Një situatë emergjente raportohet në fshatin Gjinar të Elbasanit, ku zjarri vijon prej disa ditësh dhe flakët po afrohen me shpejtësi drejt zonave të banuara. Sipas banorëve, situata është shqetësuese pasi vatrat e zjarrit nuk po neutralizohen dot dhe rrezikojnë banesat.
Banorët bëjnë apel për ndërhyrje urgjente nga strukturat e emergjencave dhe zjarrfikësit, pasi zjarri dyshohet se është përhapur në drejtim të zonave të banuara. Sipas dëshmive, flakët kanë zbritur poshtë Majës së Bukanikut, duke kaluar në zonën e Çaushit dhe më pas në territorin e njohur si Fushëgjerë.
Situata mbetet alarmante për banorët e zonës, të cilët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave. Apeli i tyre është që ekipet e emergjencës të angazhohen me të gjitha kapacitetet për izolimin e zjarrit dhe mbrojtjen e fshatit.

