Sanksionet janë një nga mjetet më të fuqishme për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar kur dështon drejtësia në vendet e tyre. Por përdorimi i paqëndrueshëm dhe politik i tyre nga administrata amerikane, rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e sanksioneve dhe fuqinë e tyre.. Sanksionet janë më të nevojshme se kurrë si një mënyrë për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët dhe aktorët e korruptuar, veçanërisht në vendet ku sistemet e drejtësisë nuk arrijnë që ta bëjnë këtë. Por shqetësimet e kahershme për politizimin dhe abuzimin e mundshëm me sanksionet janë ende të mëdha.
Këto shqetësime janë shtuar edhe më shumë nga mënyra e paqëndrueshme se si administrata aktuale amerikane po i merr vendimet për sanksionet, përfshirë heqjen pa shpjegim të disa masave të vendosura për shkak të korrupsionit.
Sanksioneve të presidentit Trump ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përfshirë edhe kreun e saj, u shtohet edhe rasti i një gjyqtari të Gjykatës së Lartë të Brazilit, ndaj të cilit u vendosën sanksione që më pas u tërhoqën.
Kjo ka bërë që zërat kritikë ndaj sanksioneve të bëhen edhe më të fortë. Dhe kjo vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e sanksioneve kundër korrupsionit. Gjatë dekadës së fundit, një numër vendesh kanë krijuar regjime të posaçme sanksionesh kundër korrupsionit, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Australia dhe Kanadaja.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka mbështetur këtë qasje. Në një raport të fundit të porositur nga Basel Institute on Governance, me titullin “Sanksionet kundër korrupsionit: Ç’duhet të dinë qeveritë”, unë argumentoj se vendet që ende nuk kanë një regjim të tillë duhet të shqyrtojnë seriozisht krijimin e tij.
Ndërsa ato që e kanë tashmë, duhet ta përdorin në mënyrë më efektive dhe të hartojnë strategji për një zbatim të besueshëm, të qëndrueshëm dhe transparent. Por të dyja këto qëllime varen nga një kusht themelor: kompetencat për vendosjen e sanksioneve duhet të ushtrohen me besueshmëri.
Pikërisht kjo është vënë në pikëpyetje gjatë vitit të fundit. Gjithsesi, këto dyshime nuk janë arsye për t’i braktisur sanksionet, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit. Zgjidhja nuk është domosdoshmërisht vendosja e më shumë procedurave ligjore, sepse kjo mund të dobësonte pikërisht fleksibilitetin që i bën sanksionet efektive edhe kur qeveria e vendit ku ndodhet personi i prekur nuk bashkëpunon dhe madje përpiqet t’i pengojë ato.
Ajo që është thelbësore është që të gjitha qeveritë, përfshirë administratën aktuale amerikane, të kuptojnë një gjë: besueshmëria e sanksioneve nuk është një shtesë luksi. Ajo është pjesë e pandashme e efektivitetit të tyre.
Sanksionet dhe procesi i rregullt ligjor
Në thelb, sanksionet janë kufizime financiare dhe udhëtimi që qeveritë vendosin ndaj individëve ose kompanive të caktuara. Ato përdoren kundër personave apo subjekteve të përfshira në veprimtari të konsideruara të papranueshme, si mbështetja ndaj një regjimi diktatorial, anëtarësimi në një grup terrorist ose përfshirja në korrupsion.
Në vendet kryesore që përdorin sanksione, këto masa vendosen nga qeveritë pa pasur nevojë për një autorizim paraprak nga gjykatat, megjithëse ligjshmëria e tyre mund të shqyrtohet më vonë nga sistemi gjyqësor.
Personat ndaj të cilëve vendosen sanksione nuk njoftohen paraprakisht. Arsyeja është e thjeshtë: një njoftim i tillë, do t\u jepte mundësinë të fshihnin pasuritë e tyre dhe do të dobësonte efektivitetin e masave. Kjo i lejon qeveritë të veprojnë shpejt dhe të ruajnë elementin e befasisë.
Garancitë ligjore që lidhen me procesin e rregullt kanë qenë prej kohësh objekt debatesh. Standarde relativisht të ulëta të provave, si kriteri i “provave të besueshme” në kuadër të ligjit amerikan “Magnitsky”, u japin qeverive një hapësirë të gjerë për të marrë vendime.
Sipas rregullave amerikane për shqyrtimin gjyqësor, personat që kundërshtojnë një sanksion zakonisht duhet të provojnë se vendimi është marrë në mënyrë arbitrare ose të paarsyeshme, apo se ka një mangësi serioze në procedurë. Pra nuk mjafton thjesht pretendimi se vendimi ka qenë i gabuar.
Pavarësisht dallimeve midis legjislacioneve, kjo skemë bazë - kompetenca e gjerë e qeverisë e kombinuar me një kontroll gjyqësor relativisht të kufizuar - gjendet në të gjitha sistemet kryesore të sanksioneve, përfshirë ato të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë. Rregullat e Bashkimit Evropian janë disi të ndryshme, por edhe ato i japin Komisionit Evropian hapësirë të konsiderueshme për vendosjen e sanksioneve. Këtu ekziston një dilemë reale. Fleksibiliteti i sanksioneve kundër korrupsionit është një avantazh i madh, por njëkohësisht krijon edhe mundësi për abuzim.
Qeveritë e papërgjegjshme mund ta keqpërdorin këtë fleksibilitet. Por besueshmëria e regjimeve perëndimore të sanksioneve, nuk varet aq nga ligjet që i rregullojnë ato, sesa nga vetëpërmbajtja dhe gjykimi i matur me të cilin përdoren në praktikë.
Nga bisedat që kam pasur me zyrtarë që merren me sanksionet dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, kam kuptuar se mbledhja e provave të nevojshme për vendosjen e një sanksioni konsiderohet një proces i vështirë, i gjatë dhe kërkues.
Fuqia e butë e sanksioneve
Nëse kjo praktikë e konsoliduar zëvendësohet nga vendime të pamenduara mirë ose haptazi politike, pasojat mund të jenë serioze. Për ta kuptuar arsyen, duhet parë se çfarë bëjnë në të vërtetë sanksionet.
Efektet e drejtpërdrejta janë të qarta: ngrirja e pasurive të personit të sanksionuar, ndalimi i transaksioneve financiare me të dhe kufizimi i udhëtimit të tij drejt vendit që ka vendosur sanksionet. Në rastin e SHBA-së, një nga pasojat më të rënda është pamundësia e personit të sanksionuar për të dërguar ose marrë para përmes bankave amerikane.
Në praktikë, kjo mund ta përjashtojë atë nga një pjesë e madhe e sistemit financiar dhe tregtisë globale. Por krahas këtyre pasojave të drejtpërdrejta ekzistojnë edhe efekte të shumta indirekte, të cilat mund të jenë po aq të rëndësishme.
Sanksionet e besueshme dhe të justifikuara mund të nxisin qeveritë e tjera të ndërmarrin masa të ngjashme, qoftë përmes sanksioneve të tyre, qoftë përmes procedimeve tradicionale penale. Edhe kompanitë ndërkombëtare, priren t’i shohin sanksionet si një tregues serioz të rrezikut të krimit financiar.
Për këtë arsye, ato shpesh shmangin personat e sanksionuar nga qeveritë perëndimore edhe kur ligji nuk i detyron ta bëjnë këtë. Vëmendja mediatike që shoqëron një sanksion e forcon më tej këtë efekt. Por kur sanksionet humbasin besueshmërinë, kjo “fuqi e butë” fillon të zhduket.
Efektet ligjore të drejtpërdrejta vazhdojnë të ekzistojnë, por dobësohet gatishmëria e aktorëve të tjerë për t'i shumëfishuar ato. Qeveritë e huaja bëhen më pak të prirura të vendosin masa të ngjashme, bankat mund të jenë më pak të gatshme të ndërpresin marrëdhëniet me personat e sanksionuar dhe vëmendja e medias mund të humbasë forcën.
Pra besimi është thelbësor që sanksionet të shtrihen përtej vendit që i vendos. Megjithatë, edhe sot vetëm një pjesë e vogël e sanksioneve të vendosura në kuadër të ligjit “Magnitsky” koordinohen mes Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sanksionet janë një instrument i veçantë. Ato janë fleksibël, mund të përdoren në shumë rrethana, kërkojnë relativisht pak procedura paraprake dhe janë më efektive kur mbështeten nga disa vende njëkohësisht.
Masat e administratës Trump, që po e dobësojnë “fuqinë e butë” të sanksioneve, dëmtojnë kështu edhe aftësinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të luftuar forma të ndryshme të shkeljeve, përfshirë korrupsionin.
Në një kuptim më të gjerë, qeveritë duhet të garantojnë qartësi, qëndrueshmëri dhe besueshmëri në mënyrën se si vendosin dhe zbatojnë sanksionet. Një nga nëntë rekomandimet e raportit e përmbledh qartë këtë parim: qeveritë duhet të publikojnë kritere të qarta për vendosjen e sanksioneve kundër korrupsionit dhe për dhënien e licencave që lidhen me to.
Po ashtu, ato duhet të bëjnë publike arsyet e vendimeve të tyre dhe të shpjegojnë, me një nivel të përshtatshëm detajesh, çdo vendim për heqjen e një sanksioni kundër korrupsionit.
Sot, rreziku më i madh është që rastet e përdorimit të dyshimtë ose të motivuar politikisht të sanksioneve, të dëmtojnë vullnetin e qeverive për të krijuar regjime të reja sanksionesh, përfshirë ato kundër korrupsionit. Ky do të ishte një gabim.
Por pikërisht për këtë arsye, vendet që tashmë kanë regjime sanksionesh kundër korrupsionit duhet t’i përdorin ato me përgjegjësi. Sepse kur sanksionet e humbin besueshmërinë, nuk humbin vetëm forcën e tyre ligjore por edhe fuqinë e butë që i bën efektive përtej kufijve./ Përshtati "Pamfleti" nga "Just Security".shba sanksione trump shtetet e bashkuara britania e madhe australia dhe kanadaja. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Biznes sekret në kohë lufte; si amerikanët nxjerrin 10 milionë fuçi naftë çdo ditë nga Ngushtica e Hormuzit 20 Gusht 2026, 10:4210:42Rajoni dhe Bota Enigma e thesarit miliona euro që u zbulua nga një punëtor në Belgjikë 20 Gusht 2026, 10:2610:26Rajoni dhe Bota Trump shpall izolimin ekonomik, reagon Irani: Një tjetër humbje për Uashingtonin 20 Gusht 2026, 09:4009:40Rajoni dhe Bota Kaos në Rusi, qytetarët tërheqin miliarda euro nga llogaritë e tyre bankare 20 Gusht 2026, 09:3509:35Rajoni dhe Bota Trump shpall planin për izolimin e Iranit, paralajmëron bankat, bizneset dhe qeveritë që e mbështesin 20 Gusht 2026, 09:2209:22Rajoni dhe Bota Pse Europa duhet t’i urojë Marco Rubios një të ardhme të ndritur? 20 Gusht 2026, 08:2608:26Rajoni dhe Bota

