Turistja australiane Amy Lecons, e cila u pickua nga nepërka me bri ndërsa eksploronte Alpet Shqiptare në qershor, ka rrëfyer në detaje për Truth Times ditën kur ndodhi ngjarja, telefonatat për ndihmë dhe videon virale që grumbulloi miliona klikime. Duke u kthyer pas, vrapuesja e cila jeton në Zelandën e Re, thotë se më 22 qershor do të vraponte rreth 90 minuta në shtigjet e Valbonës pasi më në fund i ishte rikthyer rutinës pas 7 muajsh, por nuk u kthye dot në bujtinën ku qëndronte prej tri ditësh. Ndërsa kishte përshkuar 7 nga 11 kilometra të itinerarit të saj, nepërka e pickoi. Telefonatat drejt numrit të emergjencës nuk realizoheshin. E dëshpëruar, telefonoi të atin, një mjek që ndodhej kilometra të tëra larg. LEXO EDHE:‘Një nga zonat e fundit të egra të Europës’- CNN artikull për Alpet Shqiptare: Bukuri mahnitëse, po tërheqin turistë nga e gjithë bota Lecons tregon se udhëton me fare pak gjëra. “Me vete kisha telefonin, shkopinjtë e vrapimit, kamerën, ujë, krem kundër diellit dhe një kub Rubiku,” tha ajo. “Zakonisht marr me vete një çantë të vogël të ndihmës së parë, por për çfarëdo arsyeje, atë ditë nuk e kisha me vete.” Lecons i njeh gjarpërinjtë. Ajo ishte përballur me ta më parë në Greqi dhe i kishte parë të kalonin nëpër shtigje dhe rrugë në Shqipëri, por përvoja e saj me ta shkonte edhe më larg: më parë kishte jetuar për një sezon të thatë në territorin verior të Australisë, ku ishte përballur me shumë gjarpërinj në natyrë dhe madje një herë kishte shkelur mbi një gjarpër johelmues me ngjyrë gri të errët. “Atë mëngjes, herë pas here flisja me zë të lartë, këndoja ose përplasesha pa nevojë me shkopinjtë e mi dhe i bija fort tokës me këmbë për të trembur çdo ‘litar të frikshëm’ të mundshëm që mund të afrohej pranë shtegut.” Pasi pak më herët kishte kaluar pranë një grupi të madh alpinistësh që po ecte në drejtimin e kundërt, ajo pranon se kishte ulur disi vigjilencën, duke menduar se çdo gjarpër aty pranë tashmë do të ishte larguar. Po zbrisja një kthesë kur më kafshoi”, tregon ajo. Lecons tha se nuk kishte asnjë dyshim për atë që kishte ndodhur. “E kuptova menjëherë se më kishte kafshuar një gjarpër, pasi ndjeva një dhimbje të mprehtë në tendinën e Akilit të këmbës së majtë. Sikur gjithçka të ndodhte në lëvizje të ngadaltë, pashë gjarprin poshtë këmbëve të mia, ndërsa u përkula mbi të dhe ndalova ngadalë.” Instinkti i saj i parë, pasi shau nga dhimbja, ishte të kapte telefonin. “E dija se një video ishte mënyra më e mirë për ta dokumentuar tërësisht gjarprin, me qëllim identifikimin e tij. Nuk e kisha idenë, derisa e pashë videon më vonë, se kisha filluar të këndoja.” Duke u mbështetur te trajnimi për ndihmën e parë që kishte marrë gjatë viteve të jetesës në Australi, ajo kujtoi dy gjërat që kishin më shumë rëndësi: identifikimin e gjarprit për ekipet mjekësore dhe qëndrimin e palëvizur. “Pasi e filmova gjarprin, u ula në shteg. Nuk kisha frikë nga gjarpri që ndodhej diku në shkurret përreth meje, pasi nuk kishte shumë gjasa të më sulmonte përsëri, përveçse nëse do ta provokoja.” Në orën 10:20, Lecons telefonoi 112. “Kjo telefonatë zgjati më pak se një minutë, përpara se të ma mbyllnin,” tha ajo. “Kërkova dikë që fliste anglisht, por, ndërkohë që në anën tjetër të telefonatës ishte dikush që herë pas here përgjigjej, unë nuk e kuptoja se çfarë po thuhej dhe telefonata u ndërpre.” Dy minuta më vonë, në orën 10:22, ajo iu drejtua WhatsApp-it dhe telefonoi babain e saj në Australi. “Duke u ndier e pafuqishme, në orën 10:22 bëra një telefonatë në WhatsApp me babain tim, i cili është mjek në Australi,” tha ajo. Pasi ai i tregoi ç’të bënte, Lecons i dërgoi vendndodhjen e saj të saktë përmes një aplikacioni. A e mbylli telefonatën për të nisur kontaktimin me shërbimet australiane të emergjencës, ndërsa Amy telefonoi për herë të dytë 112. Kjo telefonatë zgjati 53 sekonda përpara se të përfnte në të njëjtën mënyrë si e para. “Sinqerisht, mendova se e gjithë kjo ishte paksa një reagim i tepruar dhe se, në rastin më të keq, mund të merrja një infeksion bakterial nga shpimi, por ndoqa këshillat e babait tim,” tha ajo, ende pa e ditur se çfarë lloj gjarpri e kishte kafshuar. Pa mjetet e duhura mjekësore në dispozicion, ajo improvizoi. “Pa fashot e përshtatshme kompresive, hoqa çorapet dhe bluzën e hollë dhe i lidha rreth zonës së kafshimit, sa më mirë që munda, për ta mbajtur gjymtyrën të palëvizshme.” Për një periudhë pas kësaj, tha ajo, ishte kryesisht vetëm. Pas rreth 15 minutash, ajo vendosi se një kontakt vendas mund të ishte më efektiv se numri i emergjencës dhe telefonoi pronarin e bujtinës në Shkodër, ku kishte qëndruar së fundmi. “Ai u përgjigj menjëherë, e kuptoi seriozitetin e situatës dhe filloi të telefononte njerëz të ndryshëm,” tha ajo. “Vetëm disa javë më vonë kuptova se ishte ai që kishte bërë të mundur që Qendra Verore e Valbonës të vihej në kontakt me mua, ndërsa shërbimet australiane të emergjencës po arrinin të kontaktonin Interpolin pothuajse në të njëjtën kohë.” Sipas Lecons, një ambulancë u nis rreth 25 minuta pas kafshimit. Për shkak se ajo ndodhej në një shteg të largët, ekipit të shpëtimit iu deshën edhe 30 minuta të tjera për të arritur tek ajo, të ndjekura nga një orë tjetër derisa mbërriti në spitalin e Bajram Currit, ku iu dha kundërhelm. I ati, Robert Lecons, tregon se ndërsa fliste me të bijën, e kërkoi në Google gjarprin që e kishte kafshuar dhe kuptoi menjëherë se vajza ndodhej në rrezik. “Si baba, dëshiroja dëshpërimisht ta qetësoja vajzën time. Në telefon ndihesha aq pranë saj, por në të njëjtën kohë kaq i pafuqishëm; isha fjalë për fjalë në anën tjetër të botës!”, tregon ai. Lecons i kishte dërguar një video të gjarprit ekipit të qendrës verore ndërsa priste për ndihmë, dhe beson se kjo ishte vendimtare: “Kur më gjetën, pothuajse një orë pasi më kishte kafshuar gjarpri, filluan të vepronin menjëherë, duke më vendosur një fashë të përshtatshme kompresive rreth këmbës.” Në një aspekt ajo pati fat: “Për fat, ndodhesha vetëm 200 metra larg një ferme në mal, e cila kishte akses rrugor. Kështu, pasi më gjetën, tre shpëtimtarët më transportuan me barelë dhe duke më mbajtur në shpinë deri te rruga, ku ambulanca mund të vinte të më merrte.” Megjithëse videot e saj, të filmuara ndërsa priste për shpëtim, e tregojnë jashtëzakonisht të qetë, Lecons tha se qetësia nuk ishte absolute. “Sapo e dija se ishte nisur një ambulancë, ndërsa thërrisja për ndihmë, kisha shumë kohë për të menduar.” Një kërkim në Google për “gjarpërinjtë në Shqipëri” i shfaqi imazhe që i ngjanin gjarprit që e kishte kafshuar, së bashku me paralajmërime për speciet më helmuese të rajonit. “Kur kyçi i këmbës filloi të fryhej dhe dhimbja u përkeqësua, atëherë fillova të më zinte paniku për përfundimin e situatës sime.” Ajo shpjegoi se videot nuk ishin menduar kurrë për rrjetet sociale. “Qëllimi i këtyre videove nuk ishte TikTok-u. Më duhej diçka ku të përqendrohesha dhe kam një kujtesë shumë të dobët për ngjarjet, ndaj e dija se të flisja për atë që kishte ndodhur në video do të ishte e vetmja mënyrë që më vonë të mund t’i rrëfeja ngjarjet. Mendova se më vonë do t’ua tregoja familjes dhe miqve. Vetëm kur i pashë përsëri videot të nesërmen, pasi e dija se isha e sigurt, kuptova se ishin disi komike dhe vendosa t’i publikoja.” Vrapuesja tregon edhe momentet kur qetësia që duket se shfaqet në video, u thye. “Mbaj mend që telefonova babain dhe fillova të qaja, ngrita zërin dhe i thashë se duhej të afrohesha më shumë te rruga, sepse gjithçka po zgjaste shumë. Vërtet nuk doja të vdisja e vetme në një shteg dhe fajësova veten që isha futur në këtë situatë, edhe pse asgjë që mund të kisha bërë ndryshe nuk do ta kishte ndryshuar rezultatin. Me një zë të qetë, ai më kujtonte të qëndroja e qetë dhe t’u besoja ekipeve të shpëtimit, dhe pikërisht këtë bëra”, shprehet ajo. Pasi mbërriti në spital, Lecons tha se u përball me një sistem shëndetësor që dukej qartë se kishte vështirësi. “Siç e përmenda në videot e mia, kaloi një ditë para se të më jepnin letër higjienike, pasi thanë se nuk kishin fare në dispozicion. Ditën e dytë, stafi më tha se duhej të gjeja dikë që të më blinte vetë akull, pasi edhe furnizimi me akull në spital kishte mbaruar,” tha ajo, duke vënë në dukje se spitali ndodhej në një qytet me akses të lehtë në dyqane. Ajo përshkroi edhe mangësi të tjera. “Dhoma kishte vetëm një prizë elektrike, kështu që çdo pajisje në dhomë duhej të përdorej njëra pas tjetrës dhe përmes së njëjtës prizë.” Duke qenë se nuk mund të ecte dhe kishte dhimbje kur përdorte paterica, ajo duhej të transportohej me karrige me rrota, por portat ishin shumë të ngushta. “Në vend të kësaj, më duhej të kryeja nevojat e mia në shtrat.” “Nuk prisja të merrja të njëjtin trajtim si në Australi apo Zelandën e Re, por spitalet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë një shërbim të përshtatshëm dhe, sigurisht, përpara se të nxirret një përfundim se sa i mirë ishte trajtimi që mora, duhet të ketë një diskutim se përse spitaleve u mungojnë këto gjëra”, shton Lecons. Lecons tha se videot e saj u morën nga mediat shqiptare pa dijeninë e saj. “Në atë kohë, nuk isha fare në dijeni se historia ime po shpërndahej në mediat shqiptare. I zbulova videot e mia në platformat shqiptare të lajmeve përmes familjes ku po qëndroja ose duke kërkuar emrin tim në Google dhe duke parë artikujt që ishin shkruar në këtë mënyrë.” Ajo beson se mbulimi mediatik ishte selektiv. “Ajo që më shqetësoi ishte se mediat morën fragmente nga pjesët më të mira të historisë sime dhe i përdorën për të krijuar një rrëfim shumë pozitiv, pa trajtuar disa nga çështjet e rëndësishme që ekzistojnë në sistemin shëndetësor. Ndërsa me të drejtë lavdëruan personat e parë që mbërritën në vendngjarje, ndjeva se artikujt përfnin duke dhënë përshtypjen se sistemi shëndetësor është i qëndrueshëm dhe i gatshëm t’u përgjigjet turistëve në nevojë. Ata nuk trajtuan problemin e faktit që 112 nuk u përgjigj dhe se cili do të kishte qenë rezultati nëse unë nuk do të kisha sinjal celulari ose nëse do të isha më lart në mal.” Lecons vë në dukje se Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë e kishte shpërndarë historinë e saj, duke e përshkruar si një person që ishte shëruar plotësisht. “Fatmirësisht, tani jam shëruar në mënyrë të mrekullueshme, por në atë kohë nuk mund të ecja dhe e ardhmja ishte e paqartë, pasi kur dola nga spitali nuk më dhanë asnjë këshillë mjekësore për gjendjen time.” Ajo e lidh mbulimin mediatik me kontekstin politik në Shqipëri. “Në të gjithë Shqipërinë, aktualisht po zhvillohen protesta për qëndrueshmërinë, kundër korrupsionit dhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve. Pas bisedave me njerëzit përreth meje, kuptova se mënyra më e mirë se si mund ta ndihmoja popullin shqiptar nuk ishte thjesht të nxirrja në pah mikpritjen e tij, por të tregoja të vërtetën për përvojën time me sistemin shëndetësor si turiste.” Ajo shtoi: “Një vend nuk mund të ndihmojë turistët nëse fillimisht nuk mund të ndihmojë njerëzit e vet.” Sipas saj, askush nga qeveria shqiptare, shërbimet e emergjencës, spitali apo autoritetet e turizmit nuk e ka kontaktuar drejtpërdrejt. Pavarësisht kritikave të saj, Lecons mbetet entuziaste për vetë vendin dhe peizazhet. “Nga rrugicat e vjetra dhe të pjerrëta me kalldrëm të Gjirokastrës, te shëtitjet mes mijëra dritareve drejtkëndëshe të Beratit apo ngjitja në Piramidën e Tiranës për të parë një perëndim dielli spektakolar… Alpet Shqiptare janë një thesar për njerëz si unë që duan vrapimin në shtigje”, shprehet ajo. “Në Shqipëri takova njerëz të jashtëzakonshëm, të cilët më treguan një mirësi përtej asaj që ishte e nevojshme, duke tejkaluar çdo pritshmëri që kisha më parë për këtë vend… Për mua ishte e rëndësishme të sigurohesha që njerëzit ta dinin këtë përpara se të kritikonin elementë të sistemit shëndetësor. Nuk doja që mesazhi kryesor i asaj që po thosha të dekurajonte askënd për të udhëtuar në këtë vend”, thotë Lecons. Lecons tha se në përgjithësi është përpjekur të qëndrojë larg vëmendjes, ndërsa vazhdon të udhëtojë, edhe pse tanimë më me kujdes./Përshtatur nga TruthTimes Share P.J/E.H/Shqiptarja.com TAG: Gjarper valbone alpet shqiptare Amy Lecons Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Gusht, 13:45
Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 56.7% Shoqëria 27.2% Social media 16.1% Vota total: 4649 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

