Lajme Zone
Zgjerimi si armë gjeopolitike: Ukraina përpara, Ballkani në pritje
PolitikëPamfleti

Zgjerimi si armë gjeopolitike: Ukraina përpara, Ballkani në pritje

Lufta në Ukrainë dhe përshkallëzimi i konkurrencës gjeopolitike e kanë rikthyer zgjerimin e BE-së në qendër të politikës së sigurisë në kontinent. Procesi mbetet formalish i njëjtë, por në praktikë po bëhet gjithnjë e më i diferencuar.

Foto ilustruese Ukraina dhe Moldavia po përparojnë në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Ballkani Perëndimor ecën me ritëm më të ngadaltë. Zgjerimi i Bashkimit Evropian po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një instrument gjeopolitik, ku ndërthuren siguria, reformat dhe gara për ndikim. Për vite me radhë, zgjerimi i Bashkimit Evropian u trajtua kryesisht si një proces teknik: reforma, shteti i së drejtës, tregu i përbashkët dhe kapacitetet administrative. Sot kjo perspektivë ka ndryshuar.

Lufta në Ukrainë dhe përshkallëzimi i konkurrencës gjeopolitike e kanë rikthyer zgjerimin e BE-së në qendër të politikës së sigurisë në kontinent. Procesi mbetet formalish i njëjtë, por në praktikë po bëhet gjithnjë e më i diferencuar.

Ukraina dhe Moldavia po ecin në një trajektore më të shpejtë, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor përparojnë më ngadalë. Kjo nuk do të thotë se Brukseli ka hequr dorë nga parimi i meritës, por që i njëjti proces anëtarësimi po vlerësohet tashmë edhe përmes prizmit të sigurisë.

Kievi përshpejton, por rruga mbetet e vështirë

Më 15 qershor, BE-ja hapi me Ukrainën negociatat për grupkapitullin e parë, “Fundamentals”, ku përfshihen shteti i së drejtës, të drejtat themelore, institucionet demokratike, reforma e administratës publike, prokurimet dhe kontrolli financiar.

Ky është grupi i parë që hapet dhe i fundit që synohet të mbyllet. Për këtë arsye, ritmi i përparimit në këtë fushë do të ndikojë ndjeshëm në shpejtësinë e përgjithshme të negociatave.

Më 14 korrik, pra vetëm një muaj më vonë, Brukseli hapi edhe grupkapitullin 6 për marrëdhëniet me jashtë, ku përfshihen politika tregtare, politika e jashtme, siguria dhe mbrojtja.

Është një hap me peshë të veçantë politike, pasi negociatat prekin disa prej fushave më të ndjeshme për pozicionimin e ardhshëm ndërkombëtar të Ukrainës. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se Kievi po ndjek një rrugë të privilegjuar pa kushte.

Komisioni Evropian dhe Këshilli, vazhdojnë ta konsiderojnë anëtarësimin një proces të bazuar në meritë. Ukraina duhet të përvetësojë dhe zbatojë acquis communautaire, si dhe të përmbushë standardet evropiane. Me fjalë të tjera, shpejtësia politike nuk e zhduk kompleksitetin administrativ dhe institucional të anëtarësimit.

Moldavia ndjek të njëjtën logjikë, në një tjetër përmasë

Po më 15 qershor, edhe Moldavia hapi grupkapitullin themelor të negociatave. Paketa përfshin çështje si drejtësia, të drejtat themelore, siguria, administrata publike, prokurimet, statistikat dhe kontrolli financiar.

Dallimi me Ukrainën qëndron kryesisht te përmasa gjeopolitike. Për Kishinaun, integrimi evropian nënkupton njëkohësisht reformimin e shtetit, konsolidimin institucional dhe ankorimin strategjik të vendit.

Nga ana tjetër për BE-në, integrimi i Moldavisë do të thotë forcimi i qëndrueshmërisë së një shteti që ndodhet në një prej zonave më të ndjeshme të Evropës Lindore. Për këtë arsye, përshpejtimi i procesit nuk mund të shpjegohet vetëm me argumente ekonomike.

Zgjerimi po bëhet edhe një instrument, përmes të cilit Brukseli përpiqet të organizojë dhe të stabilizojë hapësirën përreth tij.

Ballkani, si laboratori i stabilizimit

Në juglindje, panorama është e ndryshme. Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat më 5 qershor, konfirmoi se Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova mbeten pjesë e pandashme e perspektivës evropiane.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e ka cilësuar anëtarësimin e rajonit një “investim vendimtar gjeopolitik” për Bashkimin Evropian. Por në Ballkan logjika mbizotëruese është ajo e stabilizimit.

BE-ja nuk duhet vetëm të përfshijë anëtarë të rinj. Ajo duhet edhe të parandalojë që një rajon ende i karakterizuar nga dobësitë institucionale, mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe orientimet e ndryshme ndërkombëtare të shndërrohet sërish në një terren për konkurrencën mes fuqive të jashtme.

Megjithatë, problemi është se pikërisht ngadalësia e procesit mund të prodhojë efektin e kundërt. Nëse perspektiva evropiane humbet besueshmërinë, aktorë të tjerë mund të fitojnë hapësirë politike dhe ekonomike.

Rusia, Kina dhe Turqia nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtat objektiva në rajon, por të gjitha mund të përfitojnë nga zhgënjimi që shkakton një proces integrimi i perceptuar si i pafund.

Dy shpejtësi dhe një problem besueshmërie

Pra çështja kryesore, nuk është nëse Ukraina duhet të anëtarësohet para Ballkanit apo anasjelltas. Pyetja është nëse BE-ja mund ta përballojë një proces zgjerimi ku perceptimi i kërcënimit të përcaktojë më shumë sesa respektimi i kritereve.

Për disa vende të Evropës Lindore, anëtarësimi i Ukrainës është tashmë pjesë e një strategjie sigurie. Integrimi i Kievit do të nënkuptonte forcimin e krahut lindor të Evropës. Qeveri të tjera janë më të kujdesshme.

Ato shqetësohen se një përshpejtim i madh i zgjerimit, mund ta shndërrojë anëtarësimin në një vendim kryesisht gjeopolitik, duke zvogëluar peshën e kushteve institucionale dhe duke komplikuar hapësirat e mundshme diplomatike. Dhe ky tension nuk pritet të zhduket.

BE-ja duhet të jetë njëkohësisht e besueshme si fuqi gjeopolitike dhe koherente si komunitet i bazuar në ligj.

Beteja e vërtetë është administrative dhe financiare

Pas deklaratave strategjike fshihet një pyetje shumë konkrete: kush do ta financojë dhe kush do ta administrojë zgjerimin? Integrimi i shteteve të reja, nënkupton zgjerimin e tregut të përbashkët, por edhe shtrirjen e politikave bujqësore, fondeve të kohezionit, infrastrukturës, sigurisë kufitare dhe programeve të tjera evropiane.

Po aq e rëndësishme është edhe aftësia e administratave kombëtare për të zbatuar rregullat, për të menaxhuar fondet dhe për të garantuar kontrollin e tyre. Për këtë arsye, çështja e zgjerimit nuk mund të ndahet nga financat publike evropiane.

Veç kësaj, zgjerimi drejt vendeve shumë të ndryshme për nga madhësia ekonomike dhe kapacitetet administrative, do të kërkojë rishikimin e burimeve të përbashkëta, prioriteteve buxhetore dhe mekanizmave të kushtëzimit.

Gjeometria e re evropiane

Pamja politike që po krijohet është ajo e një Evrope me gjeometri të ndryshueshme, ku e njëjta politikë zgjerimi kryen funksione të ndryshme: frenim në Lindje, stabilizim në Ballkan, transformim institucional për vendet kandidate dhe projeksion gjeopolitik për vetë Bashkimin.

Më 14 korrik, BE-ja zhvilloi konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Për Kievin dhe Kishinaun u hapën grupkapituj të rinj, ndërsa për Podgoricën dhe Tiranën u mbyllën përkohësisht disa kapituj.

Kjo ishte një pamje domethënëse e strategjisë së re evropiane: jo të gjithë ecin me të njëjtën shpejtësi, por të gjithë vlerësohen brenda një gare gjeopolitike që po bëhet gjithnjë e më e gjerë. Sfida për Brukselin do të jetë shmangia e skenarit, kur nevoja për t’iu përgjigjur krizave ta shndërrojë zgjerimin në një politikë të thjeshtë rreshtimi.

Nëse arrin të bashkojë sigurinë, reformat, qëndrueshmërinë financiare dhe besueshmërinë e parimit të meritës, Evropa mund ta përdorë zgjerimin jo vetëm për të zgjeruar kufijtë e saj, por edhe për të ndërtuar një rend më të qëndrueshëm në kontinent./ Përshtati "Pamfleti", nga “Il Giornale d’Italia”ukraina be zgjerimi ballkani Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Të shtëna me armë në një universitet në SHBA, pesë të plagosur; njëri prej tyre në gjendje kritike 15 Gusht 2026, 19:0219:02Rajoni dhe Bota Greqia në alarm të kuq/ Atika, Kreta dhe ishujt nën kërcënimin e zjarreve 15 Gusht 2026, 18:4718:47Rajoni dhe Bota Përshkallëzohen tensionet në Liban, 11 të vrarë nga sulmet izraelite 15 Gusht 2026, 18:3518:35Rajoni dhe Bota Shqipëria mes vendeve të goditura nga zjarret, Von der Leyen: Evropa në gatishmëri të lartë! 15 Gusht 2026, 15:2815:28Rajoni dhe Bota Jared Kushner përballet me telashe në “parajsën e gangsterëve” 15 Gusht 2026, 14:3614:36Rajoni dhe Bota “Pirateri dhe shantazh”, Emiratet akuzojnë Iranin pas sulmeve ndaj anijeve në Hormuz 15 Gusht 2026, 14:0714:07Rajoni dhe Bota