Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Bashkinë Shkodër, ku një banesë është përfshirë nga flakët dhe është shkrumbuar pothuajse tërësisht.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e zjarrit në banesë ndodheshin një grua së bashku me dy fëmijët e saj. Deri tani janë gjetur dy trupa të pajetë, njëri prej të cilëve dyshohet se i përket një fëmije, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për personin tjetër që mendohet se ndodhej brenda.
Burime nga zona bëjnë me dije se nëna dhe dy fëmijët kishin shkuar në një banesë të vjetër, e cila nuk ishte e banuar. Për shkaqe që mbeten ende nën hetim, objekti është përfshirë nga flakët.
Ndërhyrja e zjarrfikësve është vështirësuar nga terreni i thyer malor, pasi banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike. Kur forcat e emergjencës mbërritën në vendngjarje, zjarri kishte shkrumbuar pothuajse plotësisht banesën.
Policia, shërbimi zjarrfikës dhe grupi hetimor vijojnë punën në vendngjarje për identifikimin e viktimave, sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit. Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

