Trupa akademike dhe pedagogë të shumtë i janë bashkuar zyrtarisht marshimit të sotëm të studentëve, duke e cilësuar kauzën e tyre si plotësisht të drejtë dhe duke theksuar se vendi i tyre nuk është në auditoret bosh, por krah të rinjve në shesh. Gjatë protestës së sotme, pedagogët deklaruan se kjo lëvizje vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së paprecedentë shtetërore të ushtruar ndaj fëmijëve të tyre. Sipas tyre, dhuna e përdorur nga policia nuk kishte ndodhur kurrë më parë, me efektivë që po thyejnë protokollet profesionale, duke kontaminuar të rinjtë me gaz dhe duke hyrë madje edhe nëpër lokale për të ushtruar dhunë arbitrare. Akademikët kujtuan se edhe në vitin 2018 kryeministri dialogoi me studentët por nuk mbajti asnjë premtim, ndaj dhe theksuan se gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur vetëm monolog dhe nuk ka vend për dialog. Ata bënë thirrje që studentët të mos pranojnë të dialogojnë, ndërsa shtuan se çdo diskutim i gjerë mbi të ardhmen mund të bëhet vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit. Ndër të tjera, pedagogët dhe qytetarët e pranishëm në marshim shprehën qëndrime të forta politike, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos heshtin dhe të mos bëhen skllevër të bukës së gojës, pasi ky është momenti final për fatin e Shqipërisë, të cilin tashmë e kanë marrë në dorë të rinjtë. Protestuesit theksuan se “diktatorët rrezohen, nuk dorëhiqen”, ndërsa ministri i Brendshëm dhe drejtori i policisë u cilësuan si kukulla, me thirrjen që policia të mos luftojë kundër popullit të vet për mbrojtjen e një diktatori. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
