Pushteti i kongresmenes së Nju Jorkut është në qendër të vëmendjes, ndërsa njerëzit pyesin veten nëse yjet më në fund po përputhen që ajo të kandidojë për presidente të SHBA-së në vitin 2028. Alexandria Ocasio-Cortez “Supozimi i tyre është se ambicia ime lidhet me një pozicion. Se ambicia ime është një titull apo një vend. Por ambicia ime është shumë më e madhe se kaq. Ambicia ime është ta ndryshoj këtë vend.” Alexandria Ocasio-Cortez i shqiptoi këto fjalë ngadalë dhe me vendosmëri para një audience që kishte mbushur kapelën Rockefeller Memorial në Universitetin e Çikagos. Publiku shpërtheu në duartrokitje.
Kjo ndodhi në maj. Në tre muajt që pasuan, diskutimet për ambiciet politike të kongresmenes demokrate nga Nju Jorku si për të ardhmen e saj, ashtu edhe për vizionin që ka për Shtetet e Bashkuara vetëm janë shtuar.
Aleatë dhe kundërshtarë po pyesin nëse rrethanat po krijohen për një kandidaturë të Ocasio-Cortez për presidente në vitin 2028. Argumenti i tyre lidhet me pakënaqësinë e votuesve ndaj sistemit politik, përfshirë establishmentin e vjetër të Partisë Demokratike, dhe me kërkesën në rritje për ndryshim. Në të njëjtën kohë, progresistët që kërkojnë më shumë drejtësi ekonomike dhe kujdes shëndetësor universal kanë shënuar një seri fitoresh të rëndësishme në zgjedhjet për kryetarë bashkish dhe në zgjedhjet paraprake për Kongres gjatë vitit të fundit.
Edhe sondazhet kanë ushqyer spekulimet. Muajin e kaluar, një sondazh i Universitetit të New Hampshire e nxori Ocasio-Cortez në krye të një gare të mundshme mes kandidatëve demokratë në këtë shtet të rëndësishëm. Ajo gëzon një nivel njohjeje kombëtare që është e vështirë të blihet me para, ka afro 10 milionë ndjekës vetëm në Instagram dhe mbështetësit e saj shtrihen nga Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA) deri te ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Siç treguan Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden, zgjedhjet presidenciale amerikane shpesh favorizojnë politikanin që gjendet në vendin dhe momentin e duhur. Ocasio-Cortez, 36 vjeçe, me një program progresist dhe aftësi të spikatura komunikimi në rrjetet sociale, mund të përputhet me një moment kur një pjesë e vendit kërkon një fillim të ri pas një dekade të dominuar nga trumpizmi, raporton The Guardian.
Nëse politika moderne funksionon përmes lëvizjeve të forta të lavjerrësit politik, Ocasio-Cortez përfaqëson pothuajse të kundërtën e Donald Trumpit dhe lëvizjes së tij nacionaliste “Make America Great Again” (MAGA). Një sondazh kombëtar i Zogby Strategies, i publikuar këtë javë, tregoi se një kandidat hipotetik socialist demokrat do të kryesonte ndaj një kandidati hipotetik MAGA me 45% kundrejt 33%.
Ashik Siddique, bashkëkryetar i DSA-së, organizatë ku bën pjesë edhe Ocasio-Cortez, tha se një kandidaturë e saj do të krijonte entuziazëm të madh mes anëtarëve.
“Nëse ajo do të hynte në garë, do të kishte shumë entuziazëm nga anëtarët e Socialistëve Demokratë të Amerikës. Ne duam patjetër të shohim një zë të fortë të klasës punëtore në zgjedhjet paraprake presidenciale të vitit 2028”, tha ai.
Ocasio-Cortez nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit dhe veprimet e saj nuk i kanë zbehur dyshimet se ajo mund të jetë duke përgatitur terrenin. Vitin e kaluar iu bashkua mentorit të saj, senatorit të pavarur Bernie Sanders, në turneun “Fighting Oligarchy”, i cili tërhoqi turma të mëdha. Kohët e fundit ajo ka udhëtuar nëpër vend për të mbështetur kandidatë progresistë, duke forcuar më tej profilin e saj kombëtar.
Vetëm gjatë javës së fundit, dy zhvillime shtuan diskutimet mes analistëve politikë. Fillimisht, Ocasio-Cortez njoftoi në Instagram se kishte vendosur të ngrinte vezët e saj, një vendim që tha se e ndihmonte të “ndihej më në kontroll të jetës sime”. Ajo pranoi se publikimi i detajeve të tilla për planifikimin familjar mbartte “rrezik politik”, por tha se synonte të normalizonte diskutimin për sfidat profesionale dhe personale me të cilat përballen gratë.
Njoftimi nxiti gjithashtu spekulime në internet për marrëdhënien e saj me partnerin prej shumë vitesh dhe të fejuarin Riley Roberts. Raportime nga Puck News dhe media të tjera vunë në dukje se ajo prej kohësh nuk ishte shfaqur publikisht me të dhe nuk e kishte përmendur emrin e tij.
Sipas njerëzve që e kanë njohur nga afër, ndryshe nga shumë politikanë me ambicie presidenciale, Ocasio-Cortez nuk duket se motivohet kryesisht nga ambicia personale për poste. Kjo mund të jetë një nga avantazhet e saj politike.
Ajo punoi si organizatore vullnetare në fushatën presidenciale të Bernie Sanders në vitin 2016. Ishte kandidatura e parë e Sanders për Shtëpinë e Bardhë dhe, megjithëse ai humbi ndaj ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton, fushata krijoi një lëvizje kombëtare rreth vizionit të tij për socializmin demokratik.
Kur vendosi të kandidonte vetë, ish-banakierja dhe kamarierja kishte shumë pak para, por mori mbështetje nga organizata progresiste si Brand New Congress dhe Justice Democrats. Në vitin 2018 ajo shkaktoi një nga surprizat më të mëdha të politikës amerikane duke mundur në zgjedhjet paraprake demokrate në Nju Jork Joe Crowley-n, kongresmen me dhjetë mandate, pjesëtar i udhëheqjes së Partisë Demokratike dhe një kandidat i mundshëm për drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Corbin Trent, drejtori i saj i parë i komunikimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe bashkëthemelues i Justice Democrats, kujton se establishmenti politik nisi të diskutonte të ardhmen e saj vetëm disa orë pas fitores ndaj Crowley-t.
“Natën e zgjedhjeve paraprake ajo mund Joe Crowley-n. Unë marr telefonata nga zyrtarë të zgjedhur dhe njerëz të tjerë dhe pyetja e tyre është: çfarë vjen më pas? Cila është rruga? Për çfarë do të kandidojë? Çfarë posti më të lartë do të kërkojë? Kjo ndodhte vetëm disa orë pasi ishin mbyllur qendrat e votimit. Kështu mendon Uashingtoni. Jo: çfarë mund të bëjmë për Medicare for All apo për këtë ose atë çështje?”, tha ai.
Ndërsa profili kombëtar i Ocasio-Cortez u rrit me shpejtësi duke i sjellë 15 milionë dollarë në ciklin e saj të parë elektoral dhe interes të pazakontë edhe nga udhëheqës të huaj, Trent u përpoq t'i ndërtonte një strategji politike afatgjatë. Ai sugjeroi që ajo të organizonte aktivitete në pjesë të tjera të shtetit të Nju Jorkut, për të përgatitur terrenin për një kandidaturë të ardhshme për Senat. Por ajo nuk e pranoi këtë logjikë të karrierës politike.
Sipas tij, tërheqja e saj politike qëndron te një autenticitet relativisht i rrallë dhe te aftësia për të kuptuar pasigurinë ekonomike që ndiejnë shumë amerikanë.
“Alexandria ka dy gjëra në favor të saj. Ajo është sinqerisht kureshtare për njerëzit e tjerë. Nuk ka nevojë të shtiret. Kam pasur politikanë që më kanë pyetur: ‘Si mund të dukem më i sinqertë?’ Nëse duhet ta bësh këtë pyetje, ndoshta nuk të ndihmon shumë. Së dyti, ajo është vërtet e hapur për veten.”, thekson Trent.
Edhe vëzhgues të tjerë argumentojnë se Ocasio-Cortez zotëron një cilësi që shumë politikanëve profesionistë u mungon: aftësinë për t'u dukur e afërt me votuesit.
Chris Scott, strateg politik dhe ish-drejtor për koalicionet në fushatën presidenciale të Kamala Harris në vitin 2024, tha se e kaluara e saj si banakiere krijon një histori personale me të cilën identifikohen veçanërisht votuesit e brezit millennial.
Por Ocasio-Cortez ka kaluar tashmë mjaftueshëm kohë në Uashington për t'u përballur edhe me akuzën se nga një figurë jashtë sistemit është kthyer në pjesë të tij. Aktivistja që kritikonte establishmentin dhe promovonte “Green New Deal” ka punuar gjatë viteve të fundit gjithnjë e më ngushtë me drejtuesit demokratë.
Këtë javë ajo mori vlerësime të ngrohta nga Nancy Pelosi. Duke folur në një aktivitet të Politico-s në Sacramento të Kalifornisë, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se Ocasio-Cortez ishte treguar shumë efektive dhe se ishte kënaqësi të punohej me të.Ky transformim ka bërë që disa në të majtën radikale të pyesin nëse sistemi politik e ka përthithur një nga kritiket e tij më të forta.
Komentatori progresist Cenk Uygur, bashkëthemelues i programit online The Young Turks, e sheh evolucionin e saj të fundit me një përzierje dakordësie për politikat dhe zhgënjimi për taktikat.
Ocasio-Cortez i ka cilësuar veprimet e Izraelit në Gaza si “gjenocid” dhe muajin e kaluar votoi për bllokimin e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin. Megjithatë, Uygur nuk e ka harruar paraqitjen e saj në Konventën Kombëtare Demokrate të vitit 2024, ku ajo mbajti një fjalim në mbështetje të Kamala Harris dhe vlerësoi përpjekjet e saj për një armëpushim në Gaza. Shumë aktivistë të majtë e konsideruan atë deklaratë si një zbukurim të rolit të administratës amerikane në konflikt.
Gara presidenciale demokrate e vitit 2028 pritet të jetë e mbushur me kandidatë. Nëse Ocasio-Cortez vendos të kandidojë, ajo mund të përballet me kongresmenin progresist të Kalifornisë, Ro Khanna, si dhe me figura të njohura si Kamala Harris, Pete Buttigieg, Gavin Newsom dhe Jon Ossoff.Disa demokratë, pas humbjeve të Hillary Clinton në vitin 2016 dhe Kamala Harris në vitin 2024, mund të hezitojnë të mbështesin Ocasio-Cortez nëse arrijnë në përfundimin se Shtetet e Bashkuara ende nuk janë gati të zgjedhin një grua presidente. Një shqetësim të tillë e ka shprehur, ndër të tjera, edhe ish-zonja e parë Michelle Obama.
Kongresmenia përballet edhe me një pengesë tjetër potencialisht serioze. Demokratët e qendrës kanë argumentuar prej kohësh se krahu socialist demokrat mund të ketë sukses mes votuesve të bardhë me arsim universitar, por e ka më të vështirë të krijojë lidhje me komunitetin afrikano-amerikan. Një dobësi e tillë mund të ketë peshë të veçantë në një shtet të hershëm të zgjedhjeve paraprake si Karolina e Jugut.
Nëse kandidon, Ocasio-Cortez duhet të presë gjithashtu një ofensivë të fortë nga republikanët dhe mediat e djathta, të cilat prej vitesh e paraqesin si një komuniste radikale dhe kërcënim për modelin amerikan. Komenti i saj se periudha e parë e politikës “woke” kishte qenë “çmenduri” është interpretuar edhe si një përpjekje për të zbutur këtë imazh.
Tara Setmayer, ish-drejtoreshë republikane e komunikimit në Capitol Hill, e konsideroi deklaratën një zgjedhje strategjike për t'u zhvendosur drejt qendrës politike. Por ajo argumentoi se lidhjet e Ocasio-Cortez me Sanders dhe figura të tjera të së majtës do të vazhdojnë të përdoren kundër saj.
Historia politike amerikane, megjithatë, ka plot kandidatë për Shtëpinë e Bardhë që pritën radhën dhe humbën momentin e tyre. Ka edhe raste si ai i Barack Obamës, i cili e shfrytëzoi momentin dhe arriti deri në Zyrën Ovale.
Nëse fiton zgjedhjet, Ocasio-Cortez do të tejkalonte Theodore Roosevelt dhe John F Kennedy duke u bërë presidentja më e re në historinë e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ajo vetë këmbëngul se ambicia e saj është më e madhe sesa një post i caktuar. Synimi për të ndryshuar Amerikën mund ta shtyjë drejt një kandidature. alexandria ocasio-cortez presidente shba Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Rritja e çmimt të naftës në SHBA, Trump: Çështje të parëndësishme, s’kërkoj kurrë falje 15 Gusht 2026, 08:4808:48Rajoni dhe Bota Presidenti yll kopertinash, fotoja e Macron me Jet Ski në plazh çmend francezët 15 Gusht 2026, 08:0808:08Rajoni dhe Bota Tërmet 7.7 ballë në Indonezi, dhjetra viktima dhe ndërtesa të shembura; pas lëkundjeve jepet alarm për cunam (Foto+Video) 15 Gusht 2026, 07:4907:49Rajoni dhe Bota Nga kampi në Serbi, te tekrutimi i priftërinjve, Moska plan sekret për të pushtuar Moldavinë 15 Gusht 2026, 07:4207:42Rajoni dhe Bota Trump ‘i hedh benzinë' zjarrit: Do të shpall Hormuzin territor të SHBA-së! 14 Gusht 2026, 22:4522:45Rajoni dhe Bota Trump dhe parashikimi për deri në vitin 2040! 14 Gusht 2026, 21:1221:12Rajoni dhe Bota

