Gjykata e Lartë kundërshton procedurën për ndryshimet e pagave të magjistratëve Gjykata e Lartë ka reaguar pas votimit nga komisioni i ligjeve i ndryshimeve për pagat e gjyqtarëve. Gjykata e Lartë ka reaguar pas votimit në Komisionin për Çështjet Ligjore të ndryshimeve ligjore që prekin pagat e gjyqtarëve dhe statusin e magjistratëve. Përmes një deklarate publike, Gjykata e Lartë shpreh kundërshtimin e saj ndaj mënyrës se si është zhvilluar procedura parlamentare për projektligjin, duke e konsideruar konsultimin institucional të pamjaftueshëm. “Gjykata e Lartë shpreh kundërshtimin e saj më të fortë ndaj mënyrës se si Komisioni për Çështjet Ligjore zhvilloi procedurën parlamentare për projektligjin që prek drejtpërdrejt pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve”, thuhet në reagim. Sipas Gjykatës së Lartë, procedura e ndjekur nuk përbën thjesht një konsultim të mangët, por një “shpërfillje të hapur të kuptimit të konsultimit institucional” dhe të rolit të përfaqësuesve të një pushteti kushtetues, të cilët ishin thirrur nga Kuvendi për t’u dëgjuar. Gjykata thekson se ky nuk është reagimi i parë i gjyqësorit lidhur me këtë çështje. Deklarata vjen pas qëndrimit publik të Gjykatës së Lartë të 2 shtatorit 2026, reagimit të kryetarëve të gjykatave të Republikës, deklaratave të shoqatave të magjistratëve, si dhe Deklaratës së Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve.
