Aktori italian Michele Morrone ka vendosur të hyjë në një tjetër dimension të komunikimit me fansat, duke hapur një llogari në Subs.com, platformën me përmbajtje ekskluzive me pagesë, e ngjashme me OnlyFans.
Ylli i filmit “365 Days” e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në Instagram, ku paralajmëroi se ndjekësit do të kenë mundësi të zbulojnë një anë më personale të tij, larg imazhit që kanë parë deri më tani në filma, fotografi dhe rrjete sociale.
“Ekziston një botë që nuk e ndaj me këdo. Një anë më personale, më autentike. Pa filtra”, shkroi Morrone në prezantimin e projektit të ri.
Por aktori nuk do të jetë thjesht një krijues përmbajtjeje në këtë platformë. Ai ka bërë të ditur se do të jetë gjithashtu një prej bashkëpronarëve të saj, ku pjesë e këtij projekti është edhe aktorja amerikane Megan Fox.
Morrone u ka premtuar abonentëve përmbajtje ekskluzive dhe mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt me të, përfshirë edhe videotelefonatat.
“Disa gjëra nuk mund të shpjegohen, por duhet t’i zbuloni vetë”, u shpreh ai, duke nxitur kureshtjen e fansave për atë që do të publikojë.
Abonimi mujor në profilin e aktorit kushton 19,99 dollarë, ndërsa përmbajtjet shtesë ofrohen me pagesë, me çmime që variojnë nga 5 deri në 35 dollarë.
Platforma Subs.com është krijuar nga Tim Stokely, themeluesi i OnlyFans, dhe synon të lidhë krijuesit e përmbajtjes me fansat përmes abonimeve dhe materialeve ekskluzive.

