Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e saj për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të ri katërvjeçar në krye të FIFA-s. Përmes një letre zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, FSHF ka njoftuar revokimin e mbështetjes së dhënë më parë për kandidaturën e presidentit aktual të organizatës botërore të futbollit.
Vendimi është marrë pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të situatës, siç theksohet në letrën e firmosur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e z. Infantino”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Federata shqiptare e lidh këtë vendim me zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar dhe me qëndrimet e shprehura nga federata europiane lidhur me proceset e qeverisjes së FIFA-s.
Në deklaratën e saj, FSHF thekson gjithashtu se mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, me synimin për të mbështetur një qeverisje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës.
Tërheqja e mbështetjes nga Shqipëria vjen në një moment kur drejtimi i Gianni Infantinos po përballet me kritika dhe qëndrime të forta nga brenda futbollit europian, duke e bërë garën për presidencën e FIFA-s gjithnjë e më të debatueshme. Top Channel

