Influencerja finlandeze Olivia Oras ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare, disa ditë pasi humbi ndjenjat gjatë përgatitjes për një ndërhyrje estetike në një klinikë private në Helsinki.
Sipas mediave të huaja, Oras po përgatitej t’i nënshtrohej një liposuksioni kur humbi ndjenjat pas administrimit të anestezisë. Ajo u transportua në Spitalin Universitar të Helsinkit, por ndërroi jetë disa ditë më vonë, më 3 shtator.
Familjarët e saj kanë kërkuar hetim mbi rrethanat e vdekjes, ndërsa policia finlandeze ka nisur një hetim për dyshime për shkaktim të rëndë të vdekjes nga pakujdesia.
Rasti ka marrë një tjetër zhvillim pasi autoritetet kontrolluan klinikën Plastic Surgery Center në Helsinki. Sipas The Sun, hetuesit konstatuan shqetësime serioze lidhur me sigurinë e pacientëve dhe më 9 shtator u urdhërua pezullimi i aktivitetit të klinikës.
Policia nuk ka bërë të ditur nëse ka persona të arrestuar apo të ndaluar në lidhje me rastin. Gjithashtu, ende nuk është përcaktuar publikisht nëse ndonjë gabim mjekësor ka shkaktuar vdekjen e 27-vjeçares.
Sipas raportimeve të The Sun, familjarët e Oras besojnë se vdekja e saj mund të ketë ardhur si pasojë e një procedure estetike që nuk shkoi sipas planit. Hetimi vijon për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi në klinikë.
Olivia Oras ishte bërë e njohur në Finlandë që në adoleshencë, pasi krijoi një ndjekës të konsiderueshëm në Instagram. Ajo u shfaq gjithashtu në dokumentarin e vitit 2016, “The Perfect Selfie”, që trajtonte jetën e saj dhe marrëdhënien me rrjetet sociale.
Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa rasti vijon të hetohet nga autoritetet finlandeze.

