Lajme Zone
Gushti nis me fluks të lartë në pikat kufitare: Emigrantët kthehen për pushime
SportJOQ Albania

Gushti nis me fluks të lartë në pikat kufitare: Emigrantët kthehen për pushime

Fluksi i udhëtarëve mbetet i lartë në pikat kufitare dhe në Portin e Durrësit, ndërsa sezoni turistik veror vijon të sjellë rritje të ndjeshme të lëvizjeve hyrëse dhe dalëse.

Fluksi i udhëtarëve mbetet i lartë në pikat kufitare dhe në Portin e Durrësit, ndërsa sezoni turistik veror vijon të sjellë rritje të ndjeshme të lëvizjeve hyrëse dhe dalëse.

Gjatë katër ditëve të para të muajit gusht, në pikën kufitare të Kapshticës janë përpunuar mbi 37 mijë udhëtarë, ndërsa në Qafë Thanë mbi 42 mijë. Edhe këtë vit, hyrjet nga Maqedonia e Veriut rezultojnë më të shumta se ato nga Greqia, kryesisht për shkak të fluksit të emigrantëve dhe turistëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Përveç lëvizjeve të pushuesve, kufiri vijon të frekuentohet edhe nga qytetarë që e kalojnë atë çdo ditë për t'u furnizuar me produkte ose për të marrë karburant. Vetëm në ditët e para të gushtit, në Qafë Thanë janë regjistruar rreth 42 mijë hyrje-dalje, afro 5 mijë më shumë krahasuar me Kapshticën.

Megjithatë, jo të gjithë bashkatdhetarët largohen të kënaqur. Disa prej tyre shprehen se rritja e çmimeve në Shqipëri ka ndikuar negativisht në përvojën e tyre gjatë pushimeve.

Për të përballuar fluksin e shtuar, autoritetet kanë rritur numrin e punonjësve në të dyja pikat kufitare, me synim përshpejtimin e procedurave dhe shmangien e vonesave.

Rritje të ndjeshme të lëvizjeve po regjistrohen edhe në transportin detar. Në Portin e Durrësit, pushuesit që kanë kaluar pushimet në Shqipëri vlerësojnë bukuritë natyrore, bregdetin dhe mikpritjen, duke u shprehur se do ta rekomandojnë vendin edhe te familjarët dhe miqtë e tyre.

"Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Kam dëgjuar shumë vlerësime pozitive, sidomos për Durrësin, por edhe për Tiranën, të cilën kam në plan ta vizitoj. Këtë herë do të qëndroj vetëm pak ditë, por jam i bindur se do të rikthehem sërish," shprehet një prej turistëve.

Sipas të dhënave zyrtare të Portit të Durrësit, gjatë shtatë muajve të parë të vitit kanë udhëtuar mbi 349 mijë pasagjerë. Muaji korrik shënoi edhe kulmin e sezonit, me më shumë se 112 mijë udhëtarë.