Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale ka përkujtuar 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, duke nderuar martirët dhe luftëtarët që u ngritën kundër regjimit komunist më 9 shtator 1946. Berisha e ka cilësuar Postribën si kryengritjen e parë të madhe antikomuniste në Shqipëri dhe një nga aktet më të guximshme të rezistencës ndaj diktaturës në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ndër të tjera kujtoi sakrificën e burrave të Postribës, shumë prej të cilëve u vranë, u ekzekutuan, u burgosën apo u internuan, duke theksuar se qëndresa e tyre mbetet pjesë e kujtesës historike. “Postriba është dëshmi e gjallë se liria nuk mund të shuhet me terror dhe se një komb nuk mund të mbahet përgjithmonë i nënshtruar”, shprehet Berisha, ndërsa mbyll mesazhin me homazhin: “Nderim të përjetshëm martirëve dhe luftëtarëve të Kryengritjes së Postribës! Lavdi qëndresës së Postribës!” Reagimi i plotë: 80-vjetori i Kryengritjes së Postribës! Të dashur miq, Sot, 80 vite më parë, në natën e 9 shtatorit 1946, Postriba u ngrit në këmbë në mbrojtje të lirisë, dinjitetit dhe Shqipërisë së lirë. Kryengritja e Postribës ishte kryengritja e parë e madhe antikomuniste në Shqipëri dhe një nga aktet më të guximshme të qëndresës kundër diktaturës komuniste në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Nën udhëheqjen e tribunit të lirisë, Osman Haxhisë, burrat trima të Postribës u ngritën kundër regjimit të terrorit që po vendoste themelet e diktaturës më të egër në historinë e vendit. Ata luftuan për të çliruar Shkodrën dhe Shqipërinë nga dhuna, terrori dhe shtypja. Shumë prej tyre ranë në përleshje, u ekzekutuan pa gjyq, u burgosën dhe u internuan. Ata paguan çmimin më të lartë për lirinë, por emrat dhe sakrifica e tyre nuk u shuan kurrë. Sot përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë para martirëve të Postribës, para familjeve të tyre dhe para të gjithë atyre shqiptarëve që nuk pranuan të jetonin nën diktaturë. Postriba është dëshmi e gjallë se liria nuk mund të shuhet me terror dhe se një komb nuk mund të mbahet përgjithmonë i nënshtruar. 80 vite më pas, kujtimi i tyre mbetet një thirrje për të mbrojtur demokracinë, shtetin ligjor dhe dinjitetin njerëzor. Nderim të përjetshëm martirëve dhe luftëtarëve të Kryengritjes së Postribës! Lavdi qëndresës së Postribës!

