Zgjerimi i shpejtë i rrjetit të degëve, likuiditeti i lartë dhe forcimi i kapitalit dëshmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Bankës. Banka Amerikane e Investimeve ka përmbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me një pozicion financiar të shëndetshëm dhe me tregues që dëshmojnë qëndrueshmëri, aftësi të lartë financuese dhe besim në rritje në tregun shqiptar. ABI Bank po vijon zgjerimin e pranisë së saj fizike në vend si edhe transformimin e degëve NOA në degë NOA/ABI për të ofruar më tepër shërbime bankare. Së bashku me NOA, rrjeti i degëve arriti në 59 njësi, të përbëra nga 34 degë të pavarura ABI dhe 25 degë dhe agjenci të konsoliduara NOA/ABI. Gjatë këtij gjashtëmujori rrjeti u zgjerua me 3 degë të reja në Tiranë dhe 1 degë të re në Fier. Me ritmin më të shpejtë të zgjerimit të rrjetit të degëve në tregun bankar, Banka po afrohet më shumë me klientët dhe po rrit aksesin në produktet dhe shërbimet e saj. Hapja e degëve të reja është pjesë e strategjisë së ABI Bank për të kombinuar zhvillimin e shërbimeve moderne bankare me komunikimin dhe këshillimin e drejtpërdrejtë. Zgjerimi i rrjetit synon t’u përgjigjet më mirë nevojave financiare të individëve dhe bizneseve, duke ofruar shërbim të personalizuar dhe një marrëdhënie më të afërt me klientin. “Rezultatet e këtij gjashtë mujori konfirmojnë qëndrueshmërinë e modelit tonë të biznesit dhe suksesin e integrimit të NOA Sh.a. brenda strukturës së Bankës. Jemi kështu banka me zgjerimin më të shpejtë të rrjetit të degëve. Të ardhurat operative u rritën ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa baza jonë e kapitalit u forcua më tej, duke na pozicionuar mirë për vazhdimin e rritjes së qëndrueshme dhe përmbushjen e angazhimeve ndaj klientëve, punonjësve dhe aksionarëve tanë.” tha Igli Sulaj, Drejtor i Përgjithshëm i Biznesit pranë ABI Bank. Përmbledhje e rezultateve financiare Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 depozitat e klientëve u rritën me 8,6%, duke shënuar ritmin më të lartë te rritjes në sektor dhe kreditë bruto u rritën me 4%, ndërsa totali i aktiveve mbeti përgjithësisht i qëndrueshëm. Në qershor të vitit 2026, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit të Bankës ishte 21.7%, duke e pozicionuar ABI Bank ndër bankat me kapitalizim të mirë në Shqipëri. Të ardhurat operative neto arritën shifrën 3.7 miliardë Lekë, tregues që reflekton performancën solide të veprimtarisë bazë bankare. Cilësia e aktiveve gjithashtu mbeti e fortë, me raportin e kredive me probleme në nivelin 2,5%, ndërsa Banka ruajti likuiditet të lartë, çka pasqyrohet në një raport të ulët kredi-depozita. Baza e klientëve të Bankës arriti në rreth 123,000 klientë, duke shënuar një rritje prej më shumë se 20% krahasuar me fundin e vitit 2025, e nxitur si nga integrimi i NOA-s ashtu edhe nga rritja e vazhdueshme e aktivitetit të pavarur të ABI Bank. ABI Bank hyn në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026 me baza të forta për të vijuar zhvillimin. Përfitueshmëria pritet të mbetet e qëndrueshme, me treguesit e kapitalit dhe likuiditetit dukshëm mbi kërkesat rregullatore. ABI do të vazhdojë të përqendrohet te kreditimi i kujdesshëm, cilësinë e mirë të portofolit, ofrimin e produkteve të reja, diversifikimin e burimeve të financimit dhe kthimet e qëndrueshme.
