Lajme Zone
Ëndrra shqiptare e Ivanka Trump dhe makthi politik i Edi Ramës!
PolitikëPamfleti

Ëndrra shqiptare e Ivanka Trump dhe makthi politik i Edi Ramës!

Mediat gjermane vijojnë ta vendosin nën lupë qeverinë e Edi Ramës. Këtë herë është revista e njohur Der Spiegel, e cila i kushton një analizë të gjatë dhe kritike projektit miliardësh të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit.

Rama, politikani rreth dy metra i gjatë që flet disa gjuhë, ishte që në fillim në dijeni të projektit luksoz të Kushnerit. Që në verën e vitit 2021, kur, sipas Ivanka Trumpit, çifti i fuqishëm amerikan po lundronte pranë Sazanit, Rama duket se hipi në jahtin e tyre. Vetë Kushner e ka treguar këtë në një intervistë. Rama me Ivanka Trump gjatë vizitës së saj në Vlorë Mediat gjermane vijojnë ta vendosin nën lupë qeverinë e Edi Ramës. Këtë herë është revista e njohur Der Spiegel, e cila i kushton një analizë të gjatë dhe kritike projektit miliardësh të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit.

Në qendër të shkrimit janë pikëpyetjet mbi mënyrën se si projekti ka përparuar, ndryshimet ligjore që prekën ndërtimet në zonat e mbrojtura, statusi i investimit strategjik, konfliktet e vjetra të pronësisë në Lagunën e Nartës dhe hetimet e SPAK që prekin një prej ish-pronarëve të tokave të përfshira në marrëveshje. Der Spiegel ndalet veçanërisht te roli i Ramës, duke kujtuar se kryeministri drejton edhe strukturën shtetërore që ka fjalën e fundit për investimet e mëdha dhe projektet strategjike. Revista gjermane e vendos projektin në një kontekst më të gjerë, atë të problemeve të Shqipërisë me pronësinë, korrupsionin dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Artikulli

Ivanka Trump e ka ende të gjallë atë moment, kjo duket nga vështrimi i saj ëndërrimtar. Pesë vjet më parë, ajo dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, po lundronin me jahtin e një miku pranë brigjeve shqiptare, kur papritur para tyre u shfaq ky “ishull privat”. Ata notuan drejt tij dhe, siç tregon ajo, u ngjitën “këmbëzbathur” në kodrat e Sazanit. Nga atje panë në kontinent një lagunë, të rrethuar nga “plazhe të mrekullueshme me rërë të bardhë”.

Në atë moment, ajo e kuptoi: ky mund të bëhej “një projekt i jashtëzakonshëm”. Kështu e ka treguar vajza e Donald Trumpit historinë në një video-podcast më 31 maj. Është një histori e bukur. Dhe do të tingëllonte edhe më bukur sikur vetëm një ditë më parë, më 30 maj, të mos ishte shfaqur në internet një tjetër video, e xhiruar pikërisht në atë lagunë përrallore.

Në të shihen njerëz të zemëruar përpara telave me gjemba dhe roje me syze dielli, të cilët tërheqin nga të dy krahët një protestues të pambrojtur, të shtrirë përtokë, mbi një plazh që, në fakt, nuk është edhe aq me rërë të bardhë.

Që prej asaj kohe, projekti i Ivanka Trumpit është bërë edhe më i jashtëzakonshëm – ndërsa në Shqipëri zemërimi i njerëzve ka shpërthyer.

Flamingo prej kartoni, mbrëmje pas mbrëmjeje

Këtë verë, vendi po përjeton trazira në një shkallë që nuk ishte parë prej kohësh. Që nga fillimi i qershorit, qytetarët mblidhen praktikisht çdo ditë në Sheshin Skënderbej, në kryeqytetin Tiranë. Në fillim ishin qindra, më pas mijëra dhe, në fund, dhjetëra mijëra. Një numër befasues për një vend që nuk ka më as tre milionë banorë.

Ndërkohë, protesta janë zhvilluar edhe në Berlin, Londër, Stokholm, Bruksel, Milano dhe në vende të tjera të botës, ku diaspora shqiptare është shpërndarë gjatë dekadave të fundit.

Në fillim, zemërimi i njerëzve lidhej me një resort luksoz me vlerë miliarda, të promovuar nga familja Trump në jug të Shqipërisë – pjesa më e madhe e të cilit ndodhet në një zonë të mbrojtur, ku jetojnë shpendë të rrezikuar dhe kafshë të tjera. Por sa më shumë dilnin në dritë paqartësi dhe elemente të pazakonta rreth projektit, aq më shumë shtohej zemërimi i protestuesve, të cilët mbrëmje pas mbrëmjeje ngrinin flamingo prej kartoni në zonën qeveritare. Prej kohësh, zemërimi i tyre nuk drejtohet më vetëm ndaj projektit, por ndaj një forme tepër të njohur politike, e cila për dekada u ka marrë shqiptarëve çfarë ka dashur. Dhe ndaj ndjenjës së pafuqisë përballë një sistemi ku ligji është më elastik për disa sesa për të tjerët.

“Revolucioni i Flamingove” është shndërruar në një krizë të sistemit. Dhe në një rrezik për Edi Ramën, një artist shtatlartë me petkun e burrit të shtetit, i cili e qeveris vendin me dorë të fortë që prej vitit 2013 dhe konsiderohet një prej të preferuarve të Bashkimit Europian në Ballkan.

Kjo lidhet, nga njëra anë, me sjelljen e tij të çlirët dhe plot humor dhe, nga ana tjetër, me gatishmërinë e tij bujare për t'ia mbajtur BE-së larg migrantët që ajo nuk dëshiron t'i ketë në territorin e saj. Rama synon që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Sazani tashmë po quhet “Ishulli Trump”

Rama i ka mbështetur me të gjitha mundësitë ëndrrat shqiptare të Ivanka Trumpit për ishullin. Por nëse gjithçka në këtë projekt miliardësh po zhvillohet sipas ligjit, këtë nuk e pyesin vetëm protestuesit në Sheshin Skënderbej, por edhe hetuesit shtetërorë. Në ajër qëndrojnë akuza të rënda: falsifikim dokumentesh, pastrim parash, madje edhe krim i organizuar.

Për momentin, atje ku mund të ndërtohet një prej resorteve më ekskluzive të Mesdheut, ka vetëm gurë dhe rërë. Por që tani, kjo çështje është shndërruar në një portret të një vendi që i dha lamtumirën komunizmit në fillim të viteve ’90, por që ende nuk ka mbërritur përfundimisht te një shtet ligjor funksional.

Fakti që emri i presidentit amerikan qëndron mbi të gjithë këtë, në njëfarë mënyre përshtatet me tablonë: përse në një prej shteteve më të vogla, më të varfra dhe më të korruptuara të Europës të mos jetë e mundur ajo që, në kombin më të fuqishëm të botës, është riinterpretuar si art i qeverisjes?

Sidomos kur bëhet fjalë vetëm për disa plazhe të pabanuara dhe një ishull të izoluar. Në Shqipëri, disa tashmë e quajnë “Ishulli i Trumpëve” – Ishulli Trump.

Si një pulëbardhë gjigante

Sazani, prona e lakmuar, shtrihet në mënyrë idilike dhe të dukshme përballë bregdetit të Shqipërisë së Jugut, në një pozicion strategjik në kalimin nga Adriatiku në Detin Jon. Parë nga plazhi i Vlorës, ai ngrihet mbi ujë si një pulëbardhë gjigante që hap krahët.

Me një sipërfaqe prej rreth pesë kilometrash e gjysmë katrorë, Sazani është ishulli më i madh i vendit. Por deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë, kur shërbente si një bazë ushtarake e izoluar dhe e ruajtur rreptësisht, pothuajse asnjë civil nuk kishte shkelur atje.

Sot, vizitorët mund të udhëtojnë nga Vlora drejt ishullit për 25 euro. Në një mëngjes të kthjellët të së martës në qershor, rreth 100 turistë ngjeshen në portin e qytetit në disa skafe, të cilat më pas nisen me shpejtësi, duke u përplasur fort me dallgët çdo pak metra.

Pas 30 minutash mbërrin në një mol, pas të cilit shtrihet një plazh me zhavorr të trashë dhe mbetjet e një bastioni ushtarak dikur të ruajtur rreptësisht: vinça portualë të gërryer nga ndryshku, kontejnerë të deformuar dhe skelete godinash të mbuluara me grafite.

Në Sazan, dëgjohet nga altoparlanti i skafit në formë mirëseardhjeje, sovjetikët dikur fshihnin nëndetëse. Sot, ishulli është një parajsë natyrore me shumë specie të rralla bimësh, “të cilën më në fund mund ta eksplorojë kushdo”.

Edhe miliarderët amerikanë.

I mbushur me municione të pashpërthyera

Një shteg betoni, ndoshta tre metra i gjerë, gjarpëron nga moli përpjetë shpatit, i rrethuar nga pisha, dëllinja, shkurre manaferrash dhe oleandra. Në disa vende është i plasaritur dhe i mbuluar nga bimësia. Duhet të jetë e dhimbshme të ecësh këmbëzbathur mbi të. Tabelat paralajmërojnë vizitorët të mos dalin nga shtegu; thuhet se pjesë të mëdha të Sazanit janë ende të mbushura me municione të pashpërthyera.

Lart, si dhëmbë të kalbur, qëndrojnë skeletet prej guri të ndërtesave të banimit ku dikur strehoheshin rreth 3 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak. Aty gjenden edhe një kinema, një shkollë dhe një restorant, muret e të cilave prej kohësh po i gëlltit natyra. Pamja panoramike mbi Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan është madhështore, ndërsa heshtjen e ndërpresin vetëm herë pas here motorët e fuqishëm të skafeve. “Sazani është një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe më unike që kam parë ndonjëherë”, shprehej me entuziazëm Jared Kushner në një intervistë në vitin 2024. Po atë vit, dhëndri i Donald Trumpit publikoi në llogarinë e tij në X vizionet e para për ishullin e ardhshëm luksoz: bungalow me ngjyrën e rërës dhe fasada tërësisht prej xhami, të futura në shpat si tarraca artificiale prej travertini. Në imazhe të tjera shfaqen një marinë për jahte luksoze dhe pishina “infinity” që duken sikur qëndrojnë pezull mbi det.

Gradualisht u bënë të njohura edhe planet paraprake për pjesën e bregdetit përballë ishullit, rreth fshatit Zvërnec. Ato përfshijnë, ndër të tjera, vende të tjera ankorimi për jahte të përmasave të mëdha, një qendër mirëqenieje, një park ujor, një fushë golfi dhe rezidenca elegante për disa mijëra blerës me mundësi të larta financiare.

Vlera e parashikuar e investimit: rreth katër miliardë euro.

Destinacion i klasit botëror

Nga do të vijnë saktësisht paratë dhe deri në çfarë faze kanë arritur planet e ndryshme, siç ndodh shpesh në botën e të pasurve, nuk është e lehtë të përcaktohet.

Pas një kërkese të SPIEGEL drejtuar fondit të investimeve të Kushnerit, Affinity Partners, përgjigjet një kompani e marrëdhënieve me publikun, e cila fillimisht thekson se nuk bëhet fjalë për një projekt të Affinity dhe se Kushner është i përfshirë vetëm “si person privat”.

Megjithatë, ajo thotë se mund të citohet Asher Abehsera, një partner biznesi prej shumë vitesh i Kushnerit, në cilësinë e drejtuesit të kompanisë “Sazan Real Estate Development LLC”, me seli në Katar.

Por Abehsera mjaftohet me formulime të përgjithshme, duke deklaruar se synojnë të krijojnë “një destinacion të klasit botëror”, i cili do të promovojë “bukurinë natyrore” të vendit dhe do të “krijojë vende pune”. Për planet përfundimtare, megjithatë, do të vendosin “njerëzit në Shqipëri”.

Pikërisht këtu hyn në skenë Edi Rama, i cili nuk është vetëm kryeministri i Shqipërisë, por kryeson edhe Këshillin Kombëtar të Territorit, organin qeveritar që ka fjalën e fundit për të gjitha investimet e mëdha dhe projektet strategjike të infrastrukturës në vend. Me fjalë të tjera: pa Ramën, nuk ka resort luksoz në bregdet. Aq më pak në Sazan, sepse ai nuk është aspak një “ishull privat” – ishulli i përket shtetit. Dhe kështu duhet të mbetet.

Rama, politikani rreth dy metra i gjatë që flet disa gjuhë, ishte që në fillim në dijeni të projektit luksoz të Kushnerit. Që në verën e vitit 2021, kur, sipas Ivanka Trumpit, çifti i fuqishëm amerikan po lundronte pranë Sazanit, Rama duket se hipi në jahtin e tyre. Vetë Kushner e ka treguar këtë në një intervistë.

Rama, nga ana e tij, i ka treguar Associated Press se gjatë Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2022 në Davos kishte biseduar me Kushnerin për planet e tij të investimeve në Shqipëri. Në verën e vitit 2023, të dy u shfaqën së bashku në Tiranë.

Një zonë unike e mbrojtur natyrore

Në vitin 2024, kur Kushner i bëri publike planet e tij, Shqipëria ndryshoi me shpejtësi një ligj, duke i lehtësuar ndjeshëm projektet e ndërtimit në zona të ndjeshme të mbrojtura dhe bregdetare. Në dhjetor të po atij viti, pak javë pas rizgjedhjes së Trumpit, një komitet qeveritar, të cilin gjithashtu e kryeson Rama, i dha projektit, në bazë të një tjetër ligji të debatueshëm, statusin e një investimi “strategjik” dhe, rrjedhimisht, me përparësi. Pak më vonë, qeveria dhe investitorët vunë në lëvizje planet konkrete për resortin luksoz.

Në përgjigje të një kërkese të SPIEGEL, qeveria shqiptare mohoi se ligji ishte ndryshuar për shkak të projektit miliardësh të Kushnerit. Për më tepër, sipas saj, rregullimi i ri nuk është një ndryshim “që do të kishte modifikuar në çfarëdo mënyre statusin juridik të zonave të prekura nga këto projekte”.

Kush e di, ndoshta streha e të pasurve në ishull do të kishte marrë formë relativisht në heshtje, nëse Kushner dhe financuesit e tij do të ishin mjaftuar me të dhe nuk do t’i kishin hedhur sytë edhe te “plazhet e mrekullueshme me rërë të bardhë” në kontinentin përballë. Sepse toka e lakmuar për ndërtim atje, ndryshe nga Sazani, nuk i përket shtetit.

“Përralla e Kolombit”

Në një mbrëmje të nxehtë të së martës, pak para perëndimit të diellit, Petraq Balliu thotë: “Më kujton komunizmin; edhe atëherë na e merrnin tokën kështu, pa na pyetur”.

Ai qëndron në plazhin e Hidrovorit, i cili në atë orë është zhytur në një dritë joreale portokalli dhe rozë. Përveç disa njerëzve që notojnë pranë një barake të improvizuar prej dërrasash, nuk shihet askush përreth. Shumë larg, në det, Sazani fshihet nën një perde resh. Balliu hedh një vështrim andej, shfryn përmes buzëve dhe thotë: “Një përrallë të bukur Kolombi na tregoi Ivanka Trump”.

Balliu, një 61-vjeçar që pi cigare pa pushim dhe i mban flokët shumë shkurt, është zëvendëspresident i një porti hidrokarburesh në qytetin portual të Durrësit. Ai ka këmbëngulur të përshkojë 120 kilometrat deri këtu për të treguar historinë e tij. Balliu beson se mund të provojë se toka mbi të cilën po qëndron i përket atij dhe vëllezërve e motrave të tij.

Problemi është se këtë e besojnë edhe të tjerë. Sepse toka për të cilën bëhet fjalë është e çmuar. Në çdo kuptim.

Laguna e Nartës, me një sipërfaqe prej më shumë se 40 kilometrash katrorë, mes fshatrave Zvërnec dhe Pishë Poro, është një nga ekosistemet bregdetare me biodiversitetin më të pasur në rajonin e Mesdheut. Mijëra flamingo jetojnë atje krahas disa llojeve të rrezikuara të shpendëve, si pelikani kaçurrel dhe skifteri kthetraverdhë. Zona shërben si strehë për fokën e rrallë mesdhetare, ndërsa breshkat e detit vendosin vezët në dunat përreth. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, derdhet në Adriatik pikërisht aty pranë.

“Korrupsion! Korrupsion!”

Derisa Shqipëria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024, ndërtimi në zona të ndjeshme si Laguna e Nartës ishte praktikisht i pamundur. Që prej atëherë, toka përreth është bërë jashtëzakonisht e vlefshme edhe për investitorët.

Pyetja është vetëm: kujt i përket në të vërtetë?

Përgjigjja është objekt mosmarrëveshjesh prej dekadash. Duke nisur nga mesi i viteve 1940, komunistët që qeverisnin Shqipërinë shpronësuan gradualisht dhe pa kompensim një numër të madh pronarësh tokash, përfshirë edhe në zonën e Zvërnecit. Pasardhësit e tyre luftojnë prej më shumë se tri dekadash për t’i rimarrë këto prona.

Situata ligjore është e paqartë, kadastra ka mangësi dhe kundërthënie, ndërsa disa dokumente pronësie datojnë që nga koha e sundimit osman. Edhe drejtësisë nuk mund t’i besohet gjithmonë. Që prej vitit 2016, qindra prokurorë dhe gjyqtarë janë detyruar të largohen nga detyra për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Balliu thotë se, pavarësisht kësaj, kishte qenë i bindur se do ta merrte përsëri tokën e të parëve të tij. Që në vitin 2003, gjykata kompetente vërtetoi se dokumentet e tij ishin autentike dhe se, për këtë arsye, ai kishte një pretendim të ligjshëm mbi më shumë se 200 hektarë tokë pranë Lagunës së Nartës. Në vitet që pasuan, ai fitoi edhe procese të tjera gjyqësore.

Por në shkallët e mëvonshme, vendimet u rrëzuan përsëri.

Përse?

“Korrupsion! Korrupsion!”, thërret Balliu.

Këtë e kupton edhe pa përkthyes.

Një biznesmen nga Miami

Shqiptari vazhdoi betejën gjyqësore. Herë pas here, gjatë gjithë këtyre viteve, thotë se është kontaktuar nga figura të dyshimta, të cilat e këshillonin të hiqte dorë dhe, në vend të kësaj, të pranonte një dëmshpërblim qesharakisht të ulët. Ai pretendon se disa prej këtyre njerëzve i kishte njohur dhe se ata i përkisnin rrethit të përfaqësuesve të lartë të qeverisë. Kjo nuk mund të verifikohet.

Të paktën tri familje po përplasen në këtë çështje për, në thelb, të njëjtën sipërfaqe toke. Veçanërisht interesante është njëra prej tyre: familja e “biznesmenit” Artur Shehu, një shqiptar i lindur në Shqipëri, me pasaportë amerikane, i cili sot jeton në një vilë me vlerë miliona dollarë në Miami.

Edhe familja e Shehut prej shumë vitesh përpiqet të sigurojë përmes gjykatave prona në Lagunën e Nartës. Fakti që gjatë proceseve ajo paraqiti dokumente të falsifikuara, gjë që është provuar, nuk e dëmtoi: në procesin më të fundit deri tani, një gjyqtar vendosi sërish në favor të familjes Shehu. Megjithatë, kjo është ende larg një vendimi përfundimtar. Pavarësisht kësaj, Artur Shehu më pas u mburr publikisht se e kishte shitur tokën pranë lagunës.

Avokati i tij konfirmoi për SPIEGEL se Shehu ua kishte shitur në majin e kaluar investitorëve nga Katari tokën, të cilën, sipas tij, e kishte fituar ligjërisht “pa asnjë dyshim”, për 68 euro për metër katror. Duke qenë se bëhet fjalë për të paktën 200 hektarë, çmimi i blerjes, sipas kësaj përllogaritjeje, arrinte në qindra milionë euro.

Trafik kokaine dhe pastrim parash

Zemërimi i shqiptarëve nuk u zbut kur, në qershor, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi një rezultat të bujshëm të hetimeve: pas pesë vitesh hetime ndaj një rrjeti ndërkombëtar “të përfshirë në trafik kokaine dhe pastrim parash”, u urdhërua arrest me burg ose arrest shtëpie për 20 persona.

Mes tyre ishte edhe Artur Shehu.

Sipas hetuesve, të cilët gjatë viteve të fundit kanë çuar pas hekurave disa bashkëpunëtorë të nivelit të lartë dhe ministra të qeverisë së Edi Ramës, disa nga të akuzuarit kanë trafikuar kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Të tjerë dyshohet se kanë pastruar fitimet përmes investimeve në prona dhe projekte ndërtimi në të gjithë Shqipërinë.

Për shembull në Tiranë, ku prej vitesh ngrihen qiellgërvishtëse luksoze, shumë prej të cilave qëndrojnë bosh. Ose në zonat bregdetare – si ajo pranë Lagunës së Nartës.

Atje, toka është përvetësuar “përmes falsifikimit të dokumenteve”, shkruan SPAK, sipas raportimeve në media. Në dosjet hetimore thuhet gjithashtu se disa prej marrëveshjeve për tokat janë “mbështetur nga autoritete politike”. SPAK ndërkohë ka sekuestruar një numër të madh pronash, vilash dhe shumash të konsiderueshme parash.

Hetues të pamëshirshëm

Avokati i Shehut i konsideron akuzat ndaj klientit të tij të motivuara politikisht: “Zoti Shehu nuk është marrë kurrë në jetën e tij me veprimtari të paligjshme, aq më pak me trafik droge”.

Nuk ka prova që Jared Kushner apo Ivanka Trump mund të jenë të përfshirë në veprimtari të tilla.

Ndërkohë, kryeministri Rama duket se i ka humbur durimi. Një pyetje të një gazetari për projektin miliardësh në bregdet e quajti “Bullshit”. Protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij dhe që e shohin si një lloj “kumbari” mafioz, ai iu përgjigj në një intervistë me një “Fuck you!”.

Rama beson se e gjithë kjo zhurmë ekziston vetëm për shkak të emrave Kushner dhe Trump. Pa ta, “askujt nuk do t’i plaste” për flamingot.

Zëdhënësja e tij i tha SPIEGEL se hetimet e SPAK nuk përbëjnë arsye që qeveria ta rivlerësojë projektin miliardësh: “Aktualisht” nuk ekziston “asnjë bazë ligjore për revokimin e lejes së zhvillimit” vetëm sepse po hetohet një ish-pronar i tokës.

Nga këndvështrimi i qeverisë, investitorët e kanë blerë “ligjërisht” tokën pranë lagunës. Për siguri, çmimi i blerjes është ngrirë deri në sqarimin juridik të çështjes.

Me pak fjalë: projekti me siguri “nuk do të ndalet nga dezinformimi, zhurma politike apo pretendimet që bien ndesh me faktet”.

Idetë e Trumpit për Ballkanin

Por a e shohin kështu edhe investitorët e projektit miliardësh?

Të paktën Jared Kushner duket se ndërkohë ka nisur të ketë dyshime. Në lidhje me hetimet e SPAK, kompania e tij e marrëdhënieve me publikun deklaroi se, deri në një njoftim të mëtejshëm, ata vazhdojnë të supozojnë “se blerja e tokës është kryer në mënyrë të ligjshme”. Por, natyrisht, do të respektojnë “çdo procedurë të ligjshme”.

Në një deklaratë të mëparshme, partneri i biznesit të Kushnerit, Abehsera, kishte deklaruar pa ekuivok: nëse provohen veprime të paligjshme në lidhje me tokën, “do të tërhiqemi nga kontrata e blerjes”.

Nuk do të ishte hera e parë që familja Trump do të hiqte dorë në kohë nga një prej ideve të shumta të biznesit në Ballkan.

Në Beograd të Serbisë, për shembull, Jared Kushner së bashku me investitorë synonte ta shndërronte ish-godinën e bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në një hotel luksoz të markës “Trump Tower”. Kjo solli protesta disajavore dhe hetime ndaj përfaqësuesve të qeverisë për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.

Në fund, familja Trump humbi interesin.

Në dhjetor 2025, ajo u tërhoq.

Dhe iu drejtua projekteve të tjera të ëndrrave. /Përshtati "Pamfleti"ivanka trump rama screenshot 11 e6277970d0d85e5e1985763b18c255e922b691e7 8ffa9a3855401c599a5eafc31e065bbc1d845618 c086c3a4d25deb04ebde4337f5282fd6616f2f3f 690b64d4c79950c64c0c5146285c6a0f627a07b5 b95b362b1777aa7ac9d73efb9e31946a19283e5c 1 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Hija e Kolë Idromenos do ju ndjekë gjithë jetën tuaj 15 Gusht 2026, 10:5310:53Dosja e zezë Dosjet e SPAK-ut: Ergys Agasi në bisedë me Edi e Olsi Ramën; Ilir Shtufi, mesazhe me Shkëlzen Berishën e Jamarbër Malltezin 13 Gusht 2026, 13:3913:39Dosja e zezë Dosjet e anti-mafias hapin pistën shqiptare: Cili biznesmen takoi në Tiranë dhëndrin e bosit të 'Cosa Nostra' Messina Denaro-s? 12 Gusht 2026, 18:3318:33Dosja e zezë Dokumente/ Krim me trashëgiminë kulturore: Blendi Gonxhe dhe Endri Haxhiu legalizuan 156 ndërtime në zona arkeologjike 12 Gusht 2026, 13:5313:53Dosja e zezë SHBA u prish qetësinë pushtetarëve, ekspert pranë BKH për operacionet speciale kundër krimit dhe korrupsionit 11 Gusht 2026, 22:1122:11Dosja e zezë Erdogani humb betejën në Vlorë: Komuniteti Mysliman shkarkon myftiun Ardit Hoxhllaku 10 Gusht 2026, 12:0112:01Dosja e zezë