrihej për të kuptuar deri ku krimi i organizuar ka shtënë duart në institucione. Në Shqipërinë tonë të dashur, kjo s’ka shans të ndodhë për sa kohë Edi Rama të jetë në krye dhe Agasët e Beqirajt do të drejtojnë vendin. Kjo është situata më e paprecedentë ndonjëherë. Në probleme të tilla ne kemi denoncuar dominimin e çdo strukture kriminale”, tha Bozdo.Deputeti shtoi se SHISH ishte në shërbim të krimit dhe jo qytetarëve, ndërsa mosreagimi politik do të shënojë shkatërrimin e vendit.“Shërbimi Informativ, institucioni elitë, në vend që të ofrojë siguri për shtetasit e tij, ofron siguri për krimin e organizuar. Kjo është çështja që duhet të ngrihemi ne sot. Sa të kriminalizuar jemi? Ku duam të shkojmë? Jo duke mbyllur sytë e duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duke operuar në këtë mënyrë, po e çojmë vendin drejt shkatërrimit. Përgjegjësia politike nuk ka për t’u harruar asnjëherë”, përmbylli Bozdo. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 15:54 ‘Territorialja’, Balla-opozitës: Ju keni merakun e kryetarit të bashkisë, ne të shërbimeve! ‘Zgjedhoren’ s’e duam pa ju, por mos bllokoni! Ironizon protestën: Shyqyr u rikthyet! Në përgjigje ndaj opozitës, Taulant Balla tha se ndarja e re territoriale sipas socialistëve e vendos synimin te shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve dhe jo se kush do ta drejtojë bashkinë, duke shënuar ndryshimin më të madh mes dy forcave kryesore politike.Kreu i grupit socialist uroi që Partia Demokrative mos të bojkotojë Kuvendin dhe të përsërisë historinë e së kaluarës me reformën administrativo-territoriale. Nuk mungoi as ironia për protestën e thirrur të enjten kundër reformës, si dhe një ftesë që opozita të informohet përmes Pasqyrës së Flamingos, lidhur me çështjen e Sazan-Zvërnecit dhe të tjera që do të publikohen më vonë.“Herën e fundit që e kam dëgjuar shprehjen që nuk qëndrojmë më në këtë sallë me ju ka qenë diku në fillim të 2019. Historia që pasoi dihet: PD iku nga Kuvendi, zgjedhjet dhe pastaj fundi dihet. Uroj shumë, miqësisht, që mos ta merrni këtë vendim. Megjithatë, zgjedhjet janë tuajat. Në 2014 morët të njëjtin vendim për të bojkotuar reformën administrativo-territoriale. Së bashku me LSI asokohe, i dhamë Shqipërisë hapin e parë të një reforme administrativo-territoriale. Rezultatet janë tejet pozitive sepse të ardhurat për çdo banor u 4-fishuan, ndërsa borxhet dhe detyrimet u ulën me ¾. Në thelbin dhe dëshirën tonë është që çdo qytetari të Republikës, t’i ofrojmë shërbimet e duhura. Ky është dallimi i madh mes nesh dhe mes jush. Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë. Kemi ruajtur një standard për bashkitë minoritare që edhe pse nuk i plotësojnë kriteret, do të vazhdojnë të jenë. Mendoja se do të flisnim për reformën, të enjten keni thirrur protestë kombëtare. Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite. Sa i përket ditës së sotme, ju ftoj të bëheni pjesë e Pasqyrës së Flamingos. Keni mundësinë e artë që edhe sot, edhe ju të hyni në këtë platformë dhe të aksesoni dokumentet e vërteta zyrtare e jo ato që shpikni”, tha Balla.Ai u rikujto edhe afatin për reformën zgjedhore duke i kërkuar opozitës që të bashkëveprojë, pasi janë të hapur ndaj kësaj, por nuk tolerojnë pengesa.“Besoj që jeni të gjithë të vetëdijshëm për momentin historik që gjendet vendi. Ursula von der Leyen ishte shumë e qartë: Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten dy vendet pararojë në procesin e anëtarësimit. Shpresoj të luani rolin që duhet të ketë opozita në këtë proces. Reforma tjetër që pret bashkëveprimin me ju është reforma zgjedhore. Kemi një afat në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka. Afati i komisionit mbaron në fund të nëntorit, nuk do të ketë shtyrje. S’duam të kemi reformë zgjedhore pa ju, por harrojeni që mund të bllokoni përmbushjen e detyrimeve”, tha Balla.Në fund, shprehu përkrahje për nismën e Kuvendit të Kosovës për Dhomat e Specializuara pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, por i kërkoi opozitës të përmbahej nga aktet populiste.“Koha për të bërë deklarata populiste apo kërkesa për interpelanca populiste, ju ftoj t’i tërhiqni. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria e zë të përbashkët”, tha Balla. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 15:54 Leja e ndërtimit te parku Tajvan/ Tabaku: Pa garë, pa konkurs e pa procedurë, iu dha besnikut të partisë Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti në Kuvend shqetësimin për shpopullimin, duke thënë se sot ka 56 mijë studentë më pak në bankat e shkollës. Sipas saj, shpopullimi vjen si shkak i korrupsionit, duke u ndalur edhe te godina shumëkatëshe që pritet të ndërtohet te Tajvani.“56 mijë studentë më pak sot janë ulur në bankat e shkollës. Kjo tregon dramën më të madhe që ka sot Shqipëria, dramën e shpopullimit. Këtu është e pamundur të gjesh një punë, të hapësh një biznes, sepse sot është ulur këmbëkryq korrupsioni. Me dhënien e lejes për parkun Tajvan, një park që mbetet një ndër frymëmarrjet e vetme që kishte Tirana, pa garë, pa procedurë, pa konkurs, pa procedurë normale, i ka dhënë leje ndërtimi në mes të parkut kryesor të kryeqytetit besnikut të partisë.Nuk ka asnjë logjikë, sepse Rrogozhina mbetet bashki, ndërkohë që Golemi bëhet pjesë e Bashkisë së Kavajës. Nuk ka logjikë se përse disa bashki vazhdojnë të ekzistojnë, disa të tjera, për qëllime elektorale, i bashkohen disa të tjerave. Ky, për hir të pushtetit, e ka sjellë Shqipërinë në protesta, studentët të largohen, bizneset të mbyllen.Për këtë arsye, leja e dhënë në qendër të Tiranës, pa asnjë procedurë, nuk është diçka e re për Shqipërinë. Është historia e vjetër e lejeve të ndërtimit, që deri dje i jepte si kryebashkiak, sot i jep si kryeministër. Askush tjetër nuk bën dot biznes në Shqipëri. Askush sot nuk ka mundësi me një biznes të ndershëm të mbijetojë. Pushteti ekonomik, politik, mediat janë të përqendruara në pak duar", tha Tabaku. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 15:32 Berisha në Kuvend: Shefen e SHISH-it e rekrutuan bandat dhe kartelet, jeni avokatë të Ramës dhe Vlora Hysenit Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha ngriti sërish çështjen e arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Kreu i PD-së akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për këtë çështje, ndërsa tha se Hyseni është rekrutuar nga “bandat dhe kartelet”. Berisha akuzoi gjithashtu deputetët socialistë se po bëhen “avokatë” të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të SHISH.“Ky Kuvend është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Është shndërruar në një dhunues flagrant të interesave më jetike të qytetarëve shqiptarë. Ky Kuvend është shndërruar në një institucion turpi, që po i shërben në verbëri absolute narkoregjimit, narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.Ju, në vend se të spostoni çdo gjë nga axhenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale, përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Edi Ramës, nuk bëni asgjë. A e dini se çfarë do të thotë shefja e SHISH-it, anëtare e grupit kriminal më të rrezikshëm në Europë? Grupit që dispononte qindra milionë euro për llogari të Ramës, në AKSHI. Grupit që kontrollonte internetin dhe komunikimin e mbarë vendit.Një pjesë e juaja ka porositur vrasje, një pjesë e juaja ka bërë pazaret më të fëlliqura me kartelet e drogës. Dhe tani bëhemi avokatë të Ramës dhe të Vlora Hysenit. Ju vini mbi interesat e shqiptarëve, të Shqipërisë, por edhe mbi interesat e NATO-s e bashkëpunimit ndërkombëtar, interesat mafioze të një njeriu që s’ka as ligj e as moral, që sillet si padron në terren dhe ju si skllevër të tij.Unë e kuptoj që lidhjet tuaja me krimin ju detyrojnë ju të mbani qëndrime të tilla. Si mund të shmangni ju një debat para shqiptarëve në një kohë kur shefen e SHISH-it e rekrutojnë bandat, mafia, kartelet? Ku e gjeni ju këtë moral dhe këtë justifikim? Jeni skllevër të padrinos. Ky Kuvend duhet të zhduket sa më parë. Ky shkelmon çdo interes të shqiptarëve.Po të mos ishin këto, ju Edi Ramën e kishit zhveshur lakuriq, ja kishit nxjerrë të gjitha, problemi është se mbroni ato tuajt ju. Ky kuvend nuk ka moral të ekzistojë, është zëdhënës i Ballukut, i Troplinëve, i Bajrave”, tha Berisha. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 15:21 ‘Po flas për Mallakastrën, dëgjo se është e rëndësishme’, Bardhi ndërpret deputetin, i drejtohet Peleshit: Na jep fjalën për procedurë Deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj, mori fjalën në nisje të seancës plenare në Kuvend për të folur për zonën që përfaqëson, por hasi në kundërshtimin e opozitës, pasi Gazment Bardhi i kërkoi Niko Peleshit të merrte fjalën për procedurë.Klevis Jahaj: Kjo seancë është nga më të rëndësishmet sepse sot kemi mundësi të tregojmë zërin e qytetarëve edhe mbështetësve. Kam shansin që sot të flas për Mallakastrën, për ato punë që janë bërë.Gazment Bardhi: Na jep fjalën për procedurë!Klevis Jahaj: Është shumë e rëndësishme se po flas për Mallakastrën, prandaj duhet të dëgjosh pak. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 14:58 Arrestimi i Vlora Hysenit/ Berisha: Rama është kthyer në avokat të saj dhe Ergys Agasit! Komisioni i Punëve të Brendshme të nisë urgjentisht hetim Para nisjes së seancës plenare, Sali Berisha mblodhi të tijtë në mbledhjen e grupit parlamentar. Fjalën e tij e përqendroi te arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke thënë se Edi Rama është shndërruar në një avokat të saj, Ergys Agasit, por edhe të Roni Yeffet apo Belinda Ballukut.Berisha pretendoi se veprimet e tyre janë bërë me urdhër të Ramës, ndërsa kërkoi që Komisioni i Punëve të Brendshme të nisë urgjentisht hetim për çështjen e ish-kreut të SHISH.“Rama është shndërruar aktualisht në një avokat të pashembullt në histori të Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Roni Yeffetit, Linda Karçanajt, Ermal Beqirit, Belinda Ballukut. I pabesë, i pakarakter siç është, pasi lau duart me ta, tani bën avokatin e tyre. Asnjë njeri nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël se në çdo veprim dhe çdo akt të koordinatorit Ergys Agasi, se çdo veprim dhe akt i Ermal Beqirit, Linda Karçanajt dhe Vlora Hysenit, është urdhri i Edi Ramës, janë ndarja e parave me Edi Ramën, është menaxhimi i parave të Edi Ramës.Kjo është e vërteta. Zërat po gumëzhijnë dhe ndaj ky kalon nga një dalje televizive në një tjetër, përpiqet të shfajësojë, përpiqet të lehtësojë aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, por akte ndër më të rënda në historinë e botës. Shefja e shërbimit inteligjent, që ka dorëzuar sekretet më të rëndësishme të shtetit tek kartelet e drogës dhe ndërmjetësi i tyre, po të kemi parasysh se këto kartele janë shpallur organizata terroriste nga presidenti i SHBA, kjo shkon në lartësinë e tradhtive më të mëdha. Dhe Edi Rama, nuk po përdor epitete, u thotë shqiptarëve se aleatët e çmojnë Vlorën. Shiko gjer ku arrin ky.Komisioni i Sigurisë duhet të kërkojë urgjentisht të ndërmarrë hetim në lidhje me veprimtarinë në shkelje të Konventës së Vjenës dhe Kushtetutës të këtij grupi të strukturuar kriminal, që tani del i kryesuar... në fakt kryetar është Edi Rama, Padrino, por në arrest shtëpie është Vlora Hyseni”, tha Berisha.PD të enjten do të protestojë kundër reformës territoriale. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 14:55 Kundër draftit të PS për territorialen, Vullnet Sinaj mbërrin në Kuvend, i shmanget pyetjeve të gazetarëve Deputeti socialist Vullnet Sinaj mbërriti në Kuvend për seancën plenare, por zgjodhi që të mos i japë asnjë përgjigje pyetjeve të shumta që i drejtuan gazetarët pasi ai doli kundër draftit të PS për Territorialen.“A do ndryshoni ju qëndrim të enjten. Cila do jetë vota? Do votoni kundër në seancë?”, ishin pyetjet e gazetarëve drejtuar Sinajt. SI.E./Shqiptarja.com Share SI.E./P.J/Shqiptarja.com TAG: kuvend PS PD kuvend 5 tetor 2026 Komente Komento Turi: 05/10/2026 17:25 Shish nuk eshte kurre si gestapo e Berishes. Përgjigju Sondazhi i ditës:

3 Tetor, 19:15

Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.4% Jo 21.8% Nuk e di 6.8% Vota total: 2416 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Tetor, 19:15 Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?