Edi Rama gjatë mbledhjes me socialistët Nga Pogradeci te lokalet e Tiranës e deri te Pallati i Brigadave, Edi Rama po mbledh me radhë ministra, deputetë dhe drejtues socialistë. Takime me dyer të mbyllura, ku kufiri mes partisë dhe qeverisë bëhet gjithnjë e më i vështirë për t'u dalluar. Partia Socialiste duket se nuk ka më nevojë për një seli. Ka Pogradecin, ka lokalet dhe rezidencat ku mblidhen deputetët e të deleguarit dhe tani ka edhe Pallatin e Brigadave. Edi Rama po mbledh me radhë ministra, deputetë dhe drejtues politikë, në një seri takimesh që kanë një të përbashkët: zhvillohen larg publikut dhe pas dyerve të mbyllura.
Të enjten radha është sërish e grupit parlamentar socialist. Deputetët janë thirrur në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave dhe në qendër të diskutimeve pritet të jetë nisma “Besa”.
Në vetvete, nuk ka asgjë të pazakontë që kryetari i një partie të mbledhë deputetët apo strukturat e saj. PS ka të drejtë të organizohet, të diskutojë strategjinë politike dhe t'u kërkojë llogari njerëzve të saj.
Problemi fillon kur bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptosh se ku mbaron partia dhe ku fillon qeveria.
Në pak ditë, Rama ka mbledhur socialistët në Pogradec, më pas ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve në Tiranë, ndërsa në Lundër mblodhi deputetët dhe të deleguarit e PS-së për kryeqytetin. Tani grupi parlamentar zhvendoset në Pallatin e Brigadave.
Në të njëjtat tryeza ulen ministri dhe drejtuesi politik, deputeti dhe i deleguari i partisë. Diskutohet për organizimin e PS-së, por edhe për problemet e qytetarëve dhe mënyrën se si ato duhet të ndiqen.
Dhe këtu pyetja është e thjeshtë: kush duhet t'i zgjidhë problemet e qytetarëve, qeveria dhe institucionet apo strukturat e Partisë Socialiste?
PS është partia që qeveris Shqipërinë, por PS nuk është Shqipëria. Qeveria është një institucion i shtetit dhe ministrat nuk administrojnë vetëm hallet e socialistëve. Ata paguhen dhe kanë përgjegjësi për të gjithë qytetarët, pavarësisht se për cilën parti votojnë.
Pas më shumë se një dekade në pushtet, ndarja mes funksionit partiak dhe atij shtetëror duket gjithnjë e më e mjegullt. Një ministër sot shfaqet si anëtar i kabinetit, nesër si drejtues politik qarku dhe pasnesër në një mbledhje ku diskutohen njëkohësisht hallet e qytetarëve dhe organizimi i partisë.
Edhe zgjedhja e Pallatit të Brigadave për mbledhjen e radhës e bën këtë panoramë edhe më simbolike. Pallati nuk është selia e Partisë Socialiste. Është një hapësirë shtetërore. Megjithatë, me ritmin e mbledhjeve politike që zhvillohen aty, rrezikon të krijojë gjithnjë e më shumë pamjen e një selie të dytë të mazhorancës.
Pastaj është çështja e transparencës.
Takimet zhvillohen me dyer të mbyllura. Publiku mëson më pas, me copëza, se çfarë është diskutuar. Nuk ka debat publik, nuk ka mundësi për pyetje dhe shpesh informacioni për atë që është vendosur vjen vetëm përmes deklaratave të pjesëmarrësve apo burimeve mediatike.
Një lloj bunkeri politik, ku vendimmarrja zhvillohet brenda dhe publikut i komunikohet vetëm ajo që vendoset të dalë jashtë.
Kjo bëhet edhe më problematike kur në sallë nuk janë vetëm funksionarë partie, por ministra, deputetë dhe njerëz që mbajnë përgjegjësi publike.
Sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse një ministër është thirrur për të dhënë llogari si drejtues politik i PS-së apo si drejtues i një institucioni shtetëror. Kanë të drejtë të dinë nëse problemet e tyre po trajtohen në ministritë përkatëse apo në mbledhjet e partisë.
Edi Rama mund ta mbledhë Partinë Socialiste sa herë të dëshirojë. Mund t'u kërkojë deputetëve të zbresin në terren, ministrave të dëgjojnë më shumë qytetarët dhe strukturave të funksionojnë më mirë. Kjo është puna e tij si kryetar partie.
Por si kryeministër ka një përgjegjësi tjetër: të ruajë kufirin mes partisë që drejton dhe shtetit që administron.
Sepse demokracia nuk matet vetëm me atë se kush fiton zgjedhjet. Matet edhe me mënyrën se si fituesi sillet me shtetin pasi i fiton ato.
PS mund të jetë partia që qeveris Shqipërinë. Por Shqipëria nuk mund të shndërrohet në selinë e PS-së. /Pamfletirama mbledhje Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Propagandë në vend të transparencës: Si Rama po i kthen ministrat në influencerë 31 Gusht 2026, 20:3920:39Politike Veliaj nuk delegon kompetencat pas shkarkimit të Ristanit, do të firmosë vetë nga paraburgimi; PD kërkon të mblidhet Këshilli 31 Gusht 2026, 19:2219:22Politike Marrëveshja nga e cila Rama s’mund të dalë aq kollaj! 31 Gusht 2026, 19:0819:08Politike Berisha merr vizën amerikane, drejt SHBA në të njëjtën datë kur e përjashtoi Basha 31 Gusht 2026, 17:3917:39Politike Pas përplasjes me Veliajn, Anuela Ristani largohet nga Bashkia e Tiranës 31 Gusht 2026, 17:1517:15Politike Berisha jep detaje për udhëtimin në SHBA: Jam pjesë e një delegacioni ndërkombëtar 31 Gusht 2026, 12:4412:44Politike

