Foto ilustruese Për shtatë vjet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kontrolloi pasuritë, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve e prokurorëve, duke vendosur për fatin e qindra magjistratëve. Por pasi KPK mbylli mandatin kushtetues, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kontrolluar mënyrën se si vetë institucioni menaxhoi paratë publike dhe administratën. Raporti evidenton kërkesa buxhetore të paargumentuara, detyrime të prapambetura të paraportuara, procedura rekrutimi pa rregulla të shkruara, dosje prokurimesh të paarkivuara, fonde limit të padokumentuara, kritere të paargumentuara dhe probleme me marrjen në dorëzim të mallrave e shërbimeve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e mbylli mandatin më 31 dhjetor 2024, pasi për vite me radhë ishte institucioni që kaloi në sitë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit.
Por vetëm pak muaj pas përfundimit të detyrës së tij, është vetë KPK që del nën lupën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Raporti përfundimtar i KLSH-së, i publikuar në qershor 2026, ka audituar aktivitetin ekonomik dhe financiar të Komisionit për periudhën nga 1 tetori 2017 deri më 30 shtator 2024. Dhe ndonëse opinioni i përgjithshëm i audituesve është se veprimtaria e institucionit është zhvilluar “në përgjithësi” në përputhje me kuadrin ligjor, lista e gjetjeve tregon një panoramë shumë më problematike për një institucion që kishte si mision pikërisht integritetin, ligjshmërinë dhe standardet e larta të administrimit publik.
Një nga gjetjet më të forta lidhet me buxhetin.
KLSH konstatoi se në dokumentet e Programit Buxhetor Afatmesëm, KPK kishte paraqitur kërkesa për fonde mbi tavanet e miratuara, ndërsa vlerat e kërkuara ndryshonin nga faza strategjike në fazën teknike pa analizë dhe argumentim të mjaftueshëm.
Audituesit shkojnë edhe më tej: kostot për njësi janë rritur nga viti në vit, ndërkohë që numri i “dosjeve të shqyrtuara” është ulur, pa u dhënë asnjë argument për këtë raport mes shpenzimeve dhe produktit të institucionit.
Pra, institucioni që kërkonte justifikime të detajuara për pasuritë dhe financat e magjistratëve, sipas KLSH-së, nuk ka arritur të argumentojë si duhet disa prej kërkesave të veta financiare.
Edhe më serioze është gjetja për detyrimet e prapambetura.
Në fund të vitit 2023, KPK nuk kishte raportuar 43,842,082 lekë detyrime për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, si dhe 7,450,951 lekë detyrime neto për paga për periudhën shtator-dhjetor 2022.
Në total bëhet fjalë për më shumë se 51.2 milionë lekë detyrime të prapambetura që, sipas KLSH-së, nuk ishin raportuar sipas kërkesave të kuadrit financiar.
Në të njëjtën kohë, raporti tregon se buxheti i KPK-së është rritur ndjeshëm në zërin e pagave dhe sigurimeve gjatë viteve të fundit të mandatit.
Vetëm për vitin 2024 institucioni kishte përllogaritur nevojën për 208 milionë lekë fonde shtesë për detyrime të lidhura me diferencat e pagave për periudhën 2017-2023. Raporti evidenton gjithashtu pagesa shtesë për “vështirësi në punë”, të cilat për këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë mund të arrinin deri në tre paga mujore, sipas vendimeve përkatëse.
Por një tjetër kapitull që bie fort në sy është ai i rekrutimeve.
KPK, institucioni që vlerësonte profesionalizmin dhe figurën e njerëzve të drejtësisë, nuk kishte hartuar një procedurë të shkruar për rekrutimin e punonjësve administrativë.
Po ashtu, sipas KLSH-së, nuk kishte një procedurë të shkruar as për mënyrën e funksionimit të komitetit “ad-hoc” që administronte procesin e emërimeve në institucion.
Raporti evidenton se në vite KPK ka pasur një numër të konsiderueshëm rekrutimesh dhe kontratash të përkohshme. Vetëm në vitin 2021 rezultojnë 24 rekrutime të reja dhe 12 punonjës të marrë me kontratë të përkohshme; në vitin 2022 pati 13 rekrutime dhe 11 kontrata të përkohshme; ndërsa gjatë vitit 2023 rezultojnë 12 emërime të reja dhe 9 punonjës me kontratë të përkohshme.
KLSH nuk thotë se këto emërime ishin të paligjshme, por konstaton pikërisht mungesën e rregullave të shkruara që duhet të garantonin standardizimin e procesit.
Dhe në një institucion që për vite me radhë vendoste nëse një gjyqtar apo prokuror plotësonte standardet e ligjit, mungesa e procedurës së shkruar për rekrutimin e stafit të vet është më shumë se një detaj administrativ.
Edhe prokurimet kanë prodhuar një seri gjetjesh.
KLSH konstatoi se jo të gjitha procedurat e prokurimit të KPK-së ishin pasqyruar në regjistrat përkatës. Praktikat e prokurimeve rezultonin të painventarizuara dhe të paarkivuara, çka sipas audituesve krijonte rrezik për dëmtimin apo humbjen e dokumentacionit.
Në 5 procedura, KPK nuk kishte dokumentuar mënyrën se si ishte përllogaritur fondi limit.
Në 8 procedura, nuk ishte argumentuar teknikisht pse ishin vendosur kriteret për kualifikimin e operatorëve ekonomikë.
Në 4 raste, dokumentacioni i ofertave të skualifikuara nuk ishte administruar siç kërkonin rregullat.
Ndërsa në 14 procedura, marrja në dorëzim e mallrave ose shërbimeve nuk ishte kryer sipas kërkesave ligjore, ose për shkak të përbërjes së komisioneve, ose për shkak të mungesës së dokumentacionit që duhej të shoqëronte furnizimet.
Një prej rasteve të evidentuara lidhet me blerjen e tonerëve për printera në vitin 2023, me fond limit afro 1 milion lekë pa TVSH. KPK kishte vendosur një seri kriteresh, përfshirë certifikime ISO dhe kërkesa të tjera teknike, por KLSH konstaton se komisioni nuk kishte argumentuar teknikisht pse kërkoheshin këto kritere.
Në një tjetër procedurë për mirëmbajtjen e pajisjeve elektronike në vitin 2019, operatorëve u kërkoheshin disa certifikime ISO, por edhe në këtë rast KLSH gjeti se mungonte argumentimi teknik i kriterit.
Problemet vijojnë edhe pas shpalljes së fituesve.
Në disa raste, për mallrat e blera mungonin procesverbalet e marrjes në dorëzim; në të tjera komisionet nuk kishin specialistë të fushës; ndërsa për blerje kompjuterësh KLSH konstatoi mungesën e dokumenteve që duhet të vërtetonin cilësinë dhe origjinën e mallrave, si certifikatat e cilësisë, certifikatat e origjinës apo raportet e testimit.
Një tjetër gjetje prek dietat.
Sipas auditimit, pas gushtit 2018 KPK kishte vijuar të përllogariste në shumicën e rasteve dieta të udhëtimeve brenda vendit duke iu referuar një kuadri të vjetër ligjor, ndërsa duhej të përdorte rregullat e reja. KLSH përllogariti një efekt financiar prej 262,200 lekësh nga diferencat e krijuara.
Në raport del gjithashtu një element paradoksal në mënyrën se si institucioni menaxhonte procedurat financiare. KPK kishte kërkuar dhe kishte marrë miratim nga Ministria e Financave që të mos kalonte në përdorimin e portalit elektronik të menaxhimit buxhetor, fillimisht me argumentin se specialistja e financës ishte me raport dhe më pas me argumentin se institucionit i kishte mbetur pak kohë deri në përfundimin e mandatit. Ndërkohë, kërkesat buxhetore vijonin të përgatiteshin jashtë sistemeve AFMIS dhe PIM, çka KLSH e evidenton në raport.
Ironia e raportit është e vështirë të anashkalohet.
Për vite me radhë, KPK ishte institucioni që kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorët të provonin çdo burim financiar, të shpjegonin çdo paqartësi dhe të mbanin përgjegjësi për mangësi që në shumë raste u kushtuan karrierën.
Por auditimi i KLSH-së tregon se vetë institucioni që bëri vetingun nuk ka qenë imun ndaj problemeve të administrimit: kërkesa buxhetore pa argumentim të plotë, detyrime të paraportuara, procedura rekrutimi pa rregulla të shkruara, dokumente prokurimi të paarkivuara, fonde limit të padokumentuara, kritere të paargumentuara dhe mallra të marra në dorëzim pa dokumentacionin e plotë.
Duhet theksuar se KLSH i ka cilësuar parregullsitë në prokurime si jo materiale dhe në opinionin përfundimtar nuk e ka rrëzuar veprimtarinë e KPK-së në tërësi. Audituesit thonë se institucioni, në përgjithësi, ka vepruar në përputhje me kuadrin ligjor.
Por pikërisht standardi i jashtëzakonshëm me të cilin KPK gjykoi për shtatë vjet të tjerët e bën raportin të rëndësishëm.
Sepse pyetja që mbetet pas mbylljes së mandatit të vetingut nuk është vetëm sa gjyqtarë dhe prokurorë kaluan apo u rrëzuan nga sita.
Është edhe një tjetër: kush e bëri vetingun e vetë vetingut?
Tashmë një pjesë të përgjigjes e ka dhënë KLSH-ja. Dhe ajo tregon se institucioni që kërkoi llogari nga gjithë sistemi i drejtësisë, në administrimin e shtëpisë së vet la pas jo pak probleme për t’u shpjeguar. /Pamfletikpk vetingu abuzime Dokumenta bashkëngjitur Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Situata me zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 33 vatra në 24 orë, 6 ende aktive 24 Gusht 2026, 11:1411:14Aktualitet Bankers nën akuzë për skemën e nënkontraktimeve, por loja vazhdon: Ndryshojnë kompanitë, miliona euro taksa në rrezik 24 Gusht 2026, 11:0911:09Aktualitet “Gjeografia e pabarazisë”: Kriza që po prodhon shpopullimi i periferisë në Shqipëri 24 Gusht 2026, 10:4210:42Aktualitet Emigrantët kthehehen në Greqi, radhë të gjata automjetesh në Kakavijë; pala greke vetëm me një sportel 24 Gusht 2026, 10:0110:01Aktualitet Situatë kritike në Gojan të Pukës, zjarri përpin malin dhe kërcënon fshatrat 24 Gusht 2026, 08:4908:49Aktualitet “Shqiptarët që bënë Greqinë”, Aristidh Kolia dhe debati për rolin historik të arvanitasve 24 Gusht 2026, 07:5607:56Aktualitet

