Gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht në Korçë u paraqitën dje në spital me simptoma gastrointestinale, ndërsa rasti është vënë nën hetim nga Policia. Në gjendje të lirë është proceduar penalisht një mjeke e Pediatrisë dhe drejtoresha e kopshtit, ndërsa prindërit ngrenë dyshime për një helmim të mundshëm ushqimor.
Babai i njërit prej fëmijëve, Koço Xexo, tregon se djali i tij u mor nga kopshti rreth orës 13:30 të së premtes, fillimisht me shqetësime të lehta në bark. Gjendja e tij u përkeqësua disa orë më vonë, kur nisën të vjellat e shpeshta.
Sipas babait, fëmija u dobësua ndjeshëm dhe u zverdh, duke bërë që familja ta dërgonte menjëherë në spitalin e Korçës. “Fëmijën e morëm nga kopshti rreth orës 1:30 të premten. Për momentin na tha që kishte pak shqetësime me barkun. Më pas fjeti, u qetësua dhe kur u ngrit, kishte të vjella. Të vjellat nisën, u bënë më periodike dhe më të shpeshta. Fëmija humbi pothuajse edhe fuqinë fare, u zverdh shumë”, rrëfen ai.
Fëmija qëndroi për disa orë në spital dhe iu nënshtrua analizave dhe trajtimit mjekësor. Sipas babait, mjekët dyshuan për helmim të shkaktuar nga produktet ushqimore, ndërsa analizat treguan edhe rritje të rruazave të bardha të gjakut.
Xexo thotë se, pas mbërritjes në spital, prindërit mësuan se nuk bëhej fjalë për një rast të izoluar. Sipas tij, edhe fëmijë të tjerë të të njëjtit kopsht kishin shfaqur simptoma, disa më të lehta dhe të tjerë më të rënda.
“Duke diskutuar dhe me prindërit e tjerë dëgjuam që kjo gjë kishte ndodhur pothuajse masivisht në të gjithë fëmijët e kopshtit. Dikush me simptoma më të lehta, dikush me simptoma më të rënda. Aty, me sa pashë, vajtën dhe diku te 5-6 fëmijë të tjerë të cilët u trajtuan në spital”, shprehet ai.
Sa i përket ushqimit të konsumuar në kopsht, babai tregon se fëmijët kishin ngrënë pilaf, copa mishi pule dhe kos, ndërsa në mëngjes kishin konsumuar bukë me vezë. Megjithatë, shkaku i saktë i simptomave pritet të përcaktohet nga hetimet dhe kontrollet përkatëse.
Xexo ngre gjithashtu shqetësime për mungesën e komunikimit me drejtuesen e kopshtit pas ngjarjes. Sipas tij, disa prindër tentuan ta kontaktonin disa herë, por nuk morën përgjigje.
“Shumë prindër tentuan ta telefononin disa herë drejtoreshën dhe nuk patën asnjë lloj përgjigjeje nga telefoni. Nuk e hapi fare”, thotë ai.
Në të kundërt, sipas tij, edukatorja e grupit është interesuar për gjendjen e fëmijëve dhe ka shkuar në spital.
Babai deklaron se nuk mund të përcaktojë me saktësi numrin e fëmijëve që kanë shfaqur simptoma, por, bazuar në komunikimet me prindërit e tjerë, dyshon se mund të jenë rreth 20 fëmijë.
“Me shifër të saktë nuk e di, me përafërsi mendoj se mund të jenë diku te 20 fëmijë. Me sa dëgjova nga të gjithë prindërit që u interesuam, një pjesë ishim në një gjendje që morëm trajtim në spital, por të gjithë shfaqën simptoma, dikush më të lehta, dikush më të rënda”, tregon ai.
Prindi thekson se nuk beson se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme, por kërkon më shumë kontrolle dhe përgjegjshmëri për sigurinë ushqimore dhe kujdesin ndaj fëmijëve.
“Unë nuk besoj se mund të jetë një gjë me qëllim, ose mund të jetë diçka nga pakujdesia ose nga kontrolli i produkteve të para që merren. Puna është që ata janë fëmijë shumë të vegjël edhe situata të tilla i rëndojnë shumë organizmin”, shprehet Xexo.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e situatës dhe për të përcaktuar nëse simptomat e fëmijëve lidhen me ushqimet e konsumuara në kopsht. Prindërit presin rezultatet e kontrolleve dhe marrjen e masave për të garantuar sigurinë e fëmijëve. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet helmohen femijet korcepolicia
