Lajme Zone
Dhunë, plaçkitje dhe ndërtesa në flakë në Francë/ Mbi 1200 të arrestuar pas protestave
BotëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Dhunë, plaçkitje dhe ndërtesa në flakë në Francë/ Mbi 1200 të arrestuar pas protestave

Të paktën 1 200 persona janë arrestuar në Francë gjatë protestave të së shtunës kundër vështirësive ekonomike, kostos së lartë të jetesës dhe problemeve në sistemin arsimor. Sipas autoriteteve franceze, rreth 550 mijë persona dolën në rrugë në të gjithë vendin, ndërsa demonstratat u shoqëruan me përplasje të dhunshme, zjarrvënie dhe grabitje. Në Paris, përplasjet mes protestuesve dhe policisë së t

Të paktën 1 200 persona janë arrestuar në Francë gjatë protestave të së shtunës kundër vështirësive ekonomike, kostos së lartë të jetesës dhe problemeve në sistemin arsimor. Sipas autoriteteve franceze, rreth 550 mijë persona dolën në rrugë në të gjithë vendin, ndërsa demonstratat u shoqëruan me përplasje të dhunshme, zjarrvënie dhe grabitje.

Në Paris, përplasjet mes protestuesve dhe policisë së trazirave vijuan deri në orët e mbrëmjes. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe hedhje uji për të shpërndarë turmat. Ndërkohë, disa ndërtesa dhe automjete u dogjën, ndërsa dyqane dhe biznese u dëmtuan e u plaçkitën.

Situata më e rëndë u regjistrua në Limoges, ku një zjarr i madh në godinën e bashkisë shkaktoi shembjen e pjesshme të çatisë dhe në Lion, zjarri përfshiu zyrën turistike të qytetit. Kryeministri francez Sebastien Lecornu bëri të ditur se 150 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë trazirave. Ndërsa kryebashkiaku i Saint-Etienne, Regis Juanico, njoftoi se një i ri pësoi dëmtime të rënda, pasi një mjet shpërthyes i vogël i shpërtheu në dorë.

Megjithëse marshimi kryesor në Paris ishte kryesisht paqësor gjatë pasdites, situata u përkeqësua me kalimin e orëve. Grupe protestuesish ndezën zjarre në rrugë, dogjën automjete dhe sulmuan biznese, përfshirë edhe në sheshin e njohur Place de la Republique. Policia ndërhyri me forcë, ndërsa u raportuan përleshje mes efektivëve dhe protestuesve.

Protestat kanë nisur javët e fundit, të nxitura nga mungesa e stafit dhe kushtet e amortizuara në shkollat e mesme të Francës. Lëvizjes studentore i janë bashkuar sindikatat dhe grupe të tjera, përfshirë edhe lëvizjen e jelekëve të verdhë, e cila organizoi protesta të gjera kundër rritjes së kostos së jetesës që prej vitit 2018.

Ministria e Brendshme franceze deklaroi se në disa qytete, përfshirë Parisin, Marsejën, Renën, Tuluzën dhe Anzhenë, u regjistruan akte të qëllimshme dhune nga persona të maskuar. Dëme materiale u raportuan gjithashtu në Grenoblë, Avinjon, Po, Monpelje dhe Valansë. Në Lilë, një dyqan i kompanisë Apple u thye dhe u grabit.

Trazirat vijnë në një periudhë pasigurie politike për Francën, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Presidenti Emmanuel Macron pritet të largohet nga detyra, ndërsa sondazhet e përmendura në raportime sugjerojnë se gara mund të përfshijë Marine Le Pen, udhëheqësen e Tubimit Kombëtar, dhe Jean-Luc Melenchon, liderin e partisë së majtë radikale Franca e Papërkulur. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.