Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcjellë përmes një videomesazhi nga Strasburgu, ku ndodhet për punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, çështjet që ka ngritur gjatë qëndrimit të tij atje. Berisha u shpreh se fokusi kryesor i tij ka qenë denoncimi i asaj që ai e cilëson si “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”, duke e lidhur këtë situatë me pasojat që, sipas tij, janë shfaqur në ekonomi, bujqësi, industri dhe zhvillimet demografike. Në videomesazhin e publikuar nga Këshilli i Europës, kryetari i PD-së ngriti akuza edhe për trafikun ndërkombëtar të drogës. Në përmbyllje të videomesazhit, Berisha deklaroi se “demokracia në Shqipëri është në agoni”, ndërsa akuzoi qeverinë se po konsolidon një sistem autoritar të mbështetur te krimi, droga dhe korrupsioni. “Gjatë qëndrimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, qëndrimi im më kryesor ka qenë në denoncimin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri gjatë këtyre viteve, pasojat shkatërrimtare të këtij narkoshteti mbi ekonominë e vendit, zhvlerësimin dramatik të euros dhe dollarit, rënien masive të prodhimit industrial dhe prodhimit bujqësor dhe shokun e tmerrshëm demografik të paprecedent në historinë e Shqipërisë në shekuj. Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, klanet shqiptare janë transportues kryesorë të kokainës nga Amerika Latine dhe kontrollues të tregut europian. Në këtë kuadër, unë bëra thirrje për mbështetje nga ky institucion në luftën kundër narkoshtetit në Shqipëri, i cili përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe më gjerë. Në qëndrimin tim, një vend të rëndësishëm kanë patur edhe diskutimet lidhur me faktin se sot në Beograd fantazmat e Ratko Mlladiçit po bëjnë fushatë krah patronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, dhe kjo përbën një fyerje, një rrezik të madh për rajonin, një fyerje të rëndë për mbarë qytetërimin botëror. Kërkova dhe do insistoj që sanksione të qarta të vendosen ndaj Serbisë në raport me Këshillin e Europës, mbasi ky akt vjen në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet themelore. Ratko Mlladiçi është orkestruesi dhe kryeautori i gjenocidit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore në Srebrenicë, ai ka kryer krime të rënda në Kroaci dhe në zona të tjera dhe tani bën fushatë përkrah Aleksandër Vuçiçit në fshatrat dhe qytetet e Serbisë. Një vëmendje tjetër, situata dramatike e mediave në Shqipëri të kontrolluara sipas raporteve ndërkombëtare në 90% të tyre nga një aleancë mafioze e narkoqeverisë, bizneseve dhe klaneve të drogës. Aty ku 90% të mediave kontrollohen nga qeveria, korruptohet gjuha, korruptohet mendimi, liria de facto është një iluzion. E vërteta është se demokracia në Shqipëri është në agoni, ndërkohë konsolidohet gjithnjë e më shumë diktatura autoritare bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve”, tha Berisha.
