Lajme Zone
Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet!
PolitikëPamfleti

Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet!

Qasja në disa zona bregdetare dhe ullishte u mbyll me gardhe sigurie, ndërsa banorët kundërshtuan atë që e konsideronin marrje të tokës së tyre. Përplasjet me rojet private

Pamje nga protestat në Tiranë / Ajo që nisi në Zvërnec si një protestë kundër një projekti turistik, është shndërruar në një revoltë më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset Shqipëria. Protestuesit nuk kërkojnë më vetëm ndalimin e projektit të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, por dorëheqjen e Edi Ramës, hetimin e tij dhe një qeveri teknike 12-mujore. Në thelb të revoltës qëndron një brez që nuk e krahason më Shqipërinë me të kaluarën e saj, por me Evropën ku ka udhëtuar, punuar dhe jetuar... Më 16 maj në Zvërnec, një fshat i qetë në bregdetin shqiptar, nisi ajo që më pas do të merrte emrin “Revolucioni i Flamingove”. Në qendër të konfliktit ishte projekti për ndërtimin e një resorti luksoz të mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Qasja në disa zona bregdetare dhe ullishte u mbyll me gardhe sigurie, ndërsa banorët kundërshtuan atë që e konsideronin marrje të tokës së tyre. Përplasjet me rojet private

dhe nisja e punimeve e kthyen konfliktin lokal në një protestë me përmasa kombëtare.

Por shumë shpejt flamingot prej kartoni, që në fillim simbolizonin mbrojtjen e lagunës dhe mjedisit, u bënë simbol i një pakënaqësie shumë më të thellë. Protestat u zhvendosën në Tiranë dhe kërkesat u zgjeruan: jo vetëm mbrojtje e zonës së Zvërnecit, por ndryshim i mënyrës së qeverisjes, dorëheqja e Edi Ramës dhe një qeveri teknike para zgjedhjeve të reja.

Në ditën e 54-t të protestave, kur situata ishte përshkallëzuar dhe përplasjet me policinë ishin bërë më të ashpra, në rrugët e Tiranës protestonin qytetarë nga profile shumë të ndryshme. Mes tyre kishte të rinj, profesionistë të arsimuar, pjesëtarë të diasporës, njerëz

të shtresës së mesme urbane, aktivistë mjedisorë dhe grupe më radikale.

Një pjesë e protestuesve e akuzonte qeverinë për korrupsion dhe autoritarizëm, ndërsa përballë tyre policia përdori gaz lotsjellës, ujë dhe sprej djegës. Një nga zërat më domethënës të protestës ishte ai i diasporës.

Avniu, një shqiptar që punon si murator në Londër, shprehte një paradoks që po përsëritej gjithnjë e më shpesh: pse shqiptarët duhet të jetojnë jashtë kur vendi i tyre, në teori, është më i qëndrueshëm dhe më i zhvilluar se dikur?

Ai përshkruante fshatin e tij në veri si një vend pothuajse të zbrazur, pasi të gjithë ata që kishin mundësi ishin larguar drejt Britanisë ose vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Për të, problemi nuk ishte mungesa e potencialit të Shqipërisë, por një sistem ku lidhjet me pushtetin, mund të vlejnë më shumë se merita dhe ligji.

Kjo është një nga çelësat për të kuptuar revoltën. Shqipëria e vitit 2026, nuk është më Shqipëria e viteve 1990. Nën drejtimin e Ramës, ekonomia është rritur ndjeshëm, Tirana është transformuar dhe vendi është bërë një destinacion i rëndësishëm turistik.

Qyteti është mbushur me kulla, hotele, restorante dhe biznese të reja. Bregdeti është kthyer në një treg të madh turistik, ndërsa Shqipëria është bërë shumë më e integruar me Evropën.

Por pikërisht ky transformim ka krijuar një standard të ri krahasimi.

Shqiptarët, dhe veçanërisht të rinjtë, nuk e matin më jetën e tyre me atë që kishin prindërit në vitet e vështira të tranzicionit. Ata e krahasojnë me jetën në Itali, Gjermani, Britani, Francë apo vende të tjera ku kanë studiuar, punuar ose udhëtuar. Dhe këtu shfaqet paradoksi i Edi Ramës: një pjesë e protestuesve janë pikërisht brezi që u rrit gjatë qeverisjes së tij.

Deputeti socialist Pirro Vengu e pranon këtë paradoks. Sipas tij, protestuesit janë kryesisht të rinj, të arsimuar dhe urbanë. Ata nuk e krahasojnë Shqipërinë me të kaluarën e saj tragjike, por me Evropën Perëndimore.

Në këtë kuptim, një pjesë e pakënaqësisë është pasojë e vetë modernizimit që qeveria Rama e konsideron një nga sukseset e saj më të mëdha. Problemi është se rritja ekonomike nuk është përkthyer për të gjithë në ndjenjën e një jete më të mirë.

Çmimet e ushqimeve dhe pronave janë rritur ndjeshëm, ndërsa pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Pasuria e dukshme e qyteteve dhe e bregdetit, bie në një kontrast të dukshëm me vështirësitë e familjeve të zakonshme. Kjo krijon perceptimin se po pasurohet Shqipëria, por jo domosdoshmërisht shqiptarët.

Zvërneci është simboli më i pastër i kësaj përplasjeje. Për banorët vendas, toka nuk është thjesht një aset ekonomik. Ajo është trashëgimi familjare, e lidhur me historinë dhe me mosmarrëveshjet e pafundme të pronësisë që e kanë karakterizuar Shqipërinë që nga periudha osmane, pavarësia, pushtimi italian, komunizmi dhe tranzicioni postkomunist. Pretendimet mbi tokën, shpesh mbivendosen dhe dokumentet janë një problem i vjetër.

Në rastin e projektit të Zvërnecit, pronari i deklaruar i zonës, biznesmeni Artur Shehu, është akuzuar nga avokatë të banorëve për përdorim të dokumenteve të falsifikuara të pronësisë. Ai i ka mohuar akuzat. Në qershor, u bë e ditur gjithashtu se Shehu ishte nën hetim nga SPAK për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar kokaine, akuza që ai i mohon.

Materiale të rrjedhura nga dosjet hetimore, kanë ngritur pikëpyetje mbi kontakte të mundshme mes zyrtarëve dhe personave të hetuar për krim të organizuar, por vetë SPAK ka theksuar se në atë fazë nuk kishte prova që identifikonin zyrtarët apo vërtetonin përfshirjen e tyre në aktivitete të paligjshme.

Pikërisht kjo hapësirë mes akuzave dhe provave, është shndërruar në një terren për luftën politike. Opozita e përdor si argument për të akuzuar qeverinë për lidhje me krimin e organizuar, ndërsa qeveria kërkon prova konkrete.

E njëjta përplasje shfaqet edhe në akuzën shumë më të gjerë se Shqipëria është kthyer në një “narco-shtet”. Ish-kryeministri Sali Berisha e përshkruan vendin si një sistem ku paratë e ardhura nga trafiku i drogës investohen në pasuri të paluajtshme dhe ndikojnë në politikë. Sipas tij, fuqia ekonomike e grupeve kriminale është kthyer në fuqi politike. Berisha e sheh revoltën si një mundësi për të dobësuar rivalin e tij historik dhe për t’u rikthyer në qendër të politikës. Megjithatë, një nga veçoritë e protestave është pikërisht se ato nuk duket se janë një lëvizje klasike në mbështetje të opozitës.

Në fakt, shumë prej protestuesve kërkojnë largimin e të dy liderëve. Në rrugët e Tiranës shfaqet një slogan që përmbledh më mirë se çdo tjetër natyrën anti-sistem të revoltës: “Rama në burg, Berisha në burg”. Kjo tregon se zemërimi nuk është vetëm kundër qeverisë së radhës, por kundër një sistemi politik që për dekada është dominuar nga të njëjtat figura dhe të njëjtat parti.

Edhe Edi Rama e kupton se protestat kanë ndryshuar karakter. Ai argumenton se protestat e fundit janë më të politizuara dhe se në to marrin pjesë grupe të ekstremit të majtë dhe të djathtë. Rama ka hedhur edhe dyshime mbi ndikimin e aktorëve të huaj dhe algoritmeve të rrjeteve sociale, duke argumentuar se një pjesë e madhe e përmbajtjes që mobilizon protestuesit prodhohet jashtë Shqipërisë.

Në këndvështrimin e tij, lidhja me familjen Trump e ka bërë çështjen shumë më tërheqëse për audiencat ndërkombëtare dhe për kundërshtarët e Donald Trump. Por në Zvërnec, shumë prej banorëve e shohin problemin ndryshe. Për ta, çështja është shumë konkrete: toka, uji, pronësia dhe e ardhmja e zonës.

Një pjesë e tyre kërkon investime dhe turizëm, por jo në mënyrën që po zhvillohet projekti. Organizatat mjedisore kundërshtojnë ndërhyrjet në një zonë të mbrojtur, të rëndësishme për shpendët dhe breshkat, ndërsa banorët kërkojnë që toka të mos u merret pa zgjidhur më parë problemet e pronësisë.

Nga ana tjetër, në Vlorë ka edhe banorë që e mbështesin projektin e Kushnerit. Për ta, një investim i madh ndërkombëtar mund të sjellë vende pune, turizëm dhe zhvillim. Kjo tregon se konflikti nuk është aq i thjeshtë sa “pro zhvillimit” kundër “pro mjedisit”.

Në sfond qëndron një pyetje më e madhe: kush përfiton nga bumi ekonomik shqiptar dhe kush mbetet jashtë tij? Kjo pyetje duket se ka filluar të shqetësojë edhe vetë socialistët. Në dokumentin strategjik “Besa”, qeveria e pranon se protestat janë një pasqyrë ku shoqëria po sheh veten.

Dokumenti nënvizon se shqiptarët nuk e krahasojnë më vendin me atë që ishte në vitin 2013, por me atë që mendojnë se mund dhe duhet të jetë. Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më të larta bëhen pritshmëritë. Dhe pikërisht këtu lind pakënaqësia e re.

Ish-bashkëpunëtorja e Ramës, Elisa Spiropali, e ka shprehur këtë shqetësim në mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë. Ajo ka argumentuar se mobilizimi i të rinjve nuk mund të injorohet dhe se Shqipëria ka nevojë për institucione më të forta se individët, më shumë përfaqësim dhe më pak përqendrim të vendimmarrjes.

Kjo është një kritikë e rëndësishme ndaj modelit të qeverisjes së Ramës, edhe pse vjen nga brenda familjes politike socialiste. Ndërkohë, Rama nuk duket i gatshëm të tërhiqet. Ai thotë se protestat nuk e kërcënojnë trashëgiminë e tij dhe kujton se ka përballuar edhe valë të tjera protestash.

Në lidhje me projektin e Zvërnecit, ai deklaron se nuk do të heqë dorë, por premton një proces konsultimi. Ai beson se në fund projekti do të realizohet dhe se bukuria e tij do ta mbyllë konfliktin. Por pikërisht këtu mund të jetë problemi më i madh për kryeministrin. Protesta nuk duket më se ka të bëjë vetëm me një resort. Flamingot ishin vetëm shkëndija. Pas tyre qëndrojnë çështje më të thella: pronësia, korrupsioni, çmimet, emigracioni, përqendrimi i pushtetit, mosbesimi ndaj partive tradicionale dhe ndjenja se një pjesë e shoqërisë nuk po përfiton sa duhet nga transformimi ekonomik i vendit.

Për më shumë se një dekadë, Rama ka ndërtuar një profil politik të lidhur me modernizimin, zhvillimin dhe orientimin evropian të Shqipërisë. Pikërisht kjo e bën protestën aktuale më të rëndësishme. Shumë prej protestuesve nuk janë kundër një Shqipërie moderne.

Përkundrazi, ata kërkojnë një Shqipëri edhe më moderne, me institucione më të forta, ligj më të barabartë dhe më pak varësi nga individët. Në këtë kuptim, protestuesit janë në një farë mënyre “fëmijët politikë” të epokës Rama. Ata janë rritur në Shqipërinë që u zhvillua gjatë qeverisjes së tij, kanë udhëtuar në Evropë, kanë parë standarde të tjera dhe tani kërkojnë që vendi i tyre t’i arrijë ato.

Kjo e bën shumë më të vështirë përgjigjen tradicionale të pushtetit se “Shqipëria është shumë më mirë se më parë”. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një tjetër faktor vendimtar. Qeveria synon përfundimin e procesit deri në vitin 2030, ndërsa negociatat janë përshpejtuar vitet e fundit.

Por problemet me sundimin e ligjit, korrupsionin, krimin e organizuar dhe funksionimin e institucioneve mbeten pjesë e debatit. Për qeverinë, destabilizimi politik në këtë moment është i padëshiruar. Për protestuesit, pikërisht afrimi me Evropën është argument për të kërkuar standarde më të larta demokratike.

Rreziku për Ramën nuk është domosdoshmërisht që protestat ta rrëzojnë menjëherë. Më serioz është fakti se ato mund të kenë thyer një ekuilibër politik që dukej i qëndrueshëm. Për herë të parë pas shumë vitesh, një pjesë e rëndësishme e shtresës së mesme urbane, rinisë dhe diasporës po shfaqet si forcë politike jashtë kontrollit të dy partive tradicionale.

Nëse protesta vazhdon gjatë vjeshtës, kur të bien temperaturat, pushuesit largohen dhe studentët kthehen në universitete, mobilizimi mund të marrë përmasa të reja. Edhe nëse Rama arrin ta përballojë këtë valë, mesazhi politik është i qartë: modeli i vjetër i patronazhit dhe personalizimit të pushtetit po përballet me një brez që kërkon më shumë se rritje ekonomike.

Rama thotë se ka edhe tre vjet në detyrë dhe se tashmë e ka siguruar vendin e tij në historinë e Shqipërisë. Por mënyra se si do të përfjë kjo histori nuk do të vendoset vetëm nga ajo që ai ka ndërtuar deri tani. Ajo do të varet edhe nga mënyra se si do të përgjigjet ndaj një shoqërie që nuk kënaqet më me krahasimin me të kaluarën.

Në fund të fundit, Revolucioni i Flamingove mund të mos jetë një revolucion në kuptimin klasik. Ai mund të mos rrëzojë qeverinë dhe mund të mos sjellë menjëherë një alternativë të re politike. Por ka nxjerrë në sipërfaqe një ndryshim të rëndësishëm në Shqipëri: autoriteti personal i Edi Ramës nuk është më i padiskutueshëm./Pamfleti nga “Unherd”kulti i edi ramës po shpërbëhet Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Nuk mund të jetojmë të gjithë në breg të Lanës 14 Gusht 2026, 09:4709:47Editorial Kush po e kontrollon Ngushticën e Hormuzit? 13 Gusht 2026, 10:3610:36Editorial Mos u mërzisni, do ta bëjmë edhe Parisin si Kuçin e Vlorës 12 Gusht 2026, 12:3812:38Editorial Çfarë fshihet pas deklaratës së Vuçiçit për Ibrin? 11 Gusht 2026, 10:3010:30Editorial Çfarë po luhet mes Kievit dhe Beogradit? 10 Gusht 2026, 10:0810:08Editorial Elefanti në dhomë 8 Gusht 2026, 19:1819:18Editorial