Pasi marshuan për rreth një orë e 30 minuta në rrugët e Tiranës, ku dogjën kosha mbeturinash, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Këtë herë, ndryshe nga përplasjet e mëparshme, situata është qetësuar mes protestuesve dhe policisë. Disa prej protestuesve kanë përqafuar efektivët dhe i kanë duartrokitur. Në këto momente, protestuesit po bisedojnë me policët, ndërsa të dyja palët po komunikojnë në mënyrë paqësore. Gjatë këtij momenti qetësie, protestuesit u kërkojnë efektivëve t’i lejojnë të lëvizin në drejtim të Kryeministrisë, duke u thënë se nuk e kanë me policinë. Megjithatë, protestuesit vijojnë të brohorasin: “Rama, jepe dorëheqjen!”. Një nga protestuesit tha për mikrofonin e Euronews: “Ne po hamë gaz, policët po hanë gurë, ndërsa politikanët mish.”
