Lajme Zone
Gianni Infantino punoi kundër UEFA-s me projektin e Superligës Evropiane, 'The Guardian' zbulon dokumentet: FIFA kërkonte kontrollin e plotë të futbollit
SportShqiptarja

Gianni Infantino punoi kundër UEFA-s me projektin e Superligës Evropiane, 'The Guardian' zbulon dokumentet: FIFA kërkonte kontrollin e plotë të futbollit

Gazeta 'The Guardian' ka zbuluar dokumente që datojnë që nga viti 2020, një marrëveshje paraprake për të krijuar një garë të pavarur. Kjo hedh një hije tjetër mbi menaxhimin e futbollit nga presidenti i FIFA-s, Infantino.

Globalizmi dhe rritja e numrave kanë qenë shenjat dalluese të politikës së Gianni Infantinos që nga viti 2016, kur ai mori për herë të parë drejtimin e FIFA-s. Në vitin 2018, ai mbështeti ofertën e një konsorciumi investitorësh të udhëhequr nga kompania japoneze SoftBank, e gatshme të investonte 25 miliardë dollarë për të zgjeruar Kupën e Botës për Klube dhe për të krijuar një Nations League globale. Megjithatë, ky projekt u hodh poshtë nga Këshilli i FIFA-s. Dy vjet më vonë, në kulmin e pandemisë, ndërsa klubet më të mëdha evropiane po shfaqnin pakënaqësi ndaj mënyrës se si funksiononte industria e futbollit, Infantino pa një mundësi dhe nisi kontakte me disa prej tyre. LEXO EDHE:Enea Jorgji thirret në apel, UEFA i beson sfidën e Conference League arbitrave nga Shqipëria Objektivi mbeti i njëjtë, të sfidonte UEFA-n, e cila kontrollonte garën më fitimprurëse të futbollit evropian, Champions League dhe ta vendoste FIFA-n në qendër të biznesit të futbollit, edhe nëse kjo do të nënkuptonte anashkalimin e statuteve ekzistuese. Zbulimi i The Guardian - Dyshimet ekzistonin prej kohësh, por konfirmimi erdhi tani, pas publikimit nga The Guardian të dokumenteve të vitit 2020. Gazeta britanike siguroi një 'marrëveshje paraprake jo detyruese' që parashikonte krijimin e "FIFA Super League". Në prill të vitit 2021, projekti i Superligës u shpall nga 12 klube evropiane, por u rrëzua brenda pak orësh për shkak të protestave masive të tifozëve, qeverive dhe institucioneve të futbollit. Në atë kohë, Infantino u rreshtua publikisht në krah të presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke deklaruar: "Mund vetëm ta dënojmë me forcë një Superligë të mbyllur, të ndarë nga institucionet aktuale, kampionatet, federatat, UEFA dhe FIFA." Megjithatë, dokumentet tregojnë se vetëm disa muaj më parë ai kishte qenë pjesë e negociatave për krijimin e një kompeticioni të tillë. Madje, në dokumente FIFA identifikohej me emrin e koduar "WO1", një kod që në ushtrinë britanike përdoret për një oficer të rangut të lartë. Çfarë parashikonte marrëveshja - Sipas dokumentit paraprak, partneriteti mes FIFA-s dhe Superligës do të zgjaste të paktën 12 vjet; do të krijohej një shtojcë për menaxhimin e të gjitha aktiviteteve tregtare të Superligës dhe të Kupës së Botës për Klube; Botërori i Klubeve do të zhvillohej çdo vit, gjatë një periudhe fikse prej tre javësh; Superliga do të kishte edhe një version për femra; gara do të përbëhej nga 15 klube të përhershme dhe 5 skuadra të kualifikuara përmes garave ekzistuese. Gjithashtu, FIFA do të përfitonte një "pjesëmarrje aksionare të privilegjuar", që do t'i jepte të drejtën e fjalës së fundit për: ndryshimet e formatit të garës; kalendarin ndërkombëtar; shpërndarjen e fondeve; emërimin e drejtorit ekzekutiv të kompeticionit. Në të njëjtën kohë, projekti parashikonte, reduktimin e ndeshjeve të kombëtareve në vetëm dy periudha nga dy javë gjatë vitit; uljen e numrit të skuadrave në kampionatet kombëtare. Në këtë mënyrë, FIFA do të merrte kontroll më të madh mbi organizimin e futbollit botëror, duke anashkaluar federatat e saj anëtare. Roli i Infantinos - Sipas The Guardian, "Infantino ishte ndër anëtarët e stafit të FIFA-s të përfshirë në projekt dhe ishte plotësisht në dijeni të zhvillimit të negociatave." Nuk dihet ende pse bisedimet nuk kaluan përtej marrëveshjes paraprake. Burime të cituara nga gazeta britanike thonë se më vonë Infantino u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij se nuk dëshironte të punonte kundër institucioneve të futbollit. Megjithatë, zhvillimet e ditëve të fundit forcojnë bindjen se presidenti i FIFA-s ka kërkuar vazhdimisht të ndryshojë ekuilibrat ekzistues të futbollit dhe të zgjerojë ndikimin e organizatës që drejton. Këtë e dëshmon edhe ideja e tij më e fundit për t'u shitur investitorëve privatë një pjesë e aseteve tregtare të FIFA-s. Edhe pse FIFA sapo ka njoftuar 15 miliardë dollarë të ardhura për ciklin financiar 2022 - 2026 dhe zotëron rreth 5 miliardë dollarë në para dhe aktive financiare, plani i prezantuar javën e kaluar dhe i tërhequr pas protestave të shumta, parashikonte shitjen e 20% të të drejtave komerciale të turneve më fitimprurës, përfshirë Kupën e Botës, për 4.2 miliardë dollarë. Sipas kritikëve, një marrëveshje e tillë nuk do të kishte qenë veçanërisht e favorshme për FIFA-n, ndërsa fituesit më të mëdhenj do të kishin qenë investitorët privatë. S.Dh/Shqiptarja.com TAG: FIFA uefa Gianni Infantino Aleksandër Ceferin Superliga Europiane Komente Komento Sondazhi i ditës:

5 Gusht, 13:27

GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 35.7% Jo 59.5% Nuk e di 4.8% Vota total: 1491 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 5 Gusht, 13:27 GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?