Tre vjet më parë, në orën 06:29 të mëngjesit, Izraeli u zgjua nën sulmin më të rëndë në historinë e tij të fundit. Më 7 tetor 2023, militantët e Hamasit depërtuan nga Gaza në territorin izraelit. Rreth 1,200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Tre vjet më pas, pikërisht në orën 06:29, të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave u mblodhën sërish në Re'im, pranë vendit ku po zhvillohej festivali muzikor Nova. Vetëm aty, 378 persona u vranë dhe 44 u rrëmbyen. Gjatë gjithë ditës, Izraeli përkujton viktimat me ceremoni në të gjithë vendin, ndërsa në disa qytete flamujt janë ulur në gjysmështizë. Ceremonia kryesore e organizuar nga të mbijetuarit dhe familjet e viktimave mbahet në mbrëmje në Tel Aviv. LEXO EDHE:3 vjet nga sulmi i Hamasit në Izrael/ Rama: Ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë, antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes Ky është edhe përvjetori i parë që Izraeli e shënon me të gjithë pengjet të kthyer në shtëpi. Mes tyre është Elkana Bohbot, i rrëmbyer në festivalin Nova. Ai kaloi 738 ditë në robëri dhe ka treguar se për pjesën më të madhe të kohës u mbajt rreth 50 metra nën tokë, në tunelet e Gazës. Por sulmi i 7 tetorit hapi edhe kapitullin më shkatërrues për Gazën. Izraeli nisi një ofensivë të gjerë ushtarake kundër Hamasit, e cila e ka kthyer pjesën më të madhe të territorit palestinez në rrënoja. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të drejtuar nga Hamasi, më shumë se 74 mijë palestinezë janë vrarë që prej fillimit të luftës. Rreth 90 për qind e popullsisë së Gazës është detyruar të largohet nga shtëpitë. Tre vjet më pas, shumë prej afro dy milionë banorëve vazhdojnë të jetojnë në tenda dhe strehime të improvizuara, mes mungesës së ushqimit, ujit të pastër dhe kujdesit mjekësor. Lufta u ndal në tetor të vitit të kaluar, pas marrëveshjes së arritur mes Izraelit dhe Hamasit në kuadër të planit të paqes të Presidentit amerikan Donald Trump. Megjithatë, autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se mbi 1,460 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që prej shpalljes së armëpushimit, ndërsa ushtria izraelite thotë se operacionet kanë në shënjestër militantë dhe drejtues të Hamasit. Bilanci ushtarak i këtyre tre viteve tregon përmasat e konfliktit. Ushtria izraelite thotë se ka goditur rreth 100 mijë objektiva në fronte të ndryshme, rreth 65 mijë në Rripin e Gazës, 28 mijë në Liban dhe Siri, 4,500 në Iran dhe rreth 80 në Jemen. Në 3-vjetorin e sulmit, kanë reaguar edhe drejtuesit e Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se “asgjë nuk e justifikon terrorin” dhe se BE është e gatshme të ndihmojë që armëpushimi i brishtë të kthehet në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete. Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola bëri thirrje për të dyfishuar përpjekjet kundër antisemitizmit, ndërsa presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa theksoi se BE do të mbrojë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri, duke përsëritur se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë për një paqe të qëndrueshme. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi 7 tetorin “një akt barbar terrori” dhe shprehu solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre. Reagoi edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se Shqipëria qëndron pranë Izraelit edhe në ditët më të errëta. Lajm në përditësim… Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 10:51 3 vjet nga sulmi i Hamasit/ Von der Leyen: Asgjë nuk e justifikon terrorin, zgjidhja me dy shtete rruga drejt paqes Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përkujtuar 3-vjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke deklaruar se Bashkimi Europian është i gatshëm të kontribuojë për ta shndërruar armëpushimin e brishtë në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.“Nderojmë viktimat dhe qëndrojmë pranë familjeve që vazhdojnë të mbajnë peshën e rëndë të dhimbjes”, shkroi von der Leyen, duke kujtuar “jetët e të rinjve të ndërprera gjatë një festivali muzikor dhe kalvarin e gjatë të pengjeve”.Presidentja e Komisionit Europian theksoi se BE qëndron pranë të gjithë atyre, jeta e të cilëve ndryshoi përgjithmonë nga sulmi.“Mizoria e papërshkrueshme dhe terrori i 7 tetorit nuk duhet të përsëriten kurrë. Asgjë nuk e justifikon terrorin. Bashkimi Europian mbetet i gatshëm të kontribuojë për ta shndërruar armëpushimin e brishtë aktual në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha von der Leyen. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 10:46 BE përkujton 3 vjetorin e sulmit të Hamasit në Izrael, Metsola: Të çrrënjosim antisemitizmin! Costa: Zgjidhja me dy shtete, e vetmja rrugë Drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Europian kanë përkujtuar viktimat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke dënuar terrorizmin dhe antisemitizmin, ndërsa kanë përsëritur angazhimin për paqe në Lindjen e Mesme.Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, tha se plagët e 7 tetorit mbeten ende të hapura dhe bëri thirrje për forcimin e luftës kundër antisemitizmit.“Parlamenti Europian kujton viktimat e asaj dite tmerri, duke rinovuar angazhimin për t’i dhënë fund terrorizmit, për të gjetur një rrugë drejt paqes dhe për të dyfishuar përpjekjet për të çrrënjosur të keqen e vjetër të antisemitizmit”, tha Metsola.Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha se asgjë nuk mund ta justifikojë terrorin, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri.“Asgjë nuk mund ta justifikojë një terror të tillë, i cili nuk duhet të përsëritet kurrë. Zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e mundshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha Costa.Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e cilësoi sulmin e 7 tetorit një “akt barbar terrori” dhe shprehu solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.“Sot qëndrojmë përkrah Izraelit duke kujtuar çdo jetë të marrë dhe të shkatërruar nga terroristët e Hamasit. Mendimet tona janë me viktimat, të mbijetuarit, familjet e tyre dhe të gjithë ata që vazhdojnë të mbajnë dhimbjen e asaj dite të tmerrshme”, tha Kallas. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 10:44 3 vjet nga sulmi i Hamasit/ Macron: Franca kundër antisemitizmit dhe terrorizmit! Merz: Gjermania në krah të Izraelit Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë përkujtuar 3-vjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Macron tha se Franca nuk harron viktimat e sulmit, ku u vranë mbi 1,200 persona, mes tyre 51 shtetas francezë.“Të luftojmë antisemitizmin dhe terrorizmin, kudo dhe gjithmonë, dhe të punojmë për paqen dhe sigurinë e të gjithëve: ky është angazhimi i Francës”, shkroi Macron.Merz deklaroi se “Gjermania qëndron fuqishëm në krah të Izraelit” dhe se do të luftojë antisemitizmin në të gjitha format e tij.“Miqtë tanë izraelitë mund të mbështeten në angazhimin tonë që një krim i tillë të mos përsëritet më kurrë. Angazhohemi për sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit”, tha Merz.Kancelari gjerman rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete, duke e cilësuar krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit si rrugën për paqe dhe siguri për të dy popujt. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 09:24 3 vjet nga sulmi i Hamasit në Izrael/ Rama: Ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë, antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes Kryeministri Edi Rama ka reaguar në përvjetorin e sulmit të 7 tetorit në Izrael, duke kujtuar viktimat dhe pengjet e marrë nga Hamasi gjatë sulmit të vitit 2023. Në një mesazh të publikuar në X, Rama u shpreh se, edhe pas tre vitesh, “ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë” për familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit.“Tre vjet kanë kaluar që nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të dashurit e të cilëve u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata që jeta e të cilëve u copëtua dhe për të mbijetuarit që mbanin plagë që asnjë sy nuk mund t'i shohë, ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë vërtet”, shkruan Rama.Kryeministri kujton edhe vizitën e tij në Nova, vendin ku në 7 tetor 2023 u zhvillua festivali muzikor dhe ku humbën jetën shumë të rinj.“Më herët këtë vit, qëndrova në Nova. Ka vende ku heshtja flet më shumë se fjalët, dhe Nova është një prej tyre. Të rinj nga shumë kombe ishin mbledhur atje për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, dhe jetët e tyre u vodhën nga errësira e urrejtjes dhe terrorit”, shprehet Rama.Në vijim të mesazhit të tij, kreu i qeverisë u referua edhe konceptit shqiptar të “Besës”, duke e lidhur atë me historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit.“Në Shqipëri, kemi një fjalë që përmban një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të thyhet. Në orën më të errët të Evropës, gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke strehuar hebrenjtë nga Holokausti, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar njerëzit e shënuar për vdekje”, shkruan ai.Rama thekson se kjo trashëgimi kërkon që kujtesa të ruhet dhe që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve.“Sot, kjo trashëgimi kërkon diçka nga ne. Ajo kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që dhembja të mos braktiset kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve, dhe që ne t'u qëndrojmë besnikë miqve tanë edhe në orët e tyre më të errëta. Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që mban zi sot: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”, përfn Rama. Xh.K/Shqiptarja.com Share Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com TAG: Gaza BE lufta ne rripin e gazes Izrael Komente Komento Sondazhi i ditës:
3 Tetor, 19:15
Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.4% Jo 22.1% Nuk e di 6.6% Vota total: 3800 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Tetor, 19:15 Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?
