Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mblodhi këtë të mërkurë në një takim Ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare që operojnë në Shqipëri. Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë me sektorin bankar dhe u përqendrua në zhvillimet më të fundit në veprimtarinë bankare, ecurinë e kreditimit, tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe në çështje me rëndësi për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. LEXO edhe...Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit: Po punojmë me Shqipërinë për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive të SHBA në treg Vëmendje e veçantë gjatë diskutimeve iu kushtua ecurisë së kreditimit dhe rolit të sektorit bankar në financimin e ekonomisë. Të dhënat tregojnë se kreditimi vijon të ruajë ritme të larta rritjeje. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, kredia për sektorin privat u rrit me 14.3% në terma vjetorë, ndërsa raporti i saj ndaj PBB-së arriti në rreth 35%, niveli më i lartë i regjistruar në dekadën e fundit. Rritja e kreditimit ka qenë e pranishme si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve. Guvernatori Sejko vlerësoi se këto zhvillime krijojnë premisa që kreditimi të vijojë të mbështesë konsumin dhe investimet në ekonomi. Në të njëjtën kohë, ai theksoi rëndësinë që rritja e kredisë të vijojë në mënyrë të kujdesshme dhe të shëndetshme, duke ruajtur standarde të përshtatshme kreditimi dhe administrimi të rrezikut. Një tjetër çështje e diskutuar ishin edhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe lidhja e tyre me aktivitetin kreditues. Diskutimet u fokusuan në ecurinë dhe dinamikën e këtij tregu, si dhe në zhvillimet e kreditimit për blerjen e banesave. Kredia hipotekare vijoi të shfaqë ritme të larta rritjeje, duke u zgjeruar me 16.1% në terma vjetorë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Ndërkohë, norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë qëndroi në nivelin 3.9%. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko u ndal edhe në masat makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për financimin e blerjeve në tregun e pasurive të paluajtshme, përmes vendosjes së kufijve të sipërm për kredidhënien për pasuri të paluajtshme rezidenciale, bazuar në raportet “kredi ndaj vlerës së pronës” dhe “shërbimi i borxhit ndaj të ardhurave”. Guvernatori vlerësoi se masat e marra kanë dhënë efektet e pritshme, duke kontribuuar në një kreditim më të kujdesshëm dhe të balancuar të tregut të banesave. Ai theksoi se këto masa mbështesin zhvillimin e shëndetshëm të kreditimit dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Në takim u diskutua gjithashtu ecuria e Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm, të vënë në zbatim nga Banka e Shqipërisë për të përmirësuar aksesin në financim dhe për të ulur kostot e kredisë për këtë segment të rëndësishëm të ekonomisë. Nëpërmjet këtij programi, Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh, i cili kanalizohet nëpërmjet bankave tregtare drejt bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe fermerëve. Programi krijon mundësi financimi me norma interesi të favorshme dhe është zgjatur deri në fund të vitit 2027. Deri më tani, në kuadër të këtij programi, Banka e Shqipërisë ka injektuar rreth 2.2 miliardë lekë likuiditet në sistemin bankar për financimin e bizneseve përfituese. Guvernatori Sejko u bëri thirrje bankave tregtare që të angazhohen më aktivisht në zbatimin e programit dhe të rrisin kreditimin e bizneseve përfituese nëpërmjet tij, duke shfrytëzuar fondet dhe kushtet e favorshme që ai ofron. Ai theksoi se një përdorim më i gjerë i këtij instrumenti do të ndihmojë në përmirësimin e aksesit të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme në financim, në mbështetjen e investimeve dhe në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të ekonomisë. Në vijim, pjesëmarrësit diskutuan edhe çështje të lidhura me takimet e fundit të Misionit të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) në Shqipëri. Në këtë kuadër, u shkëmbyen vlerësime mbi çështjet e trajtuara gjatë misionit dhe angazhimin e sektorit bankar në këtë proces. Në përfundim, Guvernatori Sejko vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të hapur dhe të koordinimit për adresimin në kohë të sfidave dhe për ruajtjen e një sistemi bankar të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm, në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. R.Xh/ReportTv.al ekonomi bizneset kredi gent sejko banka e Shqiperise Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 7.4% Të gabuar 87% Nuk e di 5.6% Vota total: 516 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

