Nga Ministria e së Vërtetës.
Pas koncertit të shumëpërfolur në Tiranë, Kanye West duket se ka gjetur më në fund mënyrën ideale për të përdorur paratë e shqiptarëve: t’i blejë bashkëshortes së tij, Bianca Censori, një palë brekë të reja.
Qeveria shqiptare akordoi rreth 4.2 milionë euro nga fondi rezervë për mbështetjen e koncertit të reperit, vendim që kryeministri Edi Rama e mbrojti me argumentin se aktiviteti do të sillte mijëra turistë dhe të ardhura të konsiderueshme për ekonominë.
Sipas burimeve që nuk ekzistojnë, Kanye hyri në një dyqan luksoz dhe kërkoi menjëherë produktin më të rrallë për garderobën e gruas së tij: të brendshme që mbulojnë diçka.
“Na thanë se paratë ishin për një emergjencë kombëtare. Pasi pamë veshjet e Biancës, kuptuam menjëherë për çfarë emergjence bëhej fjalë”, deklaroi një zyrtar, duke prerë shiritin e inaugurimit të brekëve.
Ndërkohë, qeveria pritet ta shpallë blerjen një sukses historik për turizmin shqiptar, pasi brekët e reja mund të tërheqin deri në 25 mijë vizitorë të huaj dhe të gjenerojnë 100 milionë euro, me kusht që Bianca të vendosë t’i veshë.

