Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas daljes publike të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke rikthyer akuzat e opozitës për raportet e pretenduara të tij me Ron Yeffet dhe çështjen e trafikut ndërkombëtar të armëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi e quan ministrin “Ermal Raketa” dhe pretendon se prej tre javësh ai nuk ka dhënë përgjigje për akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas tij, që prej fillimit të muajit, ministri i Mbrojtjes është përballur me pretendime të opozitës për lidhje me Ron Yeffet dhe për përfshirje në trafik ndërkombëtar armësh, akuza për të cilat Këlliçi kërkon shpjegime publike. Sipas Këlliçit, dalja publike e ministrit pas disa javësh lidhet me zhvillimet e fundit rreth ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Ai pretendon se ministri shpreson që kjo çështje të ketë zhvendosur vëmendjen nga akuzat për armët. Nënkryetari i PD-së paralajmëron se opozita do ta ndjekë çështjen dhe kërkon nga ministri transparencë për marrëdhëniet e tij të pretenduara me Yeffet, si dhe për prodhimin dhe shitjen e armëve nga Shqipëria. Postimi i plotë:
Prej 3 javësh nën akuza të rënda, Ermal Raketa shfaqet pas skandalit të Vlora Hysenit në një rezervuar fshati…!
Prej fillimit të muajit, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i njohur si Ermal Raketa, është nën akuza të rënda, si ndihmës i koordinatorit të Edi Ramës për punët e pisëta, Ron Yeffet, dhe i dyshuar për trafik ndërkombëtar armësh.
Edhe pse kanë kaluar 3 javë, Ermal Raketa nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Por ai ka gjetur guximin të shfaqet sot në një rezervuar në Lushnje ku po ndodh një krim mjedisor. Dhe madje ka folur për masat që po merrte ushtria!
I fshihet akuzave për krime shumë të rënda, dhe nxjerr krye në një rezervuar fshati.
Asyeja pse Ermal Raketa u shfaq pas 3 javësh errësirë, është shpresa e tij se skandali i Vlora Hysenit do të ketë ndikuar që të harrohet skandali i armëve. Këto janë ato pak momente çliruese që provojnë bashkëpunëtorët e Edi Ramës të zhytur në afera, kur një gjë edhe më e rëndë ndodh. Ata marrin oksigjen dhe kurajo të dalin në publik.
Sidoqoftë, Ministri i Mbrojtjes duhet ta dijë mirë se akuzat ndaj tij qëndrojnë dhe do të ndiqen nga PD deri në fund. Ai duhet të bëjë transparencë se cilat janë raportet e tij me Ron Yeffet dhe çfarë armësh prodhohen këtu që shiten në zonat në luftë.
Nuk e shpëton dot Ermal Raketën as skandali i Vlora Hysenit, i Gys Agasit, i Belinda Ballkut, as ai që pritet në vijim nga regjisori austriak ku pritet të mësohen rryshfetet e mëdha të inceneratorëve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

